top of page

Fatmir Terziu: Tek “Kondor 2” vlon kënga dhe rizgjohet „Elbasani Kampion“

Tek “Kondor 2” vlon kënga dhe rizgjohet „Elbasani Kampion“

 

 

Sporti, kujtesa dhe identiteti i një qyteti që nuk reshti kurrë së dashuruari futbollin

 

Elbasani ka marrë shumë epitete ndër vite, sikurse janë si qytet i arsimit, i kulturës, i traditës, i trëndafilave, i dashurisë dhe i harmonisë. Por një epitet i rëndësishëm, ndoshta më popullori, shpesh mbetet në hije. Elbasani është qytet i sportit! Një qytet që e ka dashur futbollin dhe sportin me pasion, që e ka kënduar fitoren dhe e ka përjetuar humbjen si pjesë të karakterit të vet qytetar.

Pak ditë më parë, kjo ndjenjë u rizgjua fuqishëm. Në ambientet e “Kondor 2”, të biznesmenit dhe intelektualit të njohur elbasanas humanistit Gëzim Dosku, u këndua masivisht kënga që mbetet simbol krenarie: “Elbasani Kampion”. Nuk ishte thjesht një këngë. Ishte një kthim në kohë, një bashkim brezash, një kujtesë kolektive që vlonte nga emocionet.

 

Një kor zërash, një histori e përbashkët

 

Të vendosur pranë njëri-tjetrit, si në një kor të improvizuar, mjaft figura të njohura të sportit elbasanas si Luan Deliu, Dhimitër Gjika, Mihal Gjika, Lefter Hodaj e shumë, e shumë të tjerë, këndonin jo vetëm me zë, por me shpirt. Ishin njerëz që e kanë veshur fanellën e qytetit, që kanë dhënë djersë, sakrificë dhe dinjitet për emrin Elbasan.

Aty u ndje fort fryma e „Labinotit“ kampion të vitit 1984, ekipit legjendar që i dha Elbasanit titullin më të madh në historinë e tij sportive. Një ekip që nuk ishte thjesht skuadër, por simbol i unitetit dhe krenarisë qytetare.

 

„Labinoti“ – nga kupa e parë te titulli historik

 

Historia e futbollit elbasanas ka themele të thella. Në vitin 1975, Labinoti fitoi Kupën e Republikës, trofeun e parë madhor në historinë e klubit. Dy fitore 1-0 ndaj Lokomotivës, fillimisht në Durrës me gol të Namik Hysit dhe më pas në Elbasan me gol të Mitrollarit, vulosën një epokë të re. Kulmi erdhi në sezonin 1983–1984, sezoni i titullit kampion. Një Labinot protagonist, që kryesoi kampionatin për 14 javë rresht, u shpall kampion në Tiranë dhe përfaqësoi Shqipërinë në Kupën e Kampioneve. Emra si Bujar Gogunja, portieri rekordmen, dhe një brez futbollistësh që sot quhen me plot të drejtë legjendarë, shkruan historinë më të bukur sportive të qytetit.

 

Sporti si organizim shoqëror dhe rezistencë

 

Sporti në Elbasan nuk ka qenë kurrë vetëm lojë. Qysh herët, ai u shndërrua në formë organizimi shoqëror dhe qëndrese. Ekskursionet masive sportive në Kroi i Kalit, Bushek dhe zona të tjera, aktivitetet e lagjeve dhe qendrat drejtuese sportive ishin pjesë e jetës qytetare. Gjatë pushtimit fashist, sporti u përdor edhe si mjet manipulimi nga pushtuesit, por rinia elbasanase e kundërshtoi këtë, duke i dhënë sportit frymë antifashiste dhe emrin “Liria”. Figura si Hasan Bajraktari, dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare, janë dëshmi e kësaj lidhjeje mes sportit dhe idealit.

