Fatmir Terziu: Vehap Xhindoli, një profil i intelektualit shumëplanësh
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 24 hours ago
- 4 min read

Vehap Xhindoli, një profil i intelektualit shumëplanësh
Abstrakt
Ka njerëz që koha nuk i mbulon dot me harresë, sepse gjurma e tyre mbetet e gdhendur në kujtesën e qytetit, të sportit dhe të kulturës. I tillë ishte Vehap Xhindoli, një personalitet i rrallë, ku forca fizike bashkëjetonte natyrshëm me forcën e mendjes, ku disiplina e sportistit plotësonte ndjeshmërinë e intelektualit dhe pasionin e njeriut të librave.
Në ditëlindjen e tij të 60-të, një kamera e thjeshtë në duart e mia dhe ideja e Isa Krekës hapën rrugën e televizionit të parë privat “Dardan”. Ishte një moment simbolik: një njeri që kishte hapur aq shumë shtigje në jetë, u bë pa e ditur pjesë e një fillimi të ri edhe për median lokale. Unë sapo kthehesha nga puna dhe u gjenda menjëherë në krye të një pune ndryshe, ashtu siç Vehapi kishte ditur gjithmonë të ishte ndryshe.
Kjo ese synon të analizojë figurën e Vehap Xhindolit si një model i intelektualit shumëplanësh shqiptar, ku sporti, kultura, gjuha dhe angazhimi qytetar ndërthuren në mënyrë organike. Përmes një qasjeje historiko-analitike, trajtohet veprimtaria e tij sportive në peshëngritje, kontributi në formimin e brezave të rinj, si dhe roli i tij si përkthyes dhe autor, duke e vendosur figurën e tij në kontekstin shoqëror dhe politik të Shqipërisë së dy periudhave, asaj para dhe pas vitit 1990-të.
1. Hyrje
Në shkrimet, biografitw, pwrkushtimet dhe studimet bashkëkohore mbi historinë sociale dhe kulturore shqiptare, figura e intelektualit shumëplanësh zë një vend të veçantë, veçanërisht në periudhën e regjimit socialist, ku kufizimet politike dhe ideologjike shpesh pengonin zhvillimin e lirë individual. Po aq kjo figurw mbtet komplekse dhe respektive edhe pas viteve 90-tw. Vehap Xhindoli përfaqëson një rast domethënës të këtij tipi intelektuali: një sportist elitar, pedagog praktik i sportit, organizator kulturor dhe poliglot autodidakt, i cili ndërtoi identitetin e tij përmes punës, disiplinës dhe dijes.
2. Formimi jetësor dhe konteksti shoqëror
Vehap Xhindoli lindi më 7 qershor 1942 në fshatin Imshtë të Lushnjës dhe që në fëmijëri u përball me vështirësi ekonomike që ndikuan drejtpërdrejt në formimin e tij arsimor. Migrimi në qytetin e Elbasanit në vitin 1951 shënoi një pikë kthese në jetën e tij, duke e vendosur në një mjedis urban ku puna, arsimi dhe sporti ndërthureshin ngushtë. Ndërprerja e përkohshme e arsimit të mesëm për arsye ekonomike dhe ndjekja e një shkolle profesionale në Korçë pasqyrojnë realitetin social të kohës, por edhe këmbënguljen individuale për vetëformim dhe avancim shoqëror.
3. Karriera sportive si formë kapitali kulturor

