top of page

Fitim Haxhiraj: Lamtumirë Duro!


Duro Mustafai

Fitim Haxhiraj

Lamtumirë Duro!


Prehu në paqe vlonjat i mirë dhe shoku im i rrugës “Drashovica”!

Duro Mustafai

Dje u nda nga jeta fizikisht gazetari, shkrimtari, poeti, kryeredaktori dhe qytetari i mirë,djalë i Vlorës, Duro Mustafai (1933-2019).

Unë dhe Duro ishim rritur në një rrugë, në rrugën Drashovica, Lagje e Re , Vlorë. U rritëm në atë rrugë që do të ngelet në histori sepse aty u brumosën Akademik, regjisor, mjekë, piktorë, artistë, kërcimtarë, këngëtarë, instrumentistë, mjekë, futbollistë, mësues, inxhinierë, zanatçinj dhe sa e sa kuadro të tjera mjaft të talentuar që i dhanë vlerat e tyre në qytetin e lindjes, në të gjithë vendin, pse jo dhe jashtë kufijëve tokësor të Atdheut. Ashtu si bijtë dhe bijat e kësaj lagje, edhe Duro, nëse nuk e shkeli botën me këmbë, mendimi i tij dhe zëri përmes gazetarisë shkuan në të katër anët e rruzullit tokësor.

Arsimin fillor e tetëvjeçare kreu në Vlorën e Pavarësisë, në Vlorën e dy deteve, në shkollën “Naim Farshëri.”Arsimin e mesëm e kreu në Elbasan në shkollën pedagogjike”Luigj Gurakuqi”. Kreu me rezultate të shkëlqyera Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë , pranë Katedrës Gjuhë -Letërsi. Filloi punë, duke ushtruar profesionin e bukur e fisnik si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e lindjes. Qysh atëherë u dallua si aktivist në Orën Gazmoretë Vlorës, ku mes talenteve të qytetit, më përzgjodhi edhe mua, gjë që e forcoi shoqërinë tonë.

Duro nisi të shkruaj qysh kur ishte në bangat e shkollës.Ishte i shkathët, i qeshur dhe mik i të gjithë qytetarëve. Ndërkohë ai ushtroi gazetarinë, duke punuar redaktor i gazetës “Zëri i Popullit”,Kr/redaktor i Gazetës “Drita”, kr/redaktor i gazetës “Shqipëria “ për diasporën pranë Ministrisë së Jashtme. Së fundmi kishte dalë në pension dhe përsëri vazhdoi si kr/redaktor i gazetës “Hora”fillimisht, e më pas Revistës “Hora” Vranisht.

Gjatë kësaj kohe është marrë me gazetari, publicistikë, njëkohësisht dallohet edhe për një krijimtari letrare të pasur.

Ai është bashkautor i skenarit të filmit artistik “Gunat përmbi tela”, prodhuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”- 1976; libri “Edhe ti do bëhesh gjysh”,- 2005; libri me tregime “Vranishti në sytë e mi”libri me poezi ,”Udhëve të jetës” -2008; romanin “Nën qiellin e Prishtinës” (Ditari i një dashurie të përgjakur), 2009 ; ditarin familjar “Fëmijët që do bëhen gjysh”, 2009; albumi “Vranishti në fotografi” ; libri “Ne gazetarët e atyre viteve” etj.

Për punën e tij si gazetar dhe shkrumtar, Duro Mustafai është vlerësuar me tre urdhra “Naim Frashëri” (Kl. I,II,III). Bashkia Vlorë e nderoi Duro Mustafain me titullin: “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”.

Veç gazetarisë që ishte profesioni i tij i dashur, që i jepte jetë dhe letërsisë, Duro Mustafai mbi të gjitha ishte një vlonjat i mirë, një qytetari mirfilltë me shpirt të artë. Ai i donte njerëzit dhe këtë ndjenjë respekti e pasqyronte me buzëqeshjen e tij të përhershme. I qeshur dhe i interesuar për mirësinë e mbarëvajtjen e të tjerëve, i tillë do të ngelet në kujtesën e qytetarëve të Vlorës dhe miqve të tij në gjithë Shqipërinë.

Lamtumirë, shoku im i mirë i fëmijërisë dhe rinisë sime!

I shpreh ngushëllimet e mia të ngrohta familjes dhe veçanërisht bashkshortes së tij , Kates! T’i rrojnë fëmijët!

Të rrojnë dhe ta kujtojnë, bashkëshortin, babanë dhe gjyshin e mirë e të dhembshur! U prehsh në paqe, miku im, Duro!

Me dhembje dhe respekt të veçantë shoku yt,

Fitimi!

Vlorë, 22. 12.2019

Ps:Familjes së të ndjerit Duro Mustafai i dërgon me dhembje ngushëllimet e tij të ngrohta Prof.Dr.Eshref Ymeri, i cili m’u lut që ta kryeja këtë porosi, pasi banon në Santa Barbara –USA.

21 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page