top of page

Fenerët e duhur narrativë për kohërat e trëndafilave të Ballkanit


Nadire Buzo Nura
Prof Dr Fatmir Terziu

Hyrje


Në romanin e Nadire Buzo Nuras, „Trëndafili i Ballkanit“ (2019), realiteti nuk ndjek një rrëfim të drejtë. E prekshmja fiktive humbet në hapësirë. Fugë psikogjene. Rendja është si një faktor, bindet ndonjëherë dhe të tjerët, lexuesit, ndjekësit e këtij faktori, dalin nga gardhi dhe sillen të kuptojnë jashtë tij për jetën e një zone, për fatet e një të tëre në ekzistencë, për mitet dhe legjendat që përbëjnë ecjen e Njeriut, fati i të cilit nuk përcaktohet nga koha në pakohë, as nga emri dhe rrjedha në pasojën e vetë emërtesës. „Kuriozitari“ në rolin e protagonistit, natyrshëm mes narrativit ka një emër, që sillet nën vetë këtë udhë të diktuar nga rrethanat, që shkon në skutat e rrëfimit nga kënde historike, që depërton tek ajo që fiksohet, ndoshta jo pa qëllim, në realitetit e vetë emërtesës, Ilo. I tillë, me peshën e njëzetë viteve, ai është vetë lapsi e letra e narratorit, me të cilin udha e përshkrimit shkon në pika të ndryshme, gjeografi lokale e më gjerë, ku herë kërkonte një burim me ujë të ftohtë dhe një vend të qetë në atë vapë mes gushti, e herë teksa kalonte urën e lashtë të atij qyteti, ku shihte nga larg një gjelbërim të rrallë, aty ku ai zbriti poshtë, pikërisht aty, ku gurgullonin ujërat e Zallit të Zi e burimet e Zallit të Bardhë. E kështu stilimi gjeografik, sa dhe ai fizik i protagonistit „i gjatë, me duar dhe trup të fuqishëm, flokët ngjyrë gruri dhe sytë blu si qielli, askush nuk do ta besonte se nuk ishte mirë me shëndet“ e bëjnë qëndisjen e këtij artefakti një telajo ku sytë e lexuesit janë dyfish-synimi i piktorit që e realizon dhe pret Tjetrin të përhumbet në të.


Kur trazohen gjuhërat


Jo më kot që në hyrje të këtij libri nëna, gjuha, memorja me të, e thëna dhe e qëndisura për F.XH. janë një sitë që kërkon dhe përkon jo rastëisht me arsyen e sitës kulturore të asaj që trazon këtë zonë, të asaj që struket në panjohje e që stigmohet në jo pak raste me fate gjuhe e gjuhësi në dykëndvështrime. Kjo i para prin lëndës që shkon në rrjedhat historike, si qasje e vetë strukturës së memorjes, ku ana kulturore pëson vetë pasojën që duhet dhe krijohet për të ndërtuar një strukturë tërheqëse, të normës më të ndjeshme e më arsyetore. Emrat arsyetorë që vijnë nga e shkuara, emërtesat dhe lidhjet e domosdoshme gjeografike, natyrshëm janë një proces i domosdoshëm, ku kumtohet vetë thelbi: „Strategu u tregoi luftëtarëve të tij, se ky qytet dikur quhej “Orvenik”. Shekuj më parë, kishte qenë qytet ilir i dëgjuar, që nga të huajt dhe krahinat e tjera thirrej “Oranik”. Ishte një qytet i ngritur në një shesh të gjerë, rrethuar me kodrina e më tej me male të larta. Qytetërimin e tij të lashtë e dëshmonin, kishat e varret rrotull saj, urat dhe gërmadhat e lashtësisë dhe rruga “Via Egnatia” që kalonte përmes tij. E tashmë vendasit e quanin Orvenik. U tha gjithashtu, se kjo rrugë, nga e cila kishin ardhur ushtritë armike, ishte udha e moçme, “Via Egnatia“, e cila niste nga bregu i Bosforit dhe përshkonte bregdetin thrak, madje Selanikun (Thesaaaloniki) e dilte në Manastir (Heraklea). E prej këtej, zgjatej për Ochrida-Lychnides (Ohër), ulej në Scampa ( Elbasan) e kapte Epidamnos-Dyrrachium (Durrësin).“

