Fatmir Terziu: U zgjuam!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 7
- 2 min read

Sipas dëshirës. Nuk dua t'ua trazoj as gjumin, as qetësinë, as përkushtimin, as …asgjë nga këto dhe nga të tjerat miqtë e mi. Thjesht po mbaj dhe unë (a)radhën për këtë stacion…, nëse dëshironi ndaloni dhe ju, hidhni një sy a një shikim dhe .. pastaj e dini vetë në se doni të zgjoheni. Ju falenderoj nga zemra dhe ju përshëndes si ngahera: Fatmir Terziu.
TABELA E SHUMËZIMIT
Të mësohet numër pas numri
kusur i madh
fluturon me erën që shpërndan qeset e Tregut
me dihamat që bien si vargje të tëra,
fjalë që zhduken mbi taka,
në ijë të zeros.
INKUIZICIONI I FARAVE TË LULEDIELLIT
Nuk mundet të ishte ndryshe
teatri do të mbetej
pa (punë)
e kisha fjalë për pastruesen
jashtë vetvetes
dhe në mëngën e të bardhës
një rrjedhje rrezatimi imagjinar
të inkuizicionit
të humorit
për farat e lulediellit.
EKRANI I TELEVIZIONIT
Dhe kur të biem përsëri në gjumë
të gjithë fillojnë të ëndërrojnë për të
qau fëmijë
zgjim përtej së vërtetës:
Dhoma e Bardhë Rustike
strehon kujtesën e jetës.
KOTËSIA
Strehohet larg, por jeton afër
rrethim në oborrin tim të përparmë.
Unë e zbraz pastër
në të gdhirë…
Ajo po gdhihej tani
po vinte si një re nga bregu
ishte një nga ato
gjëra.
SHPRESA VDES ME KONSTRUKSION
Fletorja verore
është një konstruksion
për çdo situatë
sepse trajektorja është
hapësirë iluzore
që vdes me konstruksion.
LUMTURIA PAS ZGJIMIT
…Pastaj
portierët
na i grisën biletat e filmit.
Isha i lumtur deri në cep,
në buzët e tua.
Unë jam një ëndërr tani.
PËRDITËSIA E PËRDITËSISË
Dhe drita. Dhe dita. Dhe…
...dhe zëri vjen
si shpresa dhe besimi për zjarrin
kur numërojmë
pa numëruar
ditët
që kalojnë përtej ditëlindjes
së përditshme.
U zgjuam!
Comments