Fatmir Terziu: Vlera dhe vepra e Fatmiroshe Xhemalaj do të mbahen mend gjatë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 minute ago
- 2 min read

Humbja e poetes, botuese dhe shkrimtares Fatmiroshe Xhemalaj
Largimi nga jeta i poetes, botueseve dhe shkrimtares Fatmiroshe Xhemalaj është një prej atyre dhimbjeve të ndjeshme. Është një humbje e ndjeshme për letërsinë, për botën e librit dhe për kulturën shqiptare në tërësi. E kam pirë një gotë ujë me të, siç i thonë në anët tona. Dhe kemi biseduar për libra, kulturë, art e histori. Biseda të thjeshta në dukje, por të thella në përmbajtje, që mbartnin qartësinë e një mendjeje të formuar dhe pasionin e një shpirti që jetonte me librin. Në këtë frymë miqësore e profesionale, ajo u bë promotorja e botimit të librit tim “Rrëfenjat e Xha Avramit” pranë Shtëpisë Botuese “Filara”. Libri u përzgjodh për Konkursin Letrar Kombëtar, u shoqërua me skicime profesionale nga piktori Skënder Kamberi dhe me shënime kritike nga poeti i njohur Faslli Haliti. Ky proces nuk ishte thjesht botim, por një akt përkujdesjeje kulturore, ku vizioni i Fatmiroshe Xhemalajt për librin si vepër e plotë u ndje në çdo detaj.

Fatmiroshe Xhemalaj ishte gjithashtu pjesë e një rrethi të nderuar intelektualësh, përkrah emrave si Neritan Ceka, Shaban Sinani, Arben Puto, Valentina Duka dhe Ana Lalaj, si anëtare e komisionit të ekspertëve që shqyrtuan tekstet shkollore të historisë, veçanërisht në pjesët që trajtonin marrëdhëniet greko-shqiptare. Ky angazhim dëshmon seriozitetin, përgjegjësinë dhe integritetin e saj profesional. Përkujdesja, gjuha e radhë, stili, veçoria e figuracionit dhe shumë elementë të tjerë, që ajo dinte t’i vlerësonte dhe t’i nxirrte në pah, zhbirojnë deri në themel anën profesionale të paraqitjes së librit. “Rrëfenjat e Xha Avramit” erdhën si një risi me filozofinë e tyre të veçantë, duke prodhuar anën më dalluese të fjalës së bukur artistike. Një arkitekturë e plotë narrative, ku mesazhi qëmton rrënjën, tabanin, kulturën dhe identitetin tonë.
Në këtë përballje profesionale me traditën, postmodernja e stilit ngrihet si një dialog i qartë me filozofinë e rrëfenjës, duke lartësuar dimensionin e mendimit dhe duke i dhënë vepres një këndvështrim të ri. Kështu, libri krijon një kënd kulturor nga ku shihet qartë koha, hapësira dhe vendi, ndërsa krenaria e të qenit shqiptar dhe e gjuhës shqipe shpaloset me dinjitet. Fatmiroshe Xhemalaj nuk ishte vetëm një emër në botimin e librave apo në poezinë shqipe; ajo ishte një mendje e kthjellët, një ndërmjetëse e ndershme mes autorit dhe lexuesit, një zë i qetë por i qëndrueshëm i kulturës. Vepra dhe kontributi i saj do të mbahen mend gjatë, sepse janë ndërtuar mbi përkushtim, dije dhe dashuri të vërtetë për fjalën e shkruar.
U prehtë në paqe. Fjala dhe drita që la pas do të vazhdojnë të flasin.









Comments