top of page

FILLI I NJERËZIMIT MUND TË ZGJIDHET ME NJË PUTHJE


FILLI I NJERËZIMIT MUND TË ZGJIDHET ME NJË PUTHJE

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Kisha harruar se filli i njerëzimit mund të zgjidhet me një puthje. Pas saj një buzëqeshje nuk është gjithmonë gjimnastikë për dietat e mollëzave. Dhe nëse tre miset e shpallura të shekullit të 21-të, Shavon, Elia, dhe Bela, do të uleshin pranë meje, të përfshira në duele gudulisëse, në majë të dialogut të mprehtë, asgjë e parashikuar nuk mund të më ndodhte! Sepse jeta është një eksperimentues i madh, që ndonjëherë është një gjë e mirë!

Jam gjithnjë e më i bindur se jeta është një eksperimentues i madh. Pikërisht kur individi, i lodhur nga konkurrimi me veten, dëshiron pak anonimitet, dhe shikon botën për një strehë të përkohshme nga legjenda e tij personale. Aty fillon loja e qenies. Me sa duket një provokim i pafajshëm për zemrën, ndoshta dhe për mendjen, por që në fakt është një shpëtim në kohë nga egoizmi i vetmisë së paguar shtrenjtë.

Sepse diferenca në çmimin e një kafeje të servirur në zemër të Sohos sigurisht që mund të variojë nga disa stërlina, në një miqësi përtej të tashmes. Në murgun e grimuar qiellor të shkurtit flirtues anglez, në mes të melodisë së mjedisit zhurmues, të panjohur, fillon pjesëmarrja ime në një film të ri me karshillëk Shën Valentinin. Me një fund të panjohur. I drejtuar dhe seleksionuar vetëm prej rastësisë. Pranë lidhëses së reve me gëzof në qiell, që më duken se nga çasti në çast do ti shkulin trëndafilat e kuq që i bëjnë karshillëk mbulesës së vogël të tavolinës, mbërrijnë pjesëmarrësit në këtë episod. Asnjë provë paraprake. Asnjë lexim i skenarit. Asnjë leksion për të mësuar hiret dhe skutat e edukatës. Dhe asnjë sugjerim i sigurtë. Aspak i përgatitur për kohën. As dhe për puthjet me stile e novacione.

Ka momente që nguliten në kujtesën fotografike të kujtimeve. Ka edhe nga ato që thjesht banojnë në thelbin e momentit. Që të mos harroj ama, se përkatësia ndaj njerëzimit nuk matet vetëm me detyrimet dhe taksat e paguara besnikërisht, i shkoj cep më cep prezencës. Ndjeva se nuk matet as me bamirësi anonime për të qetësuar ndërgjegjen e zhytur thellë në këshilla të denja morale. Nuk pashë asnjë klerik. Ndoshta, unë nuk pashë. Ndoshta dhe përtej asaj tjetrës, që kur të vjen puthja në buzë, apo dhe afshi nga gjysëmlakuriqësia në një ditë të tillë, o Zot, do të thuash, të kërkoj ndjesë që i kam lënë pas dore leximet e Librave të Shenjtë. Të kthehesh te vetja ndonjëherë do të thotë thjesht të kalosh përmes personit tjetër, nëse je mjaft me fat që ia ke hapur shpirtin. Është e rrallë, por përsëri ndodh.

Nëse jeni me fat, dhe nëse ndodh që miset si Shavon, Elia, dhe Bela, të ftojnë për një takim të vogël pasdite me një tavolinë të rregullt të mbushur me mikpritje, ju këshilloj të mos e refuzoni këtë shans në jetë.

- Pse i solle këto korosani? - Elia përkthen surprizën shanson të Belas, e zhytur në atmosferën e një pjatance të thellë me pamje diellore me rreze të arta, ku shtrihen të fryra e të freskëta disa korosani, që miqtë e mi nga Peja i quajnë kifle.

- Kështu bën kur pi kafe me miqtë e mi artistë në Soho?!

E sytë ikin në drejtim të paditur. Druhem nga rregullat. Druhem nga jeta. Druhem nga krahu im i djathtë, që më lejon të kaloj në një situatë tjetër. Dhe data e këtij muaji të shkurtër, më shtrydh sikur të ishte një perfeksion i paparë i një mjeti për shtrydhje limoni.

