top of page

Fran GJOKA: Mesazhe mbresëlënëse

  • 14 hours ago
  • 7 min read

Mesazhe mbresëlënëse të librit “Kolipoçi shkon urgjent në bashki”, të shkrimtarit Viron Kona

 

        I njohur veçanërisht për personazhin e tij simpatik dhe të dashur për fëmijë, Bubulino dhe aventurat e tij tërheqëse, shkrimtari Viron Kona vjen përpara lexuesve të vegjël me një personazh tjetër po aq simpatik, me Kolipoçin, të cilin shoqet dhe shokët e tij të vegjël të lagjes “Pranvera”, e kanë ngarkuar të shkojë të takojë kryetarin e  bashkisë së qytetit dhe ai të zgjidh një problem që preokupon fëmijët...

     Shkrimtari Kona e njeh mirë botën e fëmijëve, ndaj ai shkruan me realizëm e vërtetësi për botën e tyre. Në këtë libër, ai i merr artistikisht në mbrojtje fëmijët dhe sikur na thotë: “Kujdesuni për fëmijët, mos harroni se ata janë më të dashurit tanë! Ata janë vazhdimi ynë, e ardhmja e vendit. Ata jetojnë dhe ekzistojnë sot, ata rriten  dhe zhvillohen çdo ditë përpara syve tanë, jeta e tyre nuk është vetëm e nesërmja, por ajo, në radhë të parë, është e sotmja, e tashmja. S`ka pse i imponojmë fëmijës kapërcimin e menjëhershëm të “shkallëve” të jetës, ndërkohë që prindi s`duhet të harrojë fëmijërinë e tij, dhe ashtu si ai dikur, edhe fëmija sot dëshiron të  argëtohet,  të luaj,  të plotësojë disa dëshira  e kërkesa; atij i pëlqen  të bisedojë  dhe të qesh me shokët e shoqet, do që të bëhet interesant dhe të dallohet me dijet dhe shkathtësitë, ai dëshiron  të imitojë  aktorë të mëdhenj, këngëtarë të mëdhenj, shkencëtarë të mëdhenj, eksploratorë të mëdhenj, sportistë të mëdhenj…Ai do që  të bëhet   “dikushi”, dhe, ne kësisoj,  e gjithë shoqëria dhe prindërit, kemi për detyrë të respektojmë zgjedhjen, dëshirën dhe ëndrrën e fëmijës. Jeta, me të vërtetë që nuk është ëndërr, por ëndrrat e mbajnë jetën, shpesh nga ëndrrat  fillojnë gjërat e mëdha. Fëmijës  t`i krijojmë kushte, qoftë edhe me sakrifica, jo me paternalizëm, por me edukim të vazhdueshëm përmes veprës, përmes shembullit më të mirë, që ai, të gjej vetveten, të orientohet drejt, të lëvizë me guxim dhe iniciativë në “skenën” e jetës, të tregohet origjinalë, të tregojë aftësitë dhe talentin e vetë. Ai është fëmija ynë dhe, ne, t`i krijojmë atij kushte që ta jetojë të plotë fëmijërinë e tij.

Kolipoçi me një çantë të madhe shkon në bashki dhe kërkon me ngulm që të takojë kryetarin e bashkisë dhe t`i shpreh atij shqetësimin  që kanë fëmijët e lagjes “Pranvera”.    

       -Ku po shkon me kaq nxitim, o Kolipoç?

       -Në bashki.

       -Ç ‘punë ke ti në bashki?

       -Kam një problem urgjent, vetëm kryetari i  bashkisë mund të ma zgjidhë!

 

     Në çantën e tij ai mban dhjetëra letra, të cilat duhet t`i lexojë kryetari i  bashkisë, në mënyrë që t`u zgjidh fëmijëve shqetësimin që ata kanë: Kompania e ndërtimit  me emrin “Qiellorja”, të mos ua marrë fëmijëve fushën ku ata luajnë, ngaqë kërkon që të ndërtojë në atë fushë një qiellgërvishtës. Kësisoj, fëmijët janë të detyruar të gjejnë sheshe lojërash në rrugë e rrugica, në tarraca pallatesh, në sheshe të ngushtë, ku lëvrijnë dhjetëra njerëz e makina. Ata, doemos që do të luajnë diku, atyre s`mund t`ua ndalë askush lojën: në radhë të parë mësimet, por edhe argëtimi, janë pjesë të rëndësishme të jetës së tyre.

     Shkrimtari ynë e zhvillon drejt këtë temë të thjesht në dukje, por shumë të ndjeshme për fëmijët. Ai e  shkruan me sinqeritet dhe me dashuri për fëmijët dhe duket sikur thotë: “Mos harroni kërkesat dhe dëshirat  e fëmijëve! Kujtoni fëmijërinë tuaj! Fëmijët kanë të drejtat e tyre, të cilat duhen mbrojtur”. 

