top of page

Fatmir Terziu: Sot u harrua edhe Naim (bej) Frashëri!

  • 9 hours ago
  • 3 min read

 

Ku po shkojmë? Ku ishim? Dhe, më e dhimbshmja, ku po e lëmë kujtesën tonë? Sot u harrua edhe Naim (bej) Frashëri. U harrua dita e njërit prej themeleve të shpirtit shqiptar. U harrua poeti që na mësoi të flasim me gjuhën e atdheut, të ëndërrojmë me Shqipërinë dhe të besojmë se një komb mund të mbijetojë edhe përmes vargut. Dhe harrimi nuk është thjesht mungesë ceremonie. Harrimi