Përkujtimi i këshillave prindërore, i ndërgjegjes së magazinuar ndër vite, dhe kostoja e grumbullimit të rregullave nga të cilat sapo kam shpëtuar më bën të dridhem nervozisht në një të ftohtë të paqartë:

- Çfarë misesh? Çfarë korosanësh, çfarë kafeje? - E nxjerr hutimin si shpatë nga këllëfi,  kështu që mezi njihemi me individët që mbushin sallën përreth. Më duken ndryshe. Ndryshe nga sa jam gatuar në mendjen time për festivitetin anglez. Ne shkëmbejmë një „mirëmëngjes“ të thatë nëse përplasemi me njëri-tjetrin në trotuarët e ngushtë në mëngjes, dhe kjo konsiderohet e mjaftueshme për javët e ardhshme. Hajde, i them vetes, ti je edhe britanik, mos bëj sikur nuk e di se çfarë janë fqinjët anglezë!

Kaleidoskopi i kaltër blu-jeshile në sytë e Shavon, sy jashtëzakonisht të përzemërt, shkërmoqet në një të qeshur misterioze. Të treja pastaj ashtu me shkëlqimin e bardhë në gojë shkëmbyen fjalë të pakuptueshme me njëra-tjetrën. Të treja më ngjanin si korosanka të pjekura sipas një recete sekrete. Vizitat e syrit tim të majtë, se i djathti i kontrolluar, hynte shkitazi në rrethin e vogël shumëgjuhësh dhe ndjesitë tentonin të më kthejnë në një komplot të papritur, qëllimi i të cilit, i humbur në përkthim, mbeti i panjohur.

- Në Shqipëri kemi një traditë të tillë – hyj në një bisedë, krejt pa lidhje me atë që më ysht nga brenda, dhe dua që në një farë mënyre të shpëtoj e të sqaroj - kur mblidhemi me miqtë, të gjithë sjellin diçka që e vendosim në tryezë. Kështu i ndihmojmë nikoqirët dhe jemi të lumtur të ndajmë një vakt të përbashkët me ata që duam dhe me të cilët ndihemi mirë në këtë moment.

- Pra, ju jeni shqiptar? - rrezatoi Shavon - Dhe pyesja veten pse më pëlqeu kaq shumë që në shikim të parë.

Konfuzioni im është total. Diku, në dollapin e ngatërruar dhe rrëmujë tashmë të kujtesës sime, po shtypen pështymat e gazetave kundër „baticës“ së shqiptarëve me gomone në ishull. Rreshtat psikotike të „tatimpaguesve“ të tmerruar të „shqetësuar“ për komoditetin e vrimave të hobit të tyre të ushqyer mirë, janë të përziera me lutjet e fushatës drejtuar „pushtuesve“ për të lënë të qetë vendasit e denjë. Të urrejnë motin paraprakisht dhe të ktheheni diku tjetër, ku..., në fakt..., madje..., emigrantët anglezë... u gëzohen atyre?

- Dukesh tmerrësisht i hutuar - më kthen Shavon, e kompletuar me dy buzëqeshje elegante të Elias, dhe me një pjesë të përzemërt të buzëqeshjes me theks francez të Belas. Më lër të shpjegoj. Po, unë jam angleze. Me pasaportë. Sepse kam lindur në Brighton. Por gjenet e mia tregojnë një histori tjetër. Nëna ime është polake dhe babai im është një cigan hungarez. Para se të divorcoheshin jetuam në Paris, dhe unë preferova mbiemrin e nënës sime.

- Pse? – pyes, i habitur, tashmë të afërmen time të re në gjeo-gjak nga Evropa Lindore.

- Sepse asnjë nga prindërit e mi nuk më lejoi të flisja gjuhën e nënës, ose të babait. Mbeta mes tyre si një ishull. Dhe unë i quajta fjalët amtare në anglisht, aq dhe në frëngjisht. Por asnjë pemë nuk mund të rritet nga rrënjët e prera. Dhe gjuha e sforcuar, edhe nëse është e vetmja, mbetet gjithmonë e huaj nëse nëna, apo babai nuk të kanë mësuar me dashuri! Dashuri…, ah dashuri… Prandaj e harroj kaq shpejt këtu. E vetmja anë e jetës sime që më lejoi ta dua atë, është pra kthimi zyrtar tek mbiemri i nënës sime.

Mbi qafën e rrumbullakët blu prej kadifeje të Sohos varen yjet e tavanit magjepsës që shpojnë e ikin si një magji dhe që të kujtojnë bizhuteritë e mbrëmjes në qafat e buta e të lëmuara të miseve. Unë ngushtohem, saqë djersët e mia nëpër kofshë e bezdisin akoma më shumë gruan time, që më mban ritualin në krahun e djathtë, dhe kjo për praninë e të famshmëve dhe milionerëve. Dhe unë ia shtrëngoj dorën dashurisë sime, dhe në moment disi në mënyrë të padukshme bota e atjetejshme largohet nga unë. E pakuptimtë. E kotë. E menjëhershme...

