
Sytë zbuluan hirin e rezidencës së moralit,
më të butin, më enigmatikun e racës së hershme,
shenjat e fosileve rrëmonin përcaktimin e fatit
miteve alegorike që portretizojnë kafshë dhe insekte,
para syve ngadalë nëpër kopshtin e mbipopulluar,
këmbët rrokullisnin enigmat nën dhe mbi vete.
Morali përgojonte Botën në gjumë me duart e shtrirë,
i mbuluar si të pasmet me shkëlqim të zebrës,
qielli pa avionë rrethonte qafën e tokës së ngrirë
Ezopi vetëm ai shkulte dashuritë prej zemrës,
rikrijonte tregime të zeza për disa fëmijë
që enden në një korije të magjepsur hera-herës.
Ezopi modern riformatoi Breshkën dhe Shqiponjën,
fiksoi në Zoom edhe Breshkën dhe Lepurin,
e kështu mendoi të riformatonte njeriun me Botën,
ridimensionoi dhelprën, karkalecin, majmunin,
mendoi të shkruante ndryshe dhe qasjen me kohën
për bretkosa, mace, qen, milingona, gaforre, për fundin.
Fundin e kishte më problem me Njeriun
truri i tij ishte fryrë me animizëm
në mendje i erdhi një ide e hershme me miun
mendoi t'i bënte heshtazi një klizëm
por sytë e tij të maskuar ngatërruan ariun
maskat kishin prurë pa kuptuar fetishizëm.
Nuk mundi të dallonte prej sikletit
miun e vogël të hutuar vetë Ezopi
lumi bënte gala të harbuar me peshqit
kali hingëllinte nuk shkonte te i zoti,
ajo që bënte muzikë iku në bark të detit
zogjtë kafshonin qiellin kot së koti.
Koha transferohej në heshtjen e saj
loja me macen e miun nuk gjente më vrimat
vdekja shëtiste me dhe pa funeral
muret ishin dobësuar nga frymërat
njeriu kishte strukur njeriun nën maska
dhimbja pëlciste si përplasjet me varka.