top of page

FOLKLORI YNË, NJË MREKULLI SHPIRTQETËSUESE



Nga Gjokë Dabaj, shkrimtar*

Kombi shqiptar, në këtë gjysmëshekulli të 21-të, po bën përpjekje të mëdha për të mbijetuar dhe për të përparuar. Nuk po dua të them ndryshe, sepse nuk është ndryshe.

Nga Republika e Shqipërisë po ikën kush po mund. Sa shqiptarë kanë marrë dheun në sy e kanë ikur prej këtij vendi e sa kanë mbetur këtu?! Dhe kush ka mbetur këtu?! Ata që janë plakur e po presin vdekjen dhe ata të cilëve ende s’u kanë dalë krahët për të fluturuar!

Po në Republikën e Kosovës kush po mbetet?! Republika e Kosovës plasi duke kërkuar të drejtën për të lëvizur lirshëm, por a po synojnë shqiptarët e Republikës së Kosovës për të ardhur, apo për të ikur këndej?!

Kush ka mbetur në gjysmën e Shqipërisë Jugore që e ka Greqia, veçse një grusht shqiptarësh që shkruajnë e flasin greqisht?! Madje edhe këndojnë greqisht! Flasin, shkruajnë dhe këndojnë greqisht dhe qajnë greqisht, sepse greku s’u jep të drejtën as për t’u regjistruar shqiptarë e le më t’u hapë shkolla shqip dhe t’u lejojë kishën në gjuhën shqipe!

Kush ka mbetur në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Gusi, Plavë e Rozhajë?! Tivarit, Podgoricës, Plavës e Rozhajës u është mbyllur goja për të folur në gjuhën e vet dhe u është hapur një gojë tjetër, për të folur një gjuhë, e cila për gjyshërit e tyre ka qenë dhe është gjuhë e huaj! A mund të themi për një gjuhë: Kjo është gjuha ime, kur atë s’e kanë folur gjyshërit e mi?!

Ku është Sanxhaku sot?! Atje, në këto kohët e fundit, ka dalë një vajzë, e bukur si zana, dhe u thotë shqiptarëve me zë përgjërues: “Mblidhuni, motra e vëllezër shqiptarë! Ejani këtu në krahinën time, në Sjenicë, Rrasë e Novi Pazar, që t’ua rimësojmë shqiptarëve të Sanxhakut gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve tanë!” Po Medvegjës, Bujanovcit, Vranjës, Leskovcit, Jabllanicës, sa shqiptarë që flasin shqip u kanë mbetur?!

Në Republikën e Maqedonisë Veriore po duan ta pakësojnë përqindjen e shqiptarëve sa më shumë të jetë e mundur. Prej Manastiri, tempullit të alfabetit tonë, i kanë shfarosur ose dëbuar qysh prej një shekulli thuajse të gjithë shqiptarët! Po kështu edhe në Ohër, shqiptarët prej kohësh janë pakicë e papërfillshme. Ndërsa për ta populluar Shkupin me shumicë sllave, Jugosllavia e Titos e pat shfrytëzuar tërmetin.

Ç’do të bëjmë këndej e tutje për t’i mbrojtur këto pjesë të Atdheut tonë?! Akademitë tona thujse janë shuar! I ka shkelur putra e ariut dhe mezi u dëgjohet herë pas here nga një gërhimë përmes këlbazës që ua ka zënë fytin! Gazetat tona, që janë me dhjetëra, shkruhen e dalin ditë për ditë nëpër kioska, por për çfarë shkruhet nëpër ato gazeta?! Sa herë përmenden Kombi dhe Atdheu nëpër ato gazeta?! Vrasje, vdekje në përplasje makinash, ulurima kundër korrupsionit pa ua shkulur të korruptuarve as edhe një fije floku, “mençuri shterpë, gjinj femrash, këmbë lakuriqe femrash, reklama që s’i lexon askush! Këto janë gazetat shqiptare të kohës sonë, të cilat, në ndonjë rast, edhe mund të kenë tituj “kombëtarë”, por që, për ç’i duhet Kombit, ose nuk i shkruajnë, ose belbëzojnë, ose i shkruajnë së prapthi.