      Libri vijon me peripecitë e Kolipoçit për të hyrë në zyrat e bashkisë. Ai fillimisht pengohet nga roja i bashkisë, i cili ka një emër  të çuditshëm, Barbaxhan, por që vogëlushi me zgjuarsinë e tij e kalon atë pengesë dhe arrin të futet në bashki. Përpara Kolipoçit shfaqet një specialiste  e  artit, e cila është një grua fisnike që e respekton dhe e dëgjon me vëmendje Kolipoçin, madje ia vlerëson edhe mendimet dhe vërejtjet e  tij. Në bisedë e sipër ata flasin edhe për rëndësinë e librit, për një vëmendje më të madhe ndaj tij, sepse në kohën e sotme libri është jashtë vëmendjes, madje i braktisur nga lexuesit.

-Çudi, o Kolipoç,-i thotë vogëlushit specialistja e artit,- mua më duket se ka rënë shumë interesimi për librin... fëmijëve u kanë mbetur sytë dhe mendja vetëm te celularët. S’kam kundërshtim që t’i shikojnë celularët, por çdo gjë e ka një masë, s’duhet të teprohet. Si thua ti, Kolipoç, kam apo s’kam të drejtë në këto që po them?

       -Po, zonjë, keni shumë të drejtë. Celulari ka shumë vlera, ai edhe na ndihmon, edhe na argëton, ne vërtet që s’e heqim dot nga dora, por libri është përhapësi më i madh i dijeve njerëzore...

       Ndërkaq, Kolipoçi tregon se te hyrja e shkollës, një shitës shiste fara luledielli. E sillte kazanin e mbushur plot e përplot me fara në mëngjes dhe, kur mbaronte mësimi, kazani ishte krejt  i boshatisur. Nxënësit përtypin gjithë ditën fara luledielli, në vend që të “përtypin” libra.

       Siç shkruan autori, “nuk është e lehtë të takosh një kryetar bashkie.”, ndaj  në mënyrë mjaft domethënëse, Viron Kona, këtë ide e shpalos edhe në bashkëbisedën e heroit të librit, Kolipoçit me zyrtarin burokrat të bashkisë, i cili e pengon që të shkojë e të takoj kryetarin e bashkisë, madje ai kërkon që ta zbojë se gjoja vogëlushin e kërkojnë prindërit. Por Kolipoçi do që të arrijë qëllimin e  tij, ndaj reagon çdo herë me zgjuarsi dhe me argumente bindëse:             

       -Më fal që po të pyes, por, ti zotëri nuk ke qenë asnjëherë i vogël? - e pyeti Kolipoçi.

       -Sigurisht, unë s`kam lindur burrë  i madh!

       -E po, kur ti ishe i vogël, kështu do të doje të silleshin të rriturit me ty!? Unë besoj që kur ke qenë fëmijë, dikush s’i ka dëgjuar kërkesat e tua për të luajtur e për t`u argëtuar, apo jo? Dikush me siguri atëherë të ka thënë: “Qepe gojën dhe mos bëj fjalë! Ne kemi halle të mëdha, po na nxjerr koka tym nga hallet që kemi, kurse ty të është bërë mendja fushë futbolli dhe top!” Më thuaj të drejtën, të ka ndodhur ndonjëherë ndonjë gjë e tillë? 

      Ky dialog e bën nëpunësin burokrat që edhe ai të kujtojë episode dhe ngjarje nga fëmijëria e tij, ndaj dhe, në fund ai e lejon vogëlushin të futet te zyra e kryetarit të bashkisë.

       Dialogët dhe batutat e librit rrjedhin fare natyrshëm, teksa ne, si lexues të rritur ato na vënë në  mendime, madje na bëjnë shpesh herë të mbajmë qëndrim kritik ndaj vetes sonë, por dhe të nxjerrim mësime për t`u krijuar fëmijëve hapësirat e nevojshme që ata të jetojnë fëmijërinë e tyre.

       Libri vijon me pjesën ku Kolipoçi mirëpritet nga kryetari dhe zhvillon me të një bisedë mbresëlënëse dhe interesante.

       Janë tërheqëse vizatimet e thjeshta të shoqeve e shokëve të Kolipoçit, të cilat vogëlushi ia tregon kryetarit e ku fëmijët vënë në lojë përdorimin pa fre të celularit dhe braktisjen e librit.

       Lexuesi i vogël, mëson se Kolipoçi jo vetëm që përfaqëson mendimin e shumë shoqeve dhe shokëve të tij të vegjël, por ai ka shokë edhe Bubulinon, personazhin e njohur të fëmijëve.  Autori u kujton lexuesve të vegjël se Bubulinoja vijon me ëndrrat dhe dëshirat e tij, të cilat ai do që t`i bëjë realitet. Ai doemos do të jetë i pari që do të shkojë në planetin Mars, por, tashmë që në rend të ditës është ngrohja globale, ai dhe ekspedita që ai drejton ka nisur punën  kundër ngrohjes globale, duke bërë atë që mund të bëjnë fëmijët, të mbajnë pastër mjediset, të mbjellin sa më shumë pemë, të cilat siç dihet bëjnë të mundur pastrimin e ajrit nga ndotjet dhe nga gazi karbonik apo dhe gazrat e tjerë.