Angazhimi i Xhindolit në sportin e ngritjes së peshave nuk përfaqëson vetëm një sukses individual atletik, por edhe një formë të veçantë kapitali kulturor dhe simbolik. Duke filluar nga viti 1959 dhe duke u afirmuar në kampionatet kombëtare të viteve ’60 dhe ’70, ai fitoi 32 tituj kampion dhe mbajti për dhjetë vite radhazi titullin e Kampionit të Republikës në peshat gjysmë të rënda dhe të rënda.
Thyerja e rekordeve kombëtare dhe përballjet me figura emblematike të peshëngritjes shqiptare, si Enver Krujani dhe Telat Agolli, e vendosin Xhindolin në qendër të historisë sportive të vendit. Titujt “Mjeshtër Sporti” (1964) dhe “Mjeshtër i Merituar i Sportit” (1965), si dhe vlerësimi “Nderi i Sportit Shqiptar” (1999), dëshmojnë institucionalizimin e këtij kapitali sportiv.
4. Sporti dhe politika: përvoja e përjashtimit
Një aspekt thelbësor për analizën akademike të figurës së Xhindolit është ndërhyrja e politikës në karrierën sportive. Përjashtimi nga klubi sportiv “Partizani” në vitin 1966 dhe moslejimi për të marrë pjesë në aktivitetin ndërkombëtar në Kinë në vitin 1965, pavarësisht statusit të tij si kampion absolut, janë tregues të qartë të mekanizmave përjashtues të sistemit politik të kohës. Këto ngjarje ilustrojnë tensionin midis meritokracisë sportive dhe kontrollit ideologjik, duke e bërë Xhindolin një rast studimor për ndikimin e politikës mbi sportin në Shqipërinë socialiste.
5. Kontributi në formimin sportiv dhe jetën qytetare
Përtej karrierës personale, Vehap Xhindoli kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e sportit dhe jetës qytetare në Elbasan. Organizimi i Cirkut të Elbasanit në vitet ’70 dhe ngritja e ekipeve të peshëngritjes për të rinj dëshmojnë për një vizion më të gjerë shoqëror, ku sporti dhe argëtimi shiheshin si mjete edukimi dhe socializimi. Roli i tij si trajner deri në vitin 1990 e konsolidon figurën e tij si transmetues i dijes sportive dhe i etikës së disiplinës.
6. Dimensioni intelektual dhe veprimtaria kulturore
Paralelisht me sportin, Xhindoli zhvilloi një profil të spikatur intelektual. Si poliglot autodidakt, ai zotëronte disa gjuhë të huaja (frëngjisht, gjermanisht, rusisht, anglisht dhe njohuri në greqisht), duke e shndërruar përkthimin në një formë të vazhdueshme veprimtarie kulturore. Botimi i veprës “Kujtesa e moçme popullore” dhe librat me përkthime tregojnë për interesin e tij ndaj trashëgimisë kulturore dhe ndërmjetësimit kulturor.
Në këtë kuptim, Xhindoli përfaqëson një model të intelektualit praktik, i cili e ndërton dijen jashtë institucioneve akademike formale, por brenda një etike të fortë pune dhe vetëdisipline.
7. Përfundime
Vehap Xhindoli mbetet një figurë komplekse dhe domethënëse për studimin e historisë sportive dhe kulturore shqiptare. Ai mishëron tipologjinë e intelektualit shumëplanësh, ku trupi dhe mendja, sporti dhe kultura, suksesi dhe përjashtimi politik bashkëjetojnë në një biografi të vetme. Analiza e jetës dhe veprës së tij na ndihmon të kuptojmë më thellë jo vetëm historinë e peshëngritjes shqiptare, por edhe mekanizmat shoqërorë të formimit të elitave joformale në Shqipërinë e shekullit XX.
Figura e Vehap Xhindolit mbetet, në këtë kuptim, një referencë e rëndësishme për studime të mëtejshme mbi marrëdhëniet midis sportit, kulturës dhe politikës në kontekstin shqiptar. Pra, sot, kur e kujtojmë, Vehap Xhindoli mbetet shembulli i intelektualit që nuk u kufizua në një fushë të vetme, por jetoi me dinjitet, pasion dhe përkushtim. Një emër që i përket jo vetëm historisë së sportit shqiptar, por edhe kujtesës kulturore të Elbasanit dhe më gjerë.









Ju falenderoj nga zemra Z Fatmir Terziu per keto fjale kaq te bukura ,prekese dhe te verteta !Ndijej sikur eshte akoma gjalle ,.Ka pasur sh respekt dhe mirnjohje per ju si njeri dhe si gazetar!Ju falenderoj qe vazhdoni ta mban gjalle kujtimin e tij dhe gjithcka qe ka bere per kete qytet !