top of page

FISI I QENVE


FASLLI HALITI

FASLLI HALITI

FISI I QENVE

Kur pashë disa qenë ne Paris,

Kur dëgjova lehjet e tyre

Rreth kullës Ejfel,

Në Shans Alize,

Thashë me veten time,

Me shumë pikëllim:

Fisi i qenve qenka kudo njëlloj në botë,

Lehka dhe kafshuaka kudo,

Me të njëjtin

Tërbim…

1986-2004, Nëntori

LUANI DHE KRIMBI

Luani

Nuk pret të bëhesh kufomë,

Ai të hidhet,

Të shqyen,

Të bën kufomë vetë

Në sulmin e tij ka egërsi.

Ka dhe dinjitet.

Krimbi

Nuk të hidhet

Ai pret të bëhesh kufomë,

Pastaj të hidhet

Krimbërisht të sulmon.

1988, Hosteni

ZHURMË

Para meje në rrugë,

Kaloi motoçikleta plot zhurmë

Dhe humbi mes kamionësh në muzg.

Ca krisma skapamentosh plot gaz,

Si uturimë reaktivi

La pas.

E pashë.

Eh, gjërat e vogla

sa zhurmë që bëjnë, thash…!

1963, «Drita»

NËNA

Si më the ashtu në çastet e fundit:

-Mbylle lesën, mbylle lesën…

Derën e apartamentit mbylla unë.

Më çove në fëmijëri,

Më çove në ato vite,

Kur më thoshe në muzg:

“Shko mbylle lesën, Çaçì!

Vrapoja unë në muzg,

Lesën e oborrit mbyllja me vrap,

Lesën e madhe thurur me rakit,

Dhe kthehesha rrugicës duke parë prapa,

Dhe futesha në prehrin tënd nga frika.

Po ti ike, moj nënë,

Ç’pate për të thënë i the të gjitha…

Kam edhe unë diçka për të thënë:

Nëse njeriu s’u ngopka me jetë,

Fëmija nuk ngopet me nënë…

1982,Drita

NIHILISTËT

Dhe ata

Të ulur mbi një lëndinë pranverore

Shanin lulet,

Barin,

Bletët,

Cicërimat,

Shanin këngën e laureshës, drizakut, bilbilit,

Shanin blerimin dhe kaltërsinë qiellore…

Ashtu të ulur mbi bar

Shanin pranverën,

Gjë nuk i linin pranverës pa sharë:

“Edhe kjo pranvera njëlloj na vjen për vit

Me lule, blerim, kaltërsi, cicërima zogjsh, zukatje bletësh,

Edhe fushat, edhe malet i mbush me lule, me bar,

Edhe qiellin na e bojatis me kaltërsi gjithmonë.

Tokën na e bën monotone

Dhe qiellin monoton.

Të kulluar…

Sfidante pranvera, në lulëzim harbon.

1972 Drita

UNË DHE BUROKRACIA

OSE

UNË DHE OLIGARKËT

Unë jam kont Ugolini

Burokracia,

Ruxhero

Është.

Unë si Ugolini

Kokën e Ruxheros burokraci brej

Dhe as lodhje,

As mëshirë s’kam,

Veç kënaqësi

Kënaqësi

Ndiej.

Petraqi

(Shefi im në komitet)

Si Ruxhero

I mbylli vitet e studimeve të mia

Në qelitë e sirtarit të tij

Shtatë

Vjet.

Të uritura vitet e studimeve të mia

Si djemtë e Ugolinit që prisnin një kore bukë

Prisnin një kafshatë leksioni.

Një racion libri të butë.

I ndjek studimet tani

(Me korrespondencë,

Kuptohet )

Ç’të

Bësh.

Leksionet shfletoj me njërën dorë.

Me tjetrën tund djalin

Që qan.

Dhe shkoj

Të marr qumësht për fëmijët

Herët në mëngjes atje në dyqan.

Shkoj në punë

Dhe vij nga puna

Faqet e librave përkëdhel së pari

Përkëdhel fëmijët në faqe pastaj

Dhe dal një xhiro me gruan pazarit.

Ja vetëm kështu unë ty

Ta ha kokën, moj burokraci.

1970, Nëntori

DJALI I SEKRETARIT

Ju jeni burra.

