top of page

Fatmir Terziu: Zëri intelektual dhe akademik i narrativit çam

Resmi Osmani – Zëri intelektual dhe akademik i narrativit çam


 Nga Fatmir Terziu


Prof. Dr. Resmi Osmani u lind në Mazrek të Çamërisë më 5 maj 1940, në një familje me tradita patriotike e atdhetare. Historia familjare e tij është e lidhur ngushtë me identitetin dhe fatin tragjik të Çamërisë: gjyshi i tij është dëshmor i lirisë, ndërsa i ati u ekzekutua në masakrën e Filatit në vitin 1945, në moshën 32-vjeçare. Kjo trashëgimi dhimbjeje dhe qëndrese do të formësonte më vonë dimensionin njerëzor, etik dhe krijues të vetë Osmanit.

 

Formimi profesional dhe karriera institucionale

 

Studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Bujqësor të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1963, duke u diplomuar në degën e Agronomisë. Pas diplomimit, mbajti një sërë detyrash të rëndësishme në sektorin e prodhimit bujqësor dhe në administratën shtetërore, duke u afirmuar si një profesionist i përgatitur dhe drejtues kompetent.

Paralelisht me punën institucionale, Osmani u përfshi në mënyrë aktive në kërkimin shkencor, duke shkruar e botuar 19 libra tekniko-shkencorë, si dhe mbi 150 artikuj në periodikun shkencor dhe publik, brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i tij shkencor kap mbi 3000 faqe, çka e bën një nga specialistët më prodhimtarë të fushës bujqësore në dekadat e fundit.

Për veprimtarinë e tij shkencore dhe akademike, mban gradën “Doktor i Shkencave” dhe titullin “Profesor”.

 

Kthesa letrare: Letërsia, estetika dhe publicistika

 

Në gjysmën e dytë të viteve 2000, Resmi Osmani iu përkushtua letërsisë artistike, eseistikës, kritikës së artit dhe publicistikës, duke hapur një kapitull të ri në krijimtarinë e tij – një kapitull që do ta afirmonte si një nga zërat e rëndësishëm të kulturës shqiptare bashkëkohore.

Nga ky etapë krijuese kanë dalë një sërë veprash me karakter biografik, historik dhe estetik, ndër të cilat spikasin: “Jeta e Bedri Lumanit”/“Lule në gur”, kushtuar specialistit të njohur të vreshtarisë Todo Gjermani/“Mbretërimi i Pirros së Epirit” (roman historik, Luma Grafik, 2010)/“Mbretëresha Olimpia”/“Aleksandri i Madh i Maqedonisë – Miti dhe njeriu” (esse historike)/“Bilal Xhaferri – Poeti i zemrave njerëzore”/“Ëndrrat e ngrira të Enver Kushit”/Vëllimi me tregime “Edhe yjet vdesin”

Në fushën e publicistikës ka botuar qindra shkrime, ku ka trajtuar: çështjen çame dhe pasojat e genocidit ndaj saj, zhvillimet e letërsisë shqipe, problematika aktuale shoqërore e kulturore.

Në median e shkruar dhe elektronike ka publikuar mbi tridhjetë tregime dhe novela, të cilat janë pritur mirë nga lexuesit dhe kritika.

 

Etika si themel i figurës publike dhe intelektuale

 

Në biografinë e tij njerëzore e shoqërore shënohet fakti se gjatë një jete disa vjeçare në Shqipëri – pavarësisht sfidave të një sistemi represiv dhe të realiteteve të vështira – Resmi Osmani nuk ka regjistruar asnjë shkelje morale, familjare, politike apo profesionale. Qytetaria e tij e qetë dhe e pandikuar nga servilizmi i kohës mbetet model integriteti personal.

Ai njihet për natyrën e tij komunikative, për ndarjen e hapur të shqetësimeve shoqërore dhe profesionale me kolegët dhe komunitetin, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në debatin publik.

