top of page

Fjala e Lirë: Gazetari i dy epokave për një epokë

ree

 

Ashtu sikurse në shumë media online dhe në print, dhe tek media që drejtoj unë në Londër, „Fjala e Lirë“ dhe revista „Albanian Post“, prezenca dhe shkrimet e tij më kanë dhën ëtë qartë të kuptoj se Frank Shkreli nuk u bë gazetar rastësisht. Ai erdhi nga një realitet ku fjala mund të kishte pasoja, prandaj e mësoi herët se liria nuk është dhuratë automatike. Kur jeta e çoi në Shtetet e Bashkuara, ai gjeti jo vetëm hapësirën për të folur lirshëm, por edhe përgjegjësinë që kjo liri sjell. Në redaksinë e Zërit të Amerikës, ai nuk u kufizua të përcillte lajme; ai u përpoq t’u jepte kuptim. Për shumë shqiptarë, programet ku ai punonte ishin dritarja e vetme për të parë se si funksionon një shoqëri e lirë.

Por historia e tij nuk mbaron me mbylljen e mikrofonit. Pas daljes në pension, Frank Shkreli mund të ishte tërhequr në qetësi. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të vazhdojë të flasë këtë herë përmes publicistikës së pavarur. Artikujt e tij sot lexohen në media brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe kanë një tipar të përbashkët. Nuk i shërbejnë asnjë pale, veç lexuesit. Ai kritikon kur duhet, lavdëron kur është e merituar dhe mbi të gjitha kërkon që shoqëria të mos pajtohet me mediokritetin.

Një pjesë e mirë e këtyre shkrimeve u përmblodhën në librin “Demokracia nuk pret”. Titulli është tepër domethënës. Demokracia nuk është një ritual që kryejmë gjatë zgjedhjeve dhe pastaj e harrojmë. Ajo kërkon kujdes të përditshëm, vëmendje, guxim dhe përgjegjësi qytetare. Në faqet e këtij libri, Shkreli flet për politikën, mediat, diasporën, moralin publik, por mbi të gjitha flet për njeriun dhe për rolin që secili prej nesh ka në mbrojtjen e lirisë.

Ajo që e dallon Frank Shkrelin nuk është retorika e madhe, por qartësia e arsyetimit. Ai nuk kërkon të fitojë debat me çdo kusht; kërkon të nxisë reflektim. Edhe kur kritikon ashpër, ai ruan një ton qytetar. Edhe kur paralajmëron për rreziqe, ai nuk humb shpresën. Në shkrimet e tij ndien gjithmonë një mesazh të nënkuptuar: Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë, por kjo varet nga ne. Në një kohë kur gazetaria shpesh ngatërrohet me propagandën, shembuj si ai i Frank Shkrelit janë të rrallë. Ai na kujton se gazetari nuk është thjesht raportues i ngjarjeve, por rojtar i së vërtetës publike. Dhe për aq kohë sa do të ketë zëra që flasin me ndershmëri, demokracia ka ende shpresë. Kjo është arsyeja pse Frank Shkreli mbetet aktual edhe sot. Dhe kjo jo sepse Frank Shkreli e flet më fort se të tjerët, por sepse flet me ndërgjegje. Dhe në një botë ku zhurma është e madhe, ndërgjegjja është luks, dhe domosdoshmëri njëkohësisht.


ree

Mbi të gjitha tri vëllimet “Demokracia nuk pret” nuk janë thjesht libra, por janë kujtesë se liria kërkon përditë angazhim. Përmes analizave të tij, Frank Shkreli na tregon se demokracia nuk funksionon pa qytetarë aktivë, pa media të përgjegjshme dhe pa moral publik. Në fund, lexuesi mbetet me një mesazh të thjeshtë, por të domosdoshëm: ndryshimi është i mundur, por vetëm nëse nuk presim që ta bëjnë të tjerët.

Në fund, arsyeja pse zgjedh të shkruaj për Frank Shkrelin është e thjeshtë. Ajo dallon, sepse na duhen njerëz që na kujtojnë se fjala ka përgjegjësi. Në një kohë kur shumë gjëra relativizohen, ai mbetet dëshmi se gazetaria mund të jetë e ndershme pa qenë naïve, kritike pa qenë cinike dhe e fortë pa qenë e zhurmshme. Shkrimet e tij nuk na japin receta, por na ftojnë të mendojmë. Dhe kjo, për mua, është vlera më e madhe.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page