Mos e fusni djalin e sekretarit

klubeve, pasticerive, kafeneve.

Mos ia hidhëroni buzët me kafe,

mos i jepni cigare mefiltër,

mos ia zverdhni dhëmbët dhe gishtat,

mos e mësoni me birrë,

me verë,

konjak

raki .

Mos i flisni për vajza,për nuse, fejesë.

Ai ende është i ri,

pastaj vajzat tuaja do ta gjejnë shokun vetë.

Ju jeni pleq.

Mos dilni me të pazarit përnatë.

Djali i sekretarit nuk është vaksinë,

nuk është tel përçues i tensionit të larrtë.

KUNDËR SHTEGËVE

Nuk lulëzojnë në gjuhën time rrokje:

Lejlekër

Dallëndyshe,

Të tjerë shtergë

Që emrat s’jua di,

Ju atdheun e lini në dimër,

Në breshër

Në borë

Llohë

Baltë

Dhe shi

Dhe pas pranverave vraponi, bridhni,

Pas pranverave kokën lini...

1966, «Drita»

SHOKËT

Nuk ndryshket doreza e derës sime,

Nuk e lënë shokët të ndryshket asnjë çikë,

Duke e prekur me duart e tyre

Çdo orë,

Çdo ditë.

Hollohet prej duarve të shokëve

Doreza e derës sime,

Çdo ditë,

Çdo orë.

Dhe merr ajo prej duarve të shokëve

Një shkëlqim vesor.

1984, Zëri i rinisë

TOPAVE MBRETËRORË TË DURRËSIT

Si s’u nodez baruti juaj,

Nga shkëndijat

E syve

Tanë?

Si s’pëlcitën kapsollat e gjyleve të topave

Ditën e pushtimit fashist italian?

Por

S’kishte sesi,

Gjithë urrejtjen,

Gjithë inatin dhe mërinë,

Ju e kishit shfryrë kundër popullit o topa mbretërorë,

S’ju kish mbetur gjë për pushtuesfashistëzinë,...

1988, «Nëntori»

NËJ PYETJE SHOKUT GETE

Gjithë bota po të uron ditëlindjen,

Dikush të uron të bëhesh 100 vjeç,

Dikush të uron 100 shekuj përjetësi.

Unë s'të uroj, gjersa ti je i përjetshëm,

Për të përjetshmit

S'ka numra,

S'ka kufi…

Dikur shoku yt, Bethoven,

Të ka qortuar me indinjatë,

Kur ti e nderove me përulje perandorin.

Meqë ra fjala,

Zoti Gete,

Dua të të pyes,

Dua të të bëj një pyetje prej intervistori:

Si quhej,vërtet,ai, perandori?

1986, Drita

VETËDIJE

Për të kaluar vetëm të mirët mbi kurrizin tim

Unë mund të bëhem

Edhe urë

Dhe vig

Por në çast

Do të shembesha

Po të kalonte mbi të

Qoftë vetëm edhe një njeri i lig.

1990, «Nëntori

AJO

Ajo ecte, duke shkelur me këpucët e zeza dëborën.

Nëpër rrugë, sheshe, trotuare,

Të rinjtë qëllonin njëri – tjetrin me topa dëbore.

Djemtë qëllonin vajzat,

Vajzat djemtë,

Topat e borës ishin premtime të bardha,

Të qeshurat,Britmat gazmore

Ngrinin në ajër,

Ktheheshin në flokë bore.

Ajo priste ta qëllonin

Si dikur në rini,

Po askush s’e qëllonte

Sikur dëbora të ishte flori.

Fëmijët s’e qëllonin,

E nderonin si gjyshe.

Djemtë s’e qëllonin,

E nderonin si nënë

Po befas nga një top dëbore ajo u godit

Ajo u gëzua,

Ajo u trondit…

1987, «DRITA»

HARAÇI

Ndërhyra për nipin te profesori,

( Që të jem plotësisht i sinqertë )

I lypa profesorit

Për nipin

Një dhjetë.

Para profesorit

U zvogëlova,

Mora përmasat e një liliputi,

Humba jo pak në peshë,

M’u hollua zëri,

Harrova të folurit

M’u pre gjuha,

Belbëzoja,

Profesori mori përmasat e Guliverit,

Iu zgjeruan shpatullat, dhe gjoksi,

Iu trash zëri profesorit,

Mori përmasat

E Korabit

Zëri i tij oshëtiu si gryka e tomorrit.