Manifestim e hershëm sportiv
Manifestim e hershëm sportiv

Dokumentet dhe dëshmitë historike tregojnë se aktivitetet sportive në Elbasan nisin herët, që në fillim të shekullit XX. Fotografia e nxënësve të shkollës “Tebojë” në vitin 1913, duke kryer gjimnastikën e mëngjesit, dëshmon për përfshirjen e hershme të edukimit fizik në jetën shkollore. Në vitet ’20–’30, futbolli merr formë më të organizuar përmes skuadrave shkollore dhe shoqërive sportive si Shkolla Normale (1926); Shoqëria “Shpresa” (1931); Klube lagjesh që funksiononin mbi baza vullnetare. Këto struktura përbënin themelet e futbollit qytetar elbasanas. Gjatë periudhës së pushtimit fashist, sporti u përdor edhe si mjet ndikimi ideologjik nga pushtuesit, përmes klubeve të tipit “Dopolavoro”. Skuadrat e futbollit u organizuan sipas lagjeve (Daut Beja, Namazgjaja, Pervinaga, Gura Bardhë etj.), ndërsa emërtimi “Liria” u zgjodh qëllimisht si kundërpërgjigje ndaj propozimit fashist “Rinia e Liktorit”.

 

Nga “Bashkimi” te “Labinoti”, një emër që u bë simbol

 

Pas Luftës së Dytë Botërore, u krijua klubi “Bashkimi”, më pas Puna, e nga viti 1958 deri në 1991, emri që u ngulit në ndërgjegjen popullore: KS Labinoti Elbasan. Një qendër e rëndësishme edukativo-sportive, ku sporti i meshkujve dhe femrave, i të rinjve dhe të rejave, u kthye në model shoqëror. Nga gjimnastika e nxënësve të shkollës “Tebojë” në vitin 1913, te skuadrat e Normales, “Shpresa”, e deri te KF Elbasani i sotëm, historia sportive e qytetit është një zinxhir i pandërprerë pasioni.

 

Emrat që ndërtuan legjendën

 

Lista e futbollistëve elbasanas është e gjatë dhe e lavdishme. Qindra emra – mësues, ekonomistë, ushtarakë, agronomë, që sportin e patën mision qytetar. Nga Ryzhdi Bizhuta, Vasip Biçaku, Sabri Peqini, Frederik Jorgaqi, Mihal Gjika, Nevruz Duçka, Agron dhe Dashamir Stringa, e deri te dhjetëra të tjerë, secili ka lënë gjurmë në historinë e Elbasanit sportiv.

 

Xhaxhurët, si djepi i futbollit të lagjes

 

Një kapitull më vete janë Xhaxhurët, aty ku futbolli elbasanas mori formë zyrtare afro një shekull më parë, me një top të ardhur nga Stambolli. Emra të mëdhenj kanë kaluar nga ajo fushë, ku loja ishte pasion dhe festa vinte pas ndeshjes, pavarësisht rezultatit. Siç kujton me nostalgji Lefter Hodaj, aty nuk kishte urrejtje, por respekt, shpallje ndeshjesh si kampionate dhe një lagje e tërë që jetonte për futbollin.

 

„Elbasani Kampion“ mbetet më shumë se një këngë

 

Kënga e kënduar te “Kondor 2” nuk ishte rastësi. Ajo ishte një thirrje e kujtesës, një bashkim brezash dhe një dëshmi se Elbasani mbetet kampion në shpirt, edhe kur koha ndryshon. Sepse sporti, në Elbasan, nuk është thjesht histori. Është identitet. Është këngë. Është vlerë. Është qytet.

Ky evenimet rikujton se sporti në Elbasan ka ndjekur një zhvillim të pandërprerë, nga veprimtaria spontane e lagjeve, te organizimi institucional dhe arritjet kombëtare. Ai ka shërbyer si mjet edukimi, rezistence, emancipimi shoqëror dhe ndërtimi identiteti. Elbasani nuk është vetëm qytet i arsimit dhe kulturës, por edhe qytet kampion në histori, kujtesë dhe shpirt sportiv.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page