top of page

FJALË PËR POETIN HEKURAN MIRAKA


Vangjush Saro

Hekuran Miraka ka përcjellë në publik disa botime: poezi, tregime, roman, edhe ndonjë studim madje. Por mendoj se gjer më sot, poezia është ‘stacioni’ ku ai pushon më gjatë dhe merr energji të reja për të udhëtuar. Edhe pse mund të mendosh se bota është tejmbushur me të tilla, me vjersha e, siç thoshte Virgjili i madh, ‘sikush priret nga dëshira e tij’, po ndalem pak në rëndësinë e veçanësisë dhe të kërkimit artistik, si dhe në mundësitë për të përzgjedhur disi në ‘hartën’ e pafund të krijimtarisë së sotme.

Unë e di që një pjesë i tërheq kërraba nga vetja dhe shohin veç ëndrra me lavdi; e di që lëçitin plot pathos dhe shkruajnë në emfazë veç për pjestarët e klanit ose për aksh interes; e di që është më e lehtë të bësh muhabet në rrjete, sikur në kafene, se sa të marrësh seriozisht penën në dorë për të vlerësuar dikë; më në fund, unë e di që më shumë se kurrë po kombinohen në mënyrë groteske snobizmi me grafomaninë... Natyrisht, nuk e ndryshojmë dot këtë pamje; por në të njëjtën kohë nuk na ndalon askush ta ‘vizatojmë’ atë siç e shohim. Dhe të vazhdojmë të flasim edhe për ata që nuk janë në mesin e ekranit, për ata që kanë qëndruar apo qëndrojnë jashtë klaneve e përurimeve pompoze dhe, për më tepër, bien në sy për qasje të veçanta dhe ndjeshmëri artistike. (“Më shumë se për dashuri, para e famë, kam nevojë për të vërtetën.” Henri Devid Thorou)

Sado që kjo ‘uverturë’ duket sikur qëndron më vete në këtë shënim letrar, mendoj se është gjithnjë koha për të kuptuar që nuk po sillemi siç duhet me krijimtarinë artistike; prania e shumë zërave, kur ato kanë pak për të thënë, nuk duhet të na pengojë të dëgjojmë këngën e duhur, këngët e duhura. Të tilla, mendoj, janë edhe poezitë më të mira të autorit që po biem në këto radhë. Ndonjë varg i poetit (“Nuk e keni lexuar mirë partiturën e pëllumbave.”) na jep dorë në këtë shërbim për hir të artit.

Në vështrimin tim, Hekuran Miraka - emigrant prej disa kohësh në Amerikë - është një ndër poetët që në mënyrë të natyrshme, për shkak të talentit, për shkak të kushteve të jetës, të karakterit shpërthyes, të përjetimeve të shumta, etj., vetiu vjen si një këngëtar i veçantë, sa fshatar, aq edhe qytetar, sa i sjellshëm e babaxhan, aq edhe i rrëmbyer e gojëprishur, sa i thellë dhe i menduar, aq edhe snob e hokatar. Dhe ajo që është më e rëndësishme se kaq, duke lexuar vargjet e tij, shikon se ai bashkon provincën me atë më të shkëlqyerin vend të botës; mundi i tij për të ndërthurur ndjesi që vijnë nga harta të ndryshme, është produkt i mendjes dhe i forcës poetike të tij.

Kështu, e thënë edhe më thjesht, gërshetimi i pamjeve të dy ‘botëve’, ndjesia e përjetimeve të diferencuara, prania e heroit lirik njëherësh në dy hemisfera, në dy rende të ndryshëm nga njëri-tjetri, përshtatja dhe kërkimi në këtë gjendje të re, jetë të re, kjo e gjitha ‘pushton’ një pjesë të mirë të krijimtarisë së këtij autori, duke i dhënë atij njëlloj autorësie në këtë tematikë të vështirë e përvëluese e, njëherësh, duke na bërë të besojmë se ka punuar e po punon me durim për krijimin e një profili njerëzor dhe artistik.