Në këtë arsye, sa narrative, aq dhe arsyetore, protagonisti qas atë që duhet për të bërë narrativin më tërheqës, më interesant, nga vetë forma e të shkruarit, që i ngjan një skripti, i cili pas këtij leximi pret detyrën tjetër, atë që qasjes vizive“ „Në atë kohë, nga udha e lindjes Stamboll-Durrës, Via Egnatia shkëputej një degë në drejtim të Uskana (Dibra), e cila tue nis nga Ochrida(Ohri) kalonte nëpër katundet e Trebishtit. Kalonte livadhit të fushës së këtij qyteti, e prej këtej hynte në ngushticat e grykës së Drinit të Zi, e tue ndjekë këtë vazhdonte përbri Albanopolisit (Jabllanica), e arrinte në katundin Modrisa (Modriç), prej nga vazhdonte grykës së Drinit, përballë Sfetigradit, (Koxhaxhikut) për në katundin Ottoneta (Otishan). E, mbasi kapërcente Urën e Spilesë (Skiles) mbi lumin Drin, hynte në qytetin Uscana (Dibër). Prej aty në vendin e quajtur “Grad” (qytet), vazhdonte grykës së “Zallit”, në drejtim të fushës së Valkalis. Kalonte në katundin Borovë, në drejtimin ku zinte fill gryka e Zallit të Bardhë, dhe përshkonte mes përmes Orvenikun.“

Kështu lexuesi i vëmendshëm lexon dhe njëkohësisht udhëton në rrjedhat e një forme vizive, doku-film, ku tërë vlerat kërkojnë më shumë sy, më shumë vëmendje. Në këtë pikë duket se që në kapitullin e parë autorja ka ditur të zbërthejë më interesanten, më të domosdoshmen e një narrativi që duhet të lexohet dhe të mbetet njëkohëisht për një kohë më të gjatë, ndoshta edhe në një arsye të domosdoshme për kulluar mjaft panjohuri të tjera në këtë pozitë.

Edhe pse në narrativ Skënderbe, Skanderbeg, ap Skandarbeg, bën një trio shqiptimi, synimi i autores shkon po aq tek trazimet gjuhësore, sa edhe tek interesi i „të qënit luftëtar i Skënderbegut“ ku kuptohet fare qartë pse gjuhërat kanë këtu një rëndësi „Ai e falënderoi dhe përsëriti emrin e tij, Ilia, Ilo. Kur po largohej, pa se në ballkonin e shtëpisë kishin dalë të dyja gratë dhe fëmijët. Djali ne krahët e gjyshes, vajza në krahët e së resë dhe më e rritura në mes tyre. E përshëndetën me dorë duke thënë emrin e tij krejt ndryshe, Lilooo!“


Luftërat dhe fatet njerëzore


Narrativi udhëton mes kohërave në rrjedha të ndryshme. Në këto rrjedha janë luftërat që ekzekutojnë dhe përcaktojnë, jo vetëm fate rrjedhash, por dhe vetë fate njerëzore, „Luftërat e njëpasnjëshme për liri dhe për të mbijetuar e kishin topitur këtë popull“. Në këto rrjedha pas-luftërat shënonin lëvizje, migrime, dhe burrat natyrshëm iknin më tutje të siguronin jetën për të dashurit e zemrës. Aty „gratë dhe vajzat e fshatit ndjenin ngrohtësinë e beharit dhe afshin e pjalmit të luleve. Rrisnin fëmijë dhe ëndërronin një jetë të bukur nga dehja e natyrës. Ndërkaq, burrat së shumti ishin të mërguar. Ata punonin, në qytete e vende të largëta për të rimëkëmbur ekonominë e për të përballuar vështirësitë e jetës. Rindërtonin shtëpitë, sa herë shkrumboheshin nga fqinjët e këqij grabitqarë. Shpesh gjendeshin nëpër luftëra, sa herë e kërkonte vendi. Ktheheshin në familjet e tyre, sa herë u jepej mundësia. Lëronin tokën me parmendë, e kositnin barin. Prisnin drutë në mal dhe bashkë me gratë e tyre mbillnin farën e bereqetit dhe të së ardhmes.“

Kështu fati dhe rrjedha e jetës së Fatës, një vajzë e bukur e shkathët, punëtore dhe me shpirt të madh, siç ishin vajzat e atyre anëve, apo ajo e Hamzait, e mjaft të tjerëve, derisa kufinjtë e trembëdhjetës shënuan fate të tjera. Ndaj autorja shprehet qartë se „shumë vajza të martuara, andej e këndej kufirit, u plakën dhe vdiqën pa i parë prindërit e tyre. Gruaja e Xhevair Dishës, Qerimja gjithë jetën e shkoi me sy të përlotur. Ajo hipte në majën e Raduçit, shikonte Jabllanicën e bukur dhe shtëpinë e saj, po njerëzit nuk i takoi dot“ etj.