Nipi fitoi një dhjetë,

Unë humba

Tonelata

Dinjitet...!

1986, «Nëntori»

KUSH DO TA ARRIJË

Mamanë dhe babanë

Ti i ke si perëndeshë Atena,

Odise të kanë ty

Ata.

Me ndihmën e një Rene e dogji Trojën Uliksi,

Shokun tënd të klasës me talent sipëranë

Ti e dogje

Me dy Athina.

Le ta shtyjnë varkën e paaftësisë tënde

Dy athinatë e tua prindërore

Me gjithë fuqinë,

Dinakërinë,

Shoku yt

I talentuar

Do ta arrijë Itakën e artit,

Ti

Kurrë nuk e arrinë...!

1988, «Nëntori»

FASLLI HALITI

REBELIMI I FSHATARËVE

Bujqit rebeluan kundër planit të shtetit

Kështu vendosën fshatarët të thoshin

Dhe kështu thanë:

Shoku Shtet,

Shoqja

Qeveri,

Ju na kërkoni

Të lajmë plan drithi,

Plan gruri, misri

Plan bulmeti

Plan

Fasulesh,

Plan thekre,

Plan tërshëre,

Plan vezësh, leshi

Plan mishi,

Drithi

Sepse

Do të hajë:

Ushtria, shkollat,

Çerdhet, kopshtet,

Udhëheqja, byroja politike…

Lëmi parë i misrit, grurit,

Lëmi i parë i vezëve të rosës, pulës,

Lëmin e parë të qethjes

Së bagëtive

Therjes së parë

Të qengngjave

Të deleve

Të kecave

Të dhive

Do t’ia dorëzoni Qeverisë

Do t’i dorëzoni Shtetit Socialist !

***

Dakord !

Shoqja qeveri,

Shoku shtet

Veç,

Na jepni

Farën e vezëve,

Farën e mishit,

Farën e leshit të bardhë,

Farën e leshit të zi,

Leshit Rud,

Deve.

Shikoni

Po s’harboi

Leshi i bardhë

Leshi i zi, rud, i butë

Shikoni po s’çelën vezët

Zogj të bardhë, larosh,

Zogj të kuq të zesë, të artë

Shikoni po s’harboi mishi i arave mbarë,

Po nuk vërshoi vaji, gjalpi, arave tona,

Shihni po s’u mbytën tokat në mjaltë

Shihni po s’u mbytën në qumësht

Kulloshtër, në gjizë, në djathë.

***

Arat tona u betuan

Para nesh,

Si ne

Para jush

Shoku Shtet,

Shoqja Qeveri.

Dijeni, mirë pra,

Po na dhatë farën që na duhet

Në arat tona, ju do të merrni

Ar

Flori

Që në lëmin e parë.

***

Po shteti socialist

Ishte syçelë,

Brisk

***

Prita gjithë natën babanë

As babai, as shokët

Rebelues të tij

S’u kthyen atë natë

Pas gjashtë muajsh plot

Do të ktheheshin ata në shtëpi…

***

Prita

Ditën e parë

Natën eparë

Javën, muajin e parë,

Muajin e dytë të tretë të katër

Muajin e pestë, të gjashtin, me radhë.

Vetë i lërova arat me plug dhe me parmendë

Vetë gjeta farën e leshit, mishit, vezëve;

Farën e qumshtit, gjalpit, mjaltit,

Farën e djathit.

Vetë mbolla,

Vetë korra

Vetë shiva,

Vetë blova...

Harboi arave

Leshi i zi i bardhë

Leshi rud i butë e gri

Harbuan vezët nëpër ara

Vezët çelën boçe të bardha

Në vend të zogjve të kuq, të zinj, të bardhë.

Qumshti djathi, gjalpi, përmbytën

Tokat tona mbarë.

Pagova planin e misrit, pambukut, grurit, fasuleve

Duke punuar gjashtë muaj ditë e natë me radhë…

Që babai të kthehej në shtëpi me plan të shlyer, të larë.

2016 -2019

0-2019



18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page