Fatmir Terziu: Vizitë Atdhéut...
- Sep 1, 2025
- 2 min read

Vizitë Atdhéut. Vizitë? Po për pak ditë. Vizitë që më yshti të „buzëqesh“. Vizitë nën sinfoni teneqesh. Mijëra metra katrorë teneqe. Mijëra metra katrorë letra. Mijëra metra katrorë urdhëra. Urdhëra nga lart, urdhëra nga poshtë. E vizita thjesht një gozhdë. Një gozhdë mes teneqeramës që të bën shoshë. E vizita thjesht një buzëqeshje bosh… Gjithësesi, i dashur lexuesi im, i shtrenjti adhuruesi im, po të përcjell disa vargje nga kjo vizitë, duke shpresuar që ti shijosh, jo thjesht të më mirëkuptosh.
BUZËQESHJA NË TENEQERAMË
Nga Fatmir Terziu
Po ia hoqe një kopsë rrobes së saj tradicionale
edhe po s'pate një sy në të thjesht për kurreshtje
të mbeti në dorë si një copë e grisur banale
me sqimën e tendosur gjithë urrejtje
dhe grahmën e zhurmshme të teneqeve lokale.
Po ta vëzhgosh,
sepse edhe mund të mos e dallosh si të tillë
mund ta diktosh përshembull si një lëvozhgë,
pas ndonjë targe të ndonjë makine të fryrë,
nga trupi i hollë që e mban mbi gozhdë,
Tjetrin, atë zyrtarin e ndyrë.
Buzëqeshja nuk është thjesht një pengmarrje
mbi buzë të huazuara nga revistat e modës
as ndonjë kërkim për të ndryshuar fate,
kalkuluese, zhbiruese e qoshkave të Botës,
edhe kur dy trupfrymorë i bën bashkë
thjesht në teneqeramë u ngjan fluskave të gotës
që enden lajthitjeve si ethet e arit në Alaskë.
AGRESIONI XEHEROR
Ku i pikon çatia një shtëpie që s'njeh shi
për t'i parë trarët ku janë kalbur
kur natyrshëm aty s'ka as dhe një sy
thjesht, pra, fare thjesht gjerbën për ta pikasur?
Me çdo ngjashmëri duhet të jetë ndonjë atavizëm
ndoshta dhe ndonjë gabim erotik njerëzor
pikat e rrejshme po pshurren me fanatizëm
nga këmbë merimangash mbi agresionin xeheror.
VELENCA E PADUKSHME
Ku buron zhurmëria njerëzore për të gllabëruar
për të mos ia ndalur oreksin tjetrit
gjithçka duhet ndërtuar, gjithçka duhet shkatërruar
për ta kuptuar „pordhën“ e më të vjetrit,
(sa shumë kemi trashëguar?!)
Me siguri është ndonjë farë nga mbetjet e Edenit
(velencat e padukshme që mbetën në histori)
kur dikush ende i bie me lugë legenit
të gjitha velencat na i shet sikur të ishte Perëndi
që kërkon të mbuloj mëkatin që i bëhet vendit.
______________________
Vazhdojnë…









Urime prof. Fatmir Terziu Poezine e tua e paraqesin ne thellesi, artistikisht, realitetin tone
Si gjithmon poezite e tuaja Fatmir lexohen me shume deshire .
Fjale zemre dhe reale .
Respekte per ju !
Nuk ka fjalë më të gjetura se sa këto, për të shprehur panoramën e vërtetë , atë që prodhon
“ yshtje e buzëqeshjes”
Një metaforë që të dhëmb,
ku buzëqeshja ka ngrirë në çdo individ!
Dhe shprehja
“ simfoni teneqesh”një metaforë edhe më e fortë, që tregon se nuk dëgjohen më simfonitë muzikale që shprehin emocionet e qeshura brenda pentagramit, por vetëm meloditë zhurmuese të “ teneqeve”!
Oh, sa dhimbje!
Vetëm një emigrant i mençur mund të dëgjojë dhe të dallojë këto “ simfoni”!
E nuk ka më keq se një vizitë në atdhe që të ngelet” gozhdë”, një gozhdë që të shpon trupin tej për tej!
Ndalesa juaj tek fenomeni i “ buzëqeshjes” është një mençuri, ndjesi e vërtetë…