- Kur të fitoj shumë para - thotë Shavon - do të blej një shtëpi në ndonjë vend të Evropës Lindore. Atje njerëzit bëjnë gjithçka vetë, me duart e tyre. Këtë dua ta mësoj edhe unë. Përndryshe, nuk kam si ta di se kush është në të vërtetë Shavon, kjo e ngatërruar gjeo-gjakërore, angleze e rritur në Paris me rrënjë në Euro-lindje.

Çfarë mendoni ju? Kush jam unë? – them me dy pyetje që ikin me nxitim nga stiva e angazhuar çrregullisht në mendjen time.

- Unë mendoj se ju jeni një person i vërtetë me fat. Sepse ju keni një zonjë reale, një dashuri të vërtetë në krahun tuaj të djathtë. Ju nuk keni asnjë dilemë që duhet të zgjidhni se kujt i përkisni.

Kur jeta, ai eksperimentues i madh, të takon papritur me një mik, është mirë ndonjëherë ta mbështesësh atë me një qetësues nga shpirti yt. I përçarë mes treshes, ende nuk harroj të falënderoj providencën që më takoi me njerëz të bukur por dhe të sinqertë, që në një rast tjetër do ti kisha gjykuar nga mishi, nga ndjenjat, nga… rastësia. Dhe në Soho, tashmë filmi im po shfaqej në ekranin që kishte mbledhur mjaft, më shumë se e kisha imagjinuar. Tashmë sytë e mi ishin në ekran dhe mendja ime kapërcente ngushticën për në Europë… Ime shoqe më shikonte me një rrezatim ndryshe. Ndryshe…

Unë i jepja vetes sime këshilla në heshtje. Flisja dhe këshilloja. Këshilla nga vetja për vetveten. Për dashurinë e kësaj dite të quajtur Shën Valentin. Dhe ashtu kisha ndjerë zjarrin në buzë prej buzëve që i kanë kaluar tridhjetë e pesë vitet në një mision të tillë me mua. E shijoja këtë Shën Valentin ndryshe. Ndryshe…

E kuptoja tashmë se dalja nga dimri politik nëpër botë dhe në shtëpi është një përpjekje gjigante për mendjen dhe shpirtin. Dhe këtë mund ta ndihmonte sadopak edhe filmi. E di që përditshmëria është një ngjitës në mendime dhe arsyeja e vonuar është një ndjekje e një emocioni rrëshqitës. E di! Megjithatë, edhe kjo do të kalojë. Thjesht duhet të mësoj të tërhiqem nga këneta në miniaturë e zvetënuar nga tundimi. Si kërkuesi im i preferuar i së vërtetës, Baron Munchausen, i cili gjithmonë arrinte të gjente një rrugëdalje, që e bëri dikur tek Aventurat e Baron Munchausen, që është një film fantazi aventureske e vitit 1988. Nëse duhet, përtej realitetit. Në një qytet evropian pa emër të shkatërruar nga lufta në „Epokën e Arsyes“, mes shpërthimeve dhe të shtënave me armë nga një ushtri e madhe osmane jashtë portave të qytetit, po zhvillohet një prodhim fantastik në skenë i turneut të jetës dhe aventurave të Baron Munchausen. Në një kuti teatri, kryetari i bashkisë, Horatio Jackson, përforcon përkushtimin e qytetit ndaj arsyes duke urdhëruar ekzekutimin e një ushtari, që sapo kishte kryer një trimëri gati mbinjerëzore, duke pretenduar se trimëria e tij po demoralizon ushtarët e tjerë dhe qytetarët.

Të ec përpara kur dekurajimi më rrënon shpirtin, ka nënkuptuar gjithmonë të dal në rrugë për veten, për familjen. Është si të gjesh një lëkurë gjarpri në trotuarin e opsioneve të rraskapitura, fjalëve të thëna dhe përsëritjes së tmerrshme të situatave në të cilat nuk dua më të marr pjesë. Sepse jam lodhur duke përsëritur të njëjtat rreshta. Sot është 14 shkurt dhe shija vjen erë misesh.

Dhe kthej sytë nga salla. Shikoj. Shikoj tashmë se Shën Valentini është si një grusht rruzash në shishen e Shampanjës që gati shpërthen. Koha është larguar nga dhoma e zhveshjes sime dhe është spërkatur me bulëzat e saj. Në një botë ndryshe, trëndafilash, lulesh dhe kilometrash të ftohtë deri në stinën e zgjimit. Nata ka një fillim të shkëlqyeshëm. Atëherë ka shumë të ngjarë të marr pjesë në një mrekulli, mbi të gjithë mrekullitë në këtë puthje kaq të nxehtë të gruas sime. E ngatërruar, fill i ngatërruar. Kisha harruar se filli i njerëzimit mund të zgjidhet me një puthje. Eh, si të hap fletët e palexuara Shën Valentini, eh…

45 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page