top of page

Fjala e Lirë: Promemorie për Zalo Xhomaqin

Promemorie për Zalo Xhomaqin

 

Katërmbëdhjetë vite më parë. Një kafe në Tiranë me shkrimtarin Reshat Krypa mjaftoi për të ringjallur një dëshirë të vjetër. Ishte një brengë e tij dhe e poetit Uran Kostreci asaj kohe, të rikthehej në kujtesë figura e Zalo Xhomaqit, një emër që historia zyrtare e la në hije, por që ndërgjegjja kombëtare nuk duhet ta harrojë. I ndjeri tashmë, Reshati gjatë asaj kafeje, më dha disa shënime dhe më kërkoi të kërkoja më tej, të lidhja fijet e një jete të prerë dhunshëm, por të mbetur e gjallë në kujtesën e atyre që panë, dëgjuan dhe vuajtën.

Sipas tij dhe shënimeve të tij që u përforcuan më pas nga prezenca e poetit, Uran Kostreci, tashmë i ndjerë, biseda nisi… Viti ishte 1947. Nëna Esma Xhomaqi, një nënë kolonjare, e dridhur nga ankthi dhe e rënduar nga barra e dënimit të të birit, trokiti në dyert e pushtetit. Fillimisht te Josif Pashko, numri dy i Ministrisë së Brendshme, me të cilin dikur kishte pasur miqësi familjare. Përgjigjja e tij ishte e ftohtë, metalike, pa asnjë grimë njerëzie: sikur të ishte një dënim ordiner, ndoshta do të ndërhynte; tani nuk mundej. Atëherë nëna u drejtua tek më i madhi, tek Koçi Xoxe, ministri i Punëve të Brendshme, njeriu që mbante në dorë jetën dhe vdekjen e shqiptarëve. Ajo iu përul si vetëm një nënë di të përulet dhe i kërkoi faljen e jetës së djalit. Për disa minuta, ministri heshti, pastaj i tha fjalët që ndezën shpresën: djali nuk do të ekzekutohej. Nëna u largua e lehtësuar. Në Bejkovë të Kolonjës u festua. Por gëzimi zgjati pak. Një telegram i mbërritur në mbrëmje njoftonte se Zalo Xhomaqi ishte pushkatuar po atë natë. Mashtrimi ishte i plotë, cinizmi absolut.

Reshati shkruan „Kjo skenë sjell ndër mend tregimin e Gorkit “Lavdia e nënës”, ku Timurlengu, perandori i hekurt, përkulet para madhështisë së një nëne dhe i kthen djalin e rrëmbyer.“ Krahasimi është i pashmangshëm: një pushtues legjendar tregon më shumë njerëzi se një ministër i një regjimi që pretendonte se ndërtonte lumturinë e popullit. Esma Xhomaqi mbeti nënë e mashtruar, dhe biri i saj, Zaloja, u bë martir. Zalo Xhomaqi nuk ishte një emër i rastësishëm. Ishte luftëtar i çetave nacionaliste, intelektual i ri, sekretar në gjyqet komuniste kundër nacionalistëve, njeri që shkruante procesverbalet e një drejtësie të rreme, por që në zemër ndiente revoltë përballë mizorisë. Ai i dëgjonte të pandehurit të flisnin me krenari dhe e dinte se po gjykoheshin jo për faj, por për ideal. Dhe kjo revoltë kërkonte rrugëdalje.

Pas gjyqit famëkeq të 10 prillit 1946, ku dhjetë djem të rinj, disa ende fëmijë, u sollën të lidhur me zinxhirë përpara trupit gjykues, Zalua shkroi një trakt. E shpërndau fshehtas në gjimnazet e Tiranës dhe në familjet e të dënuarve. Ishte një akt guximi i jashtëzakonshëm, një protestë kundër terrorit të kuq dhe gjyqeve kriminale. Në atë trakt citohej Fan Noli, dhe mesazhi ishte i qartë: një pushtet që nis me gjak, është i dënuar të mbytet në gjakun që vet krijon. Në gjyqin tjetër, atë të “Rinisë së Rezistencës”, Zalua shkoi edhe më tej. Ai u hiqte prangat të pandehurve, i informonte fshehtas për bisedat e gjykatësve dhe u qëndroi pranë si bashkëpunëtor i heshtur, në zemër të gojës së ujqërve. Por Sigurimi i Shtetit nuk flinte. Gjurmët çuan tek ai. U arrestua më 23 dhjetor 1946 dhe iu nënshtrua shtatë muajve tortura çnjerëzore. Në gjyq qëndroi i palëkundur. Akuzat ishin politike, vendimi i paracaktuar: vdekje me pushkatim. Më 18 korrik 1947, në orën 3:30 të mëngjesit, përballë togës së pushkatimit, Zalo Xhomaqi tha fjalën e fundit me dinjitet: nuk kishte bërë faj, dhe ekzekutimi i tij tregonte fytyrën e vërtetë të një qeverie që derdhte gjak edhe për një “sharje”. Fjalët e fundit ishin një betim: “Rroftë Shqipëria dhe Demokracia!” Plumbat e rrëzuan trupin, por jo figurën. Poeti Uran Kostreci, vetë i dalë nga ferri komunist, ia kushtoi një sonet, një elegji të vonuar, ku Zaloja shfaqet si ndërgjegje që qorton harresën. Një martir që kërkon jo hakmarrje, por kujtesë.

Kanë kaluar dekada. Regjimi ka rënë, por heshtja ka mbetur. Emri i Zalo Xhomaqit rrallë përmendet, dekoratat u shpërndanë shpesh pa peshore morale, ndërsa ky djalë që sfidoi diktaturën nga brenda saj mbeti pa nderimin që i takon. Kjo promemorie nuk është thjesht një kujtim. Është një thirrje: që historia të flasë me emra, që martirët të mos mbeten në errësirë dhe që figura si Zalo Xhomaqi të zënë vendin që meritojnë në ndërgjegjen e këtij kombi.

1 Comment


Guest
3 days ago

Te pergezoj miku im per kete shkrim. Ne kete moment jam duke menduar: mos valle ata qe e ekzekutuan dhe pasardhesit e tyre, jane duke u ndjere akoma krenare per ate akt?

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page