'Fjala e Lirë': Promovohet në Kretë romani “Para me Gjak” i shkrimtarit Ruzhdi Jata

Pas promovimit të këtij libri në Kukës, në qershor, më 10 tetor autori e prezantoi atë edhe në Qendrën Kulturore Rinore të Irakleos, nën përkujdesjen e shoqatës kulturore atdhetare “Bashkimi Shqiptar në Irakleo”.
Në këtë aktivitet morën pjesë shqiptarë, dashamirës të fjalës së shkruar, që jetojnë e punojnë në Irakleo, Guves dhe Peza, si dhe nga Bashkia e Hersonisos. Të pranishëm ishin edhe qytetarë grekë, të cilët kanë ndihmuar dhe punuar me shqiptarët prej më shumë se tri dekadash, si dhe të ftuar të tjerë. Mori pjesë gjithashtu edhe nënkryetarja e Bashkisë së Irakleos, Rena Papadhaqi.
Mikpritja e kretasve ndaj mijëra e mijëra refugjatëve, jo vetëm shqiptarë, në ato vite të vështira, si dhe puna e përbashkët në ditët e sotme, ishin tema të bashkëbisedimit të këndshëm mes emigrantëve gjatë kësaj mbrëmjeje. Gazetari Jata i përgëzoi të pranishmit për arritjet dhe sukseset e tyre dhe i falënderoi për pjesëmarrjen në promovim. Autori tha se ngjarjet e romanit zhvillohen kryesisht në Kretë, ndaj edhe zgjodhi ta promovonte librin këtu.
Ai foli edhe për përpjekjet e shoqatave shqiptare në Londër dhe punën e tyre vullnetare për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vlerave më të mira shqiptare, në të cilat ai është veprimtar dhe aktivist veteran.

“Por kjo nuk arrihet pa ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e strukturave të pushtetit”, tha kryetari i shoqatës, vlonjati Vangjel Halili, i cili solli në vëmendjen e pjesëmarrësve ndihmën e madhe të ish-drejtorit të shkollës 9-vjeçare nr. 12 në Poro, Irakleo, Janis Gallanaqi, i cili vuri në dispozicion ambjentet e shkollës publike ku drejtonte dhe fëmijë shqiptarë vazhdojnë mësimin e gjuhës shqipe.
Edhe tani, në postin e tij si inspektor i shkollave greke në Bashki, ai është gjithnjë pranë shqiptarëve. Ai premtoi gjithashtu se do ta përkthejë romanin “Para me Gjak” në greqisht.
E bija e autorit, Dr. Greta Jata tha:

“Kur je e vogël, nuk e kupton gjithmonë pse prindërit punojnë kaq shumë, pse shqetësohen për gjëra që ty të duken të vogla, apo pse këmbëngulin që të mos harrosh gjuhën dhe traditat e tua. Por kur rritesh, fillon t’i shohësh gjërat ndryshe. Fillon të kuptosh se pas shumë prej mundësive që ke sot qëndrojnë vendimet dhe sakrificat e dikujt tjetër. Dhe fillon të kuptosh se historia e prindërve të tu është edhe historia jote.”
Valentina Kaja, nga shoqata “Sfida”, falënderoi veçanërisht drejtorin Janis Gallanaqi dhe nënkryetaren e Bashkisë, të cilët kanë mbështetur shoqatën “Bashkimi Shqiptar në Irakleo” për hapjen e shkollës shqipe. Ndërsa Arjon Conga shprehu dëshirën që shqiptarët të jenë sa më të bashkuar me njëri-tjetrin dhe të forcojnë lidhjet edhe me shoqatat shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Në përfundim të këtij promovimi, autori i dhuroi shoqatës të ardhurat nga shitja e librit dhe shprehu dëshirën për t’u regjistruar si anëtar i saj.
Në fund, zoti Halili falënderoi edhe shoqatën “Sfida” në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe miqtë e ardhur nga Londra, dhe shprehu dëshirën për bashkëpunime të tilla edhe me shoqatat e tjera shqiptare në Angli. Ai shpërndau gjithashtu disa mirënjohje për aktivistët dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, si dhe për qytetarët grekë.








Comments