Ekonomia dhe situatat e kohërave të tjera, qoftë ato në kohën e Zogut, apo dhe në forma të tjera qeverisëse, si dhe Shqipëria e pasluftës, shkojnë në tipologji të shtjelluara ndjeshëm narrative. Këtu libri merr formën e një narrativi historik, ose më saktë libri fokusohet tek historia narrative. Historia narrative e lejon tekstin të zotërojë artin e tregimit të mirë që qëndron në zemër të historisë më tërheqëse. Me pak fjalë, historia narrative kërkon të tregohet një histori: kur, ku dhe (me shpresë) pse ndodhi një ngjarje e caktuar, domethënia ose konteksti i saj më i madh dhe kush ishin pjesëmarrësit e rëndësishëm.

Ky është një nga qasjet më themelore të ideve që hasen, ndaj vetënarrativi bëhet i përshtatshëm për (megjithëse nuk angazhohet në shumë detaje) një detyrë të shkurtër narratore. Në kontekstin e tillë libri duket tashmë që ka mbuluar ngjarjet me të cilat ushqehet fokusi i rrëfimit.


Mbylljet


Mbylljet si të tilla në kuptimin më të fuqishëm logjik prodhojnë zhdërvjelltësi identitesh, trazim kulturash, mplekse dhe ngrirje demonike të arsyeve. Sipas autores „Mbyllja e kufijve, shkaktoi shumë dhimbje dhe lot për banorët e atyre anëve, por shtigjet e shpirtit nuk u mbyllën dot. Ata gjenin hapësira ndër male, në skërkat e udhëve të pashkelura, në grykat e lumenjve, në të gjitha udhëkryqet që kalonin për tek malli dhe dashuria e madhe“, sikurse ishte miqësia me Klime Lokoskin dhe familjen e tij e tj. Por jeta vazhdon, duke rikrijuar plagë dhe dhimbje të tjera. Ajo bredh tashmë si vetë jetarat e tilla me një çantë më të vogël në një gjeografi të brendacaktuar. Në këtë gjeografi ndodh të nakatosen shumë gjëra, por dhe të humbin e të pësojnë fatet e kukullave. Kukullat janë vetë pasoja e mbylljeve: „Kukulla ime i kishte flokët të kafenjta, si unë, dhe fustanin e kishte jeshil me lule të vogla rozë. Kukulla e motrës, ishte paksa bionde, me flokët ngjyrë gruri si ato të sajat, dhe fustanin e kishte bojë rozë me lule të vockla jeshile. Atë që kishin të përbashkët dhe më tundoi mua tërë jetën ishte: era e mirë, që nuk munda ta harroj dhe ta krahasoj me asnjë tjetër. Ajo nuk ishte as aromë trëndafili, as karafili e as manushaqeje, jo! Ishte një erë shumë e veçantë magjike e çudibërëse, që nuk kishe ku ta gjeje, e nuk ngjante me asnjë në botë. U rrita, ngjyra jeshile më përndiqte ngado, dhe flokët kafe po ashtu, por erëmirën e saj nuk e gjeja dot. E kërkoja gjithandej, por në formën e kukullës erëmirë. U merrja erë kukullave në dyqane e nuk dija ta shpjegoja asnjëherë atë aromë. Ja ngjita gabim emrin “erë kauçuku”, sepse atë erë kishte lënda plastike e butë viskoze, me të cilën ishte prodhuar kukulla ruse erëmirë. Era e saj nuk m’u shua nga kujtesa kurrë, as kur kaluan vite e vite...“

Në këto mbyllje transferimet, lëvizjet me shkas e pa shkas natyrisht rifreskojnë arsyen e terminologjisë „humbje“, diku në këtë mënyrë humbjet janë dhe për kukulllat.


Konkluzion


„- Po vajzat, sa lekë janë? -vazhdonim të pyesnim ne.

–Vajzat janë të lira, kushtojnë vetëm pesë lekë. “-Sa një akullore!”, -fola me veten unë.“, ndoshta do të ishte konkluzioni më i mirë i një narrativi të tilë fluid, tërheqës, me një gjuhë të qetë e të pastër narratore, që shkon e gërmon deri në thellësi të panjohura e më pas duke kapërcyer mjegullat e shumta, kërkon të gjej fenerin e duhur për të ndriçuar. Në mes të kësaj drite janë ndoshta jo pa qëllim vetë trëndafilat e Ballkanit. Ku janë ato sot? Ku shënohen fatet e tyre? Natyrisht vetëm leximi i këtij romani të jep shansin të kuptosh fatet e Njeriut.

146 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page