Me gjithë këto, nuk po dua të them, sepse nuk është e vërtetë, që shpirti i Kombit tonë tashmë ka mbaruar. Ka shqiptarë që punojnë për të mirën e Kombit, ka grupe shqiptarësh që kërkojnë e zbatojnë forma pune për të kontribuar në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe në njohjen e së kaluarës sonë, madje deri thellë në lashtësi, por ata nuk kanë pará. Kombi dhe gjuha nuk janë biznes. E, kur nuk janë biznes, për ‘to nuk jep askush asnjë kacidhe.

Traditat tona muzikore e folklorike janë sulmuar sot rrezikshëm nga i quajturi globalizim, me fjalë të tjera, asgjësim i çdo lloj individualiteti. Në të vërtetë, afrikanizim a ndonjë izim tjetër, midis të cilëvet ka edhe forma që nuk janë as këngë e as muzikë. Populli ndjehet i shqetësuar nga të këtilla tendenca tjetërsimi. Në çdo dasmë, në çdo ditë feste, në çdo tubim, e huaja, jo e jona, përhapet si tymi i një kasolleje që digjet. Njerëzit mbyllin gojën, zgurdullojnë sytë dhe kërkojnë të dalin andej. Grupet folklorikë, të krijuar në një shumicë trevash e ambientesh, ku banojnë shqiptarë, janë subjekte të cilët, për ta shpëtuar nga asfiksimi, i sjellin popullit oksigjenin. Pa oksigjen njerëzit vdesin, pa folklorin e vet kombet shuhen!

Kështu e kam përfytyruar unë kultivimin e sotëm të folklorit autokton shqiptar. Kur lexova librin “Mozaik vitesh me aromë folklori që e ka hartuar Hamdi Hysuka, m’u krijua përshtypja pikërisht e sjelljes së oksigjenit në kulturën tonë të rrezikuar.


Autori ka përdorur në titull shprehjen “aromë folklori, por në të vërtetë, ajo aromë është e shoqëruar edhe me oksigjen. Vetë meloditë, këngët, vallet dhe veshjet e interpretuesve, janë oksigjeni, i cili nuk e lë shpirtin tonë të vdesë. Nuk e lë të vdesë, por e rikthen në jetë!

Protagonisti kryesor i këtij mozaiku me aromë e oksigjen folklori është një djalë me rrënjë nga fshati Mallunxë. Në pyetshim ku gjendet kjo Mallunxa, do të na thonë: “Diku afër një kështjelle të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që quhet Stelush dhe nga ku edhe sot duket sikur bën rojë ndonjë Vrana Kont, apo ndonjë gjeneral tjetër i atyre kohëve.

Dhe mua vetëvetiu më shoqëron pyetja: Mos është edhe ky Ikël Punavija ndonjë gjeneral, i cili ka marrë përsipër ta mbajë gjallë shpirtin e Arbrit me magjinë e muzikës, trashëguar ndoshta qysh prej atyre viteve?! Mban në duar një vegël të çuditshme, që i thonë lauri apo lahuri, dhe improvizon me ‘të melodi të atilla që u imponojnë heshtje qindra shikuesve.

E kërkova emrin e kësaj vegle nëpër fjalorë. S’e gjeta askund. Nga ç’lexova këtu, del se kjo vegël përdoret vetëm në Mat. Çudi! Një çudi tjetër është se kjo i ngjan shumë lahutës, thuajse me të gjitha, përveç numrit të kordave: Kjo ka tri korda sajuar me qime kali, lahuta ka vetëm një kordë. Lahuta është një vegël autoktone shqiptare, e trashëguar prej kohëve më të lashta pellazgo-ilire dhe shoqërohet me këngë. Lahuria (apo lauria), me sa di unë, nuk shoqërohet me këngë, veçse kur është pjesë e orkestrinës.