Poezia e tij sa vjen dhe i rri gjithnjë e më pranë pamjes së gjerë e plot ngjyra të botës që është në ndryshim e sipër; mes të tjerave pikërisht për shkak të ‘prishjes’ së kufijve. Kjo pamje nuk i shpëton syrit të krijuesit, madje dikton në prirjet dhe veçanësitë e tij, siç u tha edhe më lart. Është diçka që pareshtur frymon në poezinë e tij dhe që lidhet me shtegtimin e njeriut, me ndryshimet që performojnë trendin e jetës në shtresa, familje, individë: Ka ca shpezë migratorë,/ lënë vjeshtën dhe marrin nga lindja./ Ka dhe njerëz që mërgojnë,/ lënë lindjen dhe marrin nga perëndimi./ Të gjallët lëvizin… (“Rrota e diellit”) Peizazhet, përjetësisht një nga sfidat e poezisë lirike, shfaqen gjithashtu ndër ‘vizatimet’ më të bukura të Mirakës; në to, ndjehet dashuria për vendlindjen, që ai e ka mbartur me dhimbje, pra jemi gjithë në temën e madhe: Kodrat e përtej Sulovës, kanë kredhur kryet në liqen,/ ndërsa dielli fshihet matanë Dumresë./ E një copë eshkë për vete digjet,/ këtej Shpatit dhe Vërçës... (“Liqeni përfund Silares”) Skena të largëta dhe të afërta trazojnë pareshtur kujtimet dhe të tashmen e poetit: Ka dhe s’ka çobanë kopeja e lodhur. (“Fjalët i zë nata barsë”)

Poetët e mirë mbeten gjithnjë në kërkim të vetvetes: Jam masë e ngrirë./ Ndaloj kryqëzimeve gjakftohtë./ Dhe pres dritën. (“Ylberet gënjejnë veten”) Tema kardinale e punës dhe e mbijetesës, për vetë kushtet në të cilat përpiqen emigrantët, fundja të gjitha qëniet, është një rast i mirë për t’i thënë gjërat troç. (“Dikush shkon rrugës pa tërthore/ një tjetër rrotull vjen...” Ana Ahmatova) Poeti është një libër i hapur, heroi lirik i tij vesh kostume të ndryshëm; por gjithherë, ndeshja e tij me jetën nuk është e lehtë: Uria më bën të eci, më shtyn tutje./ Ja, si akrepat e orës që kam në dorë. (“Të uriturit vdesin vonë...”) Ndryshimet esenciale në natyrë dhe në ekonomi, në mënyrën e jetesës, ritmi i dyshimtë i të sotmes së dyshimtë, gjen shpesh pasqyrim në vargjet e tij: “Në fund të rrugicës është shitorja e mishit./ Vishuni kur të hyni brenda, bën ftohtë./ Mos pyesni për llojin./ Mbani mend vetëm shijen e rrëfyer nga gjahtarët./ Mbushni dhëmbët dhe mburruni./ Dy janë ata që e dallojnë mishin:/ Kasapi që e pret/ dhe tenxherja që e zjen./ Kockat shkojnë për qentë. (“Rrëfenja dimri...”)


Shpesh Miraka humbet në kalendarin e ditëve e të jetës, si Pindari, për të ikur nga një festë e bujshme në një tjetër tematikë, ku ndjen mundësinë e së keqes: Nëpër rrugë ka ende gjurmë nga festa e Vitit të Ri./ Ndonjë e fsheh sa mundet harbimin./ Të tjerë s’ kanë mundur dot./ Të moshuarit mbajnë veten me shkop./ Lexojnë njoftimet për të ikurit një natë më parë,/ urojnë të ardhurit rishtas./ Dhe ikin kokulur si numra./ Si numra të radhës. (“Numrat për nesër”) Kështu, shpesh e më shpesh, autori ‘humbet’ në meditime të thella, kërkon shpjegime në tema të vështira: Frika e syve/ i bën statujat të tështijnë... (“Statujat tështijnë”)

Me raste, poeti kthehet sërish në një nga ngastrat ku ndjehet ‘perëndi’. ‘Poema’ e dhimbshme e shtresave të mesme të shoqërisë ka frymëzuar në kohëra poetët dhe prozatorët. Duke u nisur në detaje nga vatra e vet familjare, duket sikur poeti viziton shumë e shumë çifte të tjera, të veçantë, por edhe të ngjashëm, për shkak të fatit dhe të kohës: Perënditë nuk ishin,/ kur erdhëm unë e ti./ Na u desh t’i sajonim. Të ishim të dy të mirë./ Dhe të turpshëm./ Të mos trembnim gjumin e fëmijëve,/ që flisnin në jerm në dhomën tjetër./ Kaq u desh/ dhe perënditë erdhën pas nesh... (“Perënditë erdhën pas nesh”) Ai i ka thënë të gjitha dhe druaj se një koment i mëtejshëm do të dukej i tepërt përpara kësaj fotografie njerëzore kaq të natyrshme dhe realiste.