       Kryetari i bashkisë ia vlerëson kërkesat Kolipoçit dhe fëmijëve të lagjes “Pranvera”, ndërkohë që ai u jep edhe rrugëzgjidhjet e duhura, duke paraqitur përpara tyre seriozitet dhe vizione bashkëkohore. 

     Kryetari u shkëput nga letrat dhe foli me dikë në telefon, debatoi një copë herë dhe pastaj iu kthye vogëlushit:

     -Ankesën tuaj, Kolipoç, për fushën e futbollit do ta shqyrtojmë menjëherë. Në hapësirën ku sot ndodhet fusha juaj, do të projektojmë një park të madh sportiv me disa fusha, por edhe me mjedise të tjera kulturore, artistike dhe argëtuese. Qiellgërvishtësin do ta ndërtojmë në një vend tjetër. Të pëlqen ideja që të ndërtojmë te fusha juaj një park të madh sportiv?

     -Po, më pëlqen, veçse ju lutem, kur të diskutoni projektin, na ftoni edhe ne fëmijët që të shfaqim mendimet tona. Më jepni fjalën, xhaxhi kryetar?

     -Po, Kolipoç, fjalë burrash!

     Episodet, informacioni, si dhe mesazhet e shumta të  librit kanë ndikim të madh te lexuesit  e vegjël.  Ndërkohë që libri ka mesazhe të mëdha edhe për të rriturit, veçanërisht kur me takt dhe natyrshëm shkrimtari përmend dhe u kujton lexuesve 23 prillin - Ditën Ndërkombëtare të Librit, e cila është caktuar në kujtim të shkrimtarëve Servantes, Shekspir, De Vega, e ku në Ditën e Librit, në Katalonja të Spanjës, atij që blinte një libër i dhurohej një trëndafil. Kolipoçi, shoqet dhe shokët e tij kanë marrë iniciativë që, atë Ditë (23 prill), por dhe në Ditën e Librit për Fëmijë, (që është caktuar më 2 prill, ditën e lindjes së shkrimtarit të madh danez Andersen), pra, ato ditë, fëmijët duan t`i rigjallërojnë, ata do të shkojnë pranë librarisë së madhe të qytetit dhe, cilitdo që blen një libër, ata do t’i dhurojnë nga një trëndafil...Gjithashtu, nëpërmjet episodeve, dialogëve, batutave dhe bashkëbisedave shfaqen mendime sesi libri të bëhet më tërheqës dhe në këtë drejtim duhet të angazhohen më mirë të rriturit, prindërit e fëmijëve, mësuesit dhe shkolla, por edhe institucionet kulturore e artistike.

Shkrimtari Kona nënvizon se fëmijët kanë problemet e moshës së tyre, të cilat për të rriturit tingëllojnë “lojëra qejfi” dhe pa vlera, por, edhe të rriturit ama, të mos harrojnë se dikur edhe ata kanë qenë fëmijë, dhe, si të tillë, ata kanë pasur kërkesat dhe dëshirat e moshës. Lexuesi merr mesazhin se, që nga kohët e lashta e gjer më sot, bota është plot e përplot me njerëz të shquar: me dijetarë, filozofë, shkencëtarë, astronomë, matematikanë, mjekë, mësues, arkitektë, arkeologë... por edhe shkrimtarë,  kompozitorë, piktorë, aktorë, regjisorë, skulptorë, arkitektë...Edhe kur ata janë bërë njerëz të shquar, koha kështu si sot ka qenë, gjithnjë në ikje e në vërshim, por ata s’e kanë lënë asnjë minutë që t’u ikë kot dhe pa qëllim.

        -Keni dëshirë t’i takojmë disa prej tyre?-u kishte thënë shoqeve dhe shokëve të vegjël Bubulinoja.

        -Ku t’i takojmë, o Bubulino? Ç’po na thua?! – vërejtën ata të habitur.      

       -Atje pra, në bibliotekë, - u tha ai, - koha ikën dhe nuk ndalet, prandaj të mos e shpërdorojmë, ata na presin.

Kështu që shumë fëmijët të lagjes “Pranvera”, janë bërë anëtarë të bibliotekës së shkollës dhe asaj të qytetit. Koha e tyre më e bukur, është kur ata flasim e diskutojmë me njëri - tjetrin për librat që kanë lexuar...     

           Është mbresëlënëse në libër thënia e shkrimtarit të madh amerikan Xhek London: “Në qoftë se ju nuk do të gjeni kohë të lexoni, atëherë edhe bota nuk do të gjej kohë t`ju vërë veshin e t`ju dëgjojë”.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page