Një tjetër çudi janë emrat e këtyre veglave: lauri apo lahuri duket se ka të njëjtën rrënjë si lahutë. Veçse te lahuri duket se kemi prapashtesën -ri, ndërsa te lahutë si prapashtesë do të mbetej -të. Mirëpo fjalorët tanë etimologjikë, ndërsa lahurinë s’e përmendin fare si vegël muzikore, por e japin vetëm si emër pëlhure me prejardhje nga India, lahutën e sjellin nga arabishtja, ardhur këtu nëpërmjet turqishtes. Tani gjykimi ynë është ky: O kanë ardhur të dyja këto vegla nga Orienti me gjithë emrat e tyre, (veçse në atë rast nuk mund të ndahen në rrënjë e prapashtesa), ose janë të dyja vegla muzikore vendëse, me gjithë mënyrën si ndërtohen dhe si përdoren.

Do vënë në dukje këtu që lahuta është pjesë e rëndësishme edhe e traditës kroate. Në Kroaci çdo vit konkurojnë nga 100 lahutarë. Kjo duhet të na dëshmojë që këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë importim nga Orienti, por me një trashëgimi ilire, mbi të cilën kultura kroate është gjërësisht e mbështetur. Me përjashtim të gjuhës, që fatkeqësisht e ka ndërruar, Kroacia ruan edhe sot shumë elementë të kulturës ilire. Ndërsa kultura orientale në Kroaci nuk dëshmohet thuajse fare, sepse Kroacia nuk ka qenë kurrë e pushtuar nga Perandoria Osmane.

Ikli Punavija s’është vetëm. Të ish vetëm, s’do të mund të linte farë gjurme në historinë e një të këtillë veprimtarie shpirtruajtëse e shpirtgjallëruese të Kombit tonë. Është atje Ymer Nelaj, një instrumetist i kalibrit botëror, që u ka prirë dhjetëra insrtumetistëve matjanë. Por është edhe një Emiliano Selmani i vogël, i cili duket se ka ndër mend qysh tash të zërë vend midis pjanistëve më të shquar.

Në këtë libër lexuesi do të njihet me dhjetëra emra, virtuozë të muzikës popullore, virtuozë që nga bankat e shkollës, në Burrel, në Klos e në krejt krahinën e Matit. Midis tyre nuk po mund të rri pa e përmendur një Xhavit Dishani, të cilin e kam mik prej kohësh.

Por as kultivuesit dhe interpretuesit e muzikës popullore të Matit, për fat të mirë, nuk janë vetëm. Të ishin vetëm, as këta nuk do të mund të linin ndonjë gjurmë të dukshme në kulturën e Kombit tonë. Ndaj edhe Ikli i ka hyrë punës për të krijuar lidhje me sa më shumë muziktarë anembanë Shqipërisë e me synimin për t’u shtrirë edhe në diasporë. Kushdo që ta lexojë librin “Mozaik vitesh me aromë folklori, do të shohë atje një harmonizim të përkryer të dhjetëra grupeve folklorikë, të cilët veprojnë që nga Bujanoci e Hoti deri ndër mërgimtarët tanë në Selanik e Athinë: Ansambli Folklorik “Mati, Ansambali “Shqiponja” Dukagjin, Ansambli “Visaret e Kërrabës”, SHKA “Zëri i Luginës” Bujanoc, Shoqata “Shqipëria” Greqi, “Oda” Malësia e Gjakovës, SHKA “Ardhmëria” Gjakovë, SHKA “Anadrini” Rahovec, “Jehona Shqiptare” Tiranë, SHKA Carallukë Malishevë, “Zëri i Vëllazërisë Pejë, Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Marin Dreshaj”, SHKA “Rapsha” e Malësisë së Madhe, Ansambli i Vlorës, Ansambli i Elbasanit, SHKA e Gostivarit, Grupi “Lahutarët e Dukagjinit Shkodër, Shoqata Kulturore Talentet e Reja “Ahmet Zogu Mat, Ansambli “Albafolk” Gjilan, Qendra Kulturore “Pjetër Gaci Shkodër, Grupi Kulturor Artistik i Shoqatës “Shqiponja” Tiranë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi Viti, Ansambli “Drenica” Skënderaj, Ansambli “Dukagjini Shkodër, Grupi Artistik “Vitrina, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trepça”, Ansambli “Gjakova”, SHKA “Jahi Hasani” Cergan Gostivar, SHKA “Jehona e Malësisë Tetovë, Grupi Folklorik “Petralba” Klos, i cili tashmë organizon festvale të rregullt dhe, duke pasur Iklin në krye, mban lidhje me të gjithë këta që i rendita këtu sipër.