 

Proza dhe kultura narrative

 

Talenti letrar i Osmanit, i lindur në fëmijërinë e rëndë të karvanit çam që largohej nga Greqia drejt Shqipërisë, u formësua më tej nga përvoja e gjatë jetësore dhe profesionale. Brenda kufizimeve të diktaturës ai përvetësoi një kulturë të gjerë humaniste, e cila më pas ndikoi thellë në formësimin e tij si prozator.

Osmani zotëron teknikën narrative, ngjyrimin emocional dhe intuitën e rrëfimit, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të spikatur të prozës historike që nga vitet ’90. Vepra të tilla si “Lule në gur” e “Jeta e Bedri Lumanit” janë konsideruar portrete letrare me vlerë të veçantë njerëzore dhe artistike.

 

Trilogjia historike dhe vepra të tjera narrative

 

Dalja e tij në skenën letrare me tre romanet historike, të cilët më vonë u plotësuan në një trilogji mbretërore shqiptare, u prit me interes të veçantë nga kritika dhe lexuesit. Përmes këtyre romaneve, Osmani rikthen në vëmendje figura dhe periudha kyçe të historisë shqiptare të lashtësisë, duke kontribuar në rivlerësimin e identitetit kombëtar.

Më pas botoi romanin “Ditët e pasme të mbretit Gent”, si dhe veprën me tematikë bashkëkohore “Koha e çudirave”. Në total, Osmani ka botuar pesë romane, katër prej të cilëve i kushtohen historisë së lashtë iliro-shqiptare.

 

Resmi Osmani: zëri akademik i narrativit çam

 

Me veprimtarinë e tij të shumëanshme – si profesor, shkencëtar, romancier, tregimtar, eseist, estet dhe publicist – Resmi Osmani ka ndërtuar një profil të rrallë intelektuali poliedrik. Ai është një zë përfaqësues i kulturës dhe historisë çame, një autor që ka ditur të ndërthurë kujtesën kolektive me rigorozitetin shkencor dhe me finesën artistike. Vepra e tij e gjerë dhe e shumëllojshme e legjitimon atë si një ndër zërat më të rëndësishëm të narrativit çam në kulturën shqiptare, si dhe si një personalitet që u jep dinjitet historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar.

3 Comments


 Resmi Osmani
Nov 27, 2025

I nderuar Prof.dr.Fatmir Terziu

Dje, sapo hapa në kompjuter "Fjalën e lire"-gjë që e bëj përditë-hasa essenë"Zëri  intelektual dhe akademik i narrativit çam" që ma kishit kushtuar mua. E lexova me një frymë dhe të them te drejtën u ndjeva mirë, duke vleresuar gjithçka vinit në dukje për personin tim. Dhe kjo ngaqë këto konsiderata, shprehen nga një personalitet i shquar i kulturës dhe publicistikës bashkëkohore shqipotare, që "Fjalën e lirë" e ka kthyer në tribunë të mendimit intelektual shqiptar.

Me mirënjohje dhe falnderim të veçantë,

   Resmi Osmani

Tiranë, më27.11.2025

Like

Hekuran Halili
Nov 26, 2025

Nje shkencetar, nje profesor, nje studjues, nje kritike letrar, nje krijues i talentuar, nje prind e familjar shembullor, nje njeri i mrekullueshem, nje atdhetar i rralle, nje mik i imi i mrekullueshem, ky eshte Resmi Osmani per mua! I uroj shendet atij dhe familjes se tij, i uroj krijimtari se ende ka per te na dhene thesare nga shpirti i tij qe nuk shterron! Te falenderoj i nderuar miku yne Fatmir Terziu per kete publikim!

Like

Guest
Nov 26, 2025

Respekte për ju profesor Fatmiri, që vlerësoni figura të shquara nga të komunitetit çam, intelektualë etnikë shqiptar.

Fahri Dahri


Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page