Është e vështirë ta ndjekësh çast pas çasti e ta kuptosh gjithnjë një poet të mirë… Shpesh, edhe i ‘kënduar’ në qofsh, shikon atje njëlloj zbrazëtie, pakuptim, boshësi. Megjithatë, ndjesia e poezisë së mirë dhe liria për të interpretuar, e mbyllin sakaq hapësirën e mbushur me metafora dhe pikëpyetje. E fundja, pse duhet ta shpjegosh gjithçka, kur mjafton ta ndjesh: Ia jap gjumin lumit, vetë rri zgjuar./ Të pres lejlekët në kthim... (“Lejlekët i dëbojnë nga lumi”) E thënë kaq bukur, e vizatuar kaq dhimbshëm, të kujton Bodëler-in kjo ndjesi e shqetësimit, e pagjumësisë… ‘ashtu si poetët janë pothuaj përherë.’

Duke pranuar me sinqeritet se ky shënim është një ndihmesë e vogël në fushë të poezisë dhe të krijimtarisë së Hekuran Mirakës, njëlloj inspirimi më mirë, le të kuptojmë që problemi i madh i artit, edhe atij poetik, dalëngadalë i vetë kulturës sonë, është vlerësimi… Mbase duhej të thosha ‘mosvlerësimi’, çka u cek edhe në atë fragment të shënimit që e cilësova ‘uverturë’. Edhe pse është një veprimtari vetjake, letërsia dhe arti jetojnë me zhvillimet e gjithanshme të shoqërisë, institucionet e saj asnjëherë nuk janë tërësisht indiferente ndaj krijimtarisë. Por shpesh është parë prirja e hershme e qeverisësve për të prodhuar bujë e për të zhvilluar aktivitete të tipit ‘Konferenca e Letrarëve Të rinj’. Askush nuk e di dhe nuk ofrohet të na thotë si i bëhet që kjo krijimtari të vlerësohet me seriozitet - këtu kam parasysh edhe autorë të tjerë - të jetë më mirë në vëmendje të lexuesve e të institucioneve, për të lënë disi në një plan e vështrim tjetër pjesën grafomane të këtij produkti pa fund.

Dhe prapë them se nuk është detyra e krijuesve të lodhen e të mërziten për kësi mangësish. Ata shkruajnë, përpiqen të shkruajnë mirë; mendimi letrar dhe institucionet përgjegjëse duhet të jenë më të vëmendshëm ndaj atyre që s’janë gjithnjë përpara ekranit, në listat e administratës apo në rrjetat e tarafit.

Nuk desha ta veçoj që në krye episodin e mëposhtëm, sepse do të më dukej mungesë modestie, por në rendin e duhur mbase shkon. Në fund të viteve ‘70 dhe gjatë viteve ‘80, për vetë rrethanat, duke punuar si mësues në Gramsh, një pjesë të mirë të orëve ua kushtoja veprimtarive letrare-artistike të qytetit dhe ndihmës për krijuesit e rinj. Për disa prej tyre, sipas mundësive të kohës, kam nënshkruar edhe ndonjë shkresë, ku pohoja se ishin të talentuar dhe ‘meqë kjo ishte edhe dëshira e tyre, do të qe më e mira të studjonin për gjuhë e letërsi’. Për shumëçka mund të gëzojë e t’i njohë vetes arritje pozitive njeriu; por veças kur shikon se si emrat te të cilët ka pasur besim dhe i ka inkurajuar, janë sot shkrimtarë, poetë dhe gazetarë të spikatur: Mes tyre, krahas Pozaet Qoses, Leidi Shqiponjës, Piro Verushit e ndonjë tjetri a tjetre, është edhe poeti Hekuran Miraka, tash në një rrugë ngjitjeje e duke krijuar profilin e vet artistik.

177 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page