Siç harmonizohet një orkestrinë popullore a një orkestër simfonike, po më duket se, që të gjithë këta formacione muzikorë (edhe nja dy a katër herë kaq, që nuk janë regjistruar këtu), tashmë e kanë krijuar një ansambël gjigant të folkmuzikës sonë të madhërishme. Nuk e ka asnjë komb një të këtillë ushqim shpirtëror!

I shoh me sytë e përfytyrimit të gjithë instrumentistët, tek u bien veglave me orë të zgjatura, nga dëshira për ta përsosur sa më shumë mjeshtërinë dhe për të dalë sa më mirë para shikuesve e para dëgjuesve. I shoh me sytë e përfytyrimit secilin valltar tek stërvitet me orë të panumëruara. I shoh me sytë e përfytyrimit secilin këngëtar. I shoh me sytë e përfytyrimit regjisorët dhe udhëheqësit artistikë tek lëvizin pa pushim, djathtas, majtas, para, mbrapa dhe tek u ngjiret zëri duke i udhëzuar interpretuesit. Është një punë kolosale. Vetëm ata që merren me këto punë, dinë ta vlerësojnë këtë që thashë. Pastaj udhëtimet. Përgaitjet e kostumeve, çuarjet heret, të dridhurat para se me dalë në skenë.

Festivalet renditen njëri mbas tjetrit. Ansamblet dhe grupet artistikë, të trajnuar dhe të pajisur me çdo gjë që është e domosdoshme, punë që s’është aspak e lehtë, shpalosin artin e tyre nëpër skena e podiume dhe ashtu, Gjaku i Arbrit nuk pushon së pulsuari nga vendi në vend dhe nga shekulli në shekull. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Insrumentistëve Popullorë, Takimi i Lahutarëve, Festivali i Alpeve “Peja 2012”, Manifestimi Tradicionl “Ditët e Komandant Lleshit, Festivali i 5-të Mbarëkombëtar “Tinguj Zemre” Fushë-Arrëz, Festivli Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha 2009”, “Rituali i Jetës” në TOB Tiranë, Festivali Folkloristik Gjithkombëtar “Rapsodia Shqiptare” Skënderaj, Festivali Ndërkombëtar i Fëmijëve në Turqi, Festivali VII Internacional Folklorik në Çinarçik të Turqisë, Festivali i Radio-Televizionit të Turqisë, Manifestimi në Seres të Selanikut, Koncerti “Na Bashkuan isoja dhe çftelia” Athinë. Një mrekulli e vërtetë! Unë kam jetuar në Tepelenë dhe më duket sikur jam rritur me këngën labe. E pata kaluar fëmijërinë me Vallen e Shestanit, një pjesë të rinisë me këngët labe, pastaj në Klos me çiftelinë e Avni Halilit, Isuf Topallit dhe Avni Hoxhës. Është vërtet gjë e bukur kur je shqiptar!

Vetëm një brengë të madhe po e kam: Të mos na ndodhë, me gjithë këtë muzikë, siç i ndodhi atij grupit të muzikantëve në anijen “Titaniku”! Le t’i lexojmë edhe njëherë 30-40 rreshtat e parë të këtij shkrimi dhe atëherë besoj se secili prej nesh nuk ka si të mos e marrë seriozisht këtë brengë timen. Sigurisht, jo për të ngritur duart përpjetë, por për të kërkuar e gjetur mënyra që Kombit tonë, këtij Kombi kaq të mrekullueshëm, të mos i ndodhë si “Titanikut!

*ish-mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe

në Shkollën 9-vjeçare Fullqet dhe

në Gjimazin “Shaban Çollaku” Klos, Mat;

kryetar i Institucionit Kulturor “Përkujdesja Gjithshqiptare”

354 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page