Frank Shkreli: PSE VAZHDIMËSIA NË PRESIDENCËN E KOSOVËS KA RËNDËSI TANI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 5 min read

Nga Frank Shkreli
Pothuaj 7-vjetë më parë (Tetor, 2019) Kosova kishte nevojë për një ndryshim të madh politik. Kosova e lodhur nga politikanë të vjetër nga mosha dhe më të vjetëruar nga idetë politike. Shpresa ime në atë kohë ishte se çifti politik Osmani/Kurti -- njëra Presidente e tjetri Kryeministër -- të dalur nga zgjedhjet parlamentare të atij viti, bazuar në marrveshjen për koalicion midis Levizjes Vetvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Që, më në fund, përfaqësonte një brez të ri politikanësh shqiptarë, që pritej të bënte ndryshimin e madh dhe shumë të nevojshëm në politikën mbarë shqiptare. Frank Shkreli: Zgjedhjet në Kosovë: A është ky ndryshimi i madh në politikën shqiptare? | Gazeta Telegraf

Siç dihet, periudhë e mandatit të tyre nuk qe aspak e lehtë për, shtetin e qeverinë as për popullin e Kosovës, por besoj se nuk kanë zhgënjyer. Bënë atë që ishte mundur, nën rrethanat politike dhe ekonomike, shpesh jashtë kontrollit të tyre. Rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë, besoj se tregon se ky është edhe gjykimi i sovranit, i shumicës së votuesve vendas të Kosovës dhe votave të diasporës. Them se nuk kanë zhgënjyer duke marrë parasysh situatën e mbrendshme politike, zhvillimet ndërkombëtare dhe “shpaten e Demokleut” të Serbisë fashiste gjithmonë mbi kokën dh fatin e Kosovës. Kam shprehur bindjen time, vite më parë, se ky brez i ri politikanësh shqiptarë do të dijë t’u dalë përpara këtyre sfidave duke i menaxhuar si është më mirë dhe se do të përballonte me sukses rreziqet që i kanoseshin Kosovës dhe Kombit në fillim të mandatit të tyre.

Ndërkohë që në zgjedhjet e fundit, sovrani i besoi shumicën e votave Kryemistrit Albin Kurti, duke e mundësuar atë të formojë qeverinë e re të Republikës së Kosovës, rizgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani në detyrën e kreut të shtetit të Kosovës nuk është e qartë -- për shkak të pazarlleqeve të flliqta ndër-partiake -- ndërkohë që ajo po i afrohet mandatit të saj të ardhshëm presidencial. Vazhdimësia në detyrë e Presidentes Vjosa Osmani nuk është luks politik. Në këtë moment të historisë së Kombit kjo është një domosdoshmëri shtetërore, sidomos përabll realitetit politik në Kosovë ku politika kosovare shpesh lëkundet nga interesat dhe kalkulimet fatzeza partiake, në dëm të interesave të vendit. Në sytë e shumë ekspertëve të brendshëm dhe të jashtëm, Zonja Osmani ka mishëruar parimin e shtetit mbi partinë, duke e kthyer Presidencën -- ashtu si në kohën e Presidentit Ibrahima Rugova -- në një institucion përfaqsues të unitetit, e jo të pazareve politike partiake.

Natyrisht se vazhdimësia ka rëndësi për stabilitetin e mbrendshëm, por sidomos në ruajtjen e një kursi insstitucional që i ka dhënë Republikës së Kosovës besueshmëri ndërkombëtare si asnjpherë mëparë, veçanërsiht në marrëdhëniet e Kosovës me vendet kryesore mike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në një shkrim për anglisht folësit -- President Vjosa Osmani and the Strategic Value of Continuity in U.S.–Kosovo and EU–Kosovo Relations-- para dy ditësh, sugjerova me modesti, se rizgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani do t'i shërbente jo vetëm zhvillimit demokratik dhe forcimit të unitetit të shtetit të Kosovës, por edhe reputacionit të Republikës së Kosovës në nivel ndërkombëtar dhe se, njëkohsisht, një vendim i tillë do pritej mirë edhe nga vendet mik, në përputhje edhe me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Prandaj me plot gojë e them se Presidentja Vjosa Osmani duhet të rizgjidhet në detyrën e saj sepse gjatë mandatit të saj, në sytë e popullit të Kosovës dhe të botës, ajo i ka dhënë Kosovës diçka të rrallë -- besueshmërinë, dinjitetin shtetëror dhe qartësinë politike -- si asnjëherë më parë, qoftë në zhvillimet e mbrendshme politike, por sidomos në arenën ndërkombëtare.

Prandaj unë besoj se për të çuar përpara arritjet e deritanishme të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, më shumë se kurrë më parë, sot Kosova ka nevojë për Presidenten Vjosa Osmani, në krye të shtetit të Republikës së Kosovës. Se është e qartë, se në një kohë sfidash të brendshme dhe presionesh të jashtme, vendi ka nevojë për stabilitet, vazhdimësi institucionale, përkushtim ndaj Kushtetutës dhe mbi të gjitha, përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani është e ndërgjegjëshme, se siç është shprehur dikur Presidenti historik i Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, “Shtëpia nuk mbahet pa miq.”
Gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani ka dëshmuar se udhëheqja duhet të jetë parimore, në mmbrojtje të interesave të vendit e përgjegjshme dhe larg interesave të ngushta personale dhe partiake. Sipas disa vërejtësve të brendshëm dhe të jashtëm, në mandatin e saj, Vjosa Osmani, jo vetëm që ka mbrojtur shtetin e së drejtës, por ajo ka forcuar edhe kredibilitetin e Kosovës tek aleatët strategjikë dhe se brenda vendit ka përfaqësuar zërin e qytetarëve me seriozitet dhe integritet personal dhe zyrtar. S’do mend se një rajon të trazuar dhe në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme, vazhdimësia e këtij vizioni është jetik për të ardhmen demokratike dhe euroatlantike të shtetit të ri, Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për një udhëheqëse në krye të shtetit, si një faktor bashkues që i shërben interesit publik dhe interesave të vendit në nivel kombëtar dhe jo kalkulimeve politike partiake të radhës. Edhe njëherë, në një kohë pra kur institucionet shpeshherë vihen në provë, Kosova ka nevojë për një Presidente që garanton vazhdimësi, seriozitet dhe besueshmëri shtetërore, larg interesave të ngushta partiake.

Përtej kësaj, dihet mirë roli i diasporës shqiptare në periudhat më të vështira por vendimtare për Kosovën dhe popullin e saj. Diaspora shqiptare e njeh mirë rëndësinë e stabilitetit politik dhe të përfaqësimit të denjë ndërkombëtar të Kosovës. Gjatë mandatit të saj, Presidentja Osmani ka forcuar lidhjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, duke e paraqitur shtetin e Kosovës si një partner serioz dhe demokratik. Mund të them me bindje të plotë se ç’prej kohës së Presidentit historik, Dr Ibrahim Rugovës, si asnjë udhëheqës tjetër i Kombit shqiptar nuk ka gëzuar respekt dhe adhurim në radhët e diasporës shqiptare pa dallim, e që të ketë forcuar lidhjet e Kosovës me bashkatdhetarët në mërgim, sa Dr Vjosa Osmani. E nepërmjet diasporës të ketë shtuar lidhjet me faktorë të rëndësishëm politikë të qeverisë federale, shtetërore dhe vendase, sidomos, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diaspora, si gjithmonë, ka rol kyç në mbështetjen e institucioneve që garantojnë stabilitet, demokraci dhe dinjitet kombëtar në nivel ndëkombëtar, para botës perëndimore.
Zgjedhja, mendoj unë, është e qartë për Kosovën dhe për përfaqsuesit e saj politikë. Sot nuk është koha që Kosova -- një shtet ende në konsolidim e sipër -- të vendosë të bëjë ndryshimin, vetëm për hir të ndryshimit. Mendoj se një vendim i tillë do të ishte është një luks i rrezikshëm me pasoja të paparishkueshme për të ardhmen e afërtë të Republikës së Kosovës. Kosova nuk besoj se mund ta përballojë në këtë kohë. Prandaj, vazhdimësia në detyrë e Presidentes Vjosa Osmani mbetet e vetmja zgjedhje e pranueshme, sot për sot, për të siguruar garanci, besueshmëri dhe orientim perëndimor për Republikën e Kosovës në vitet në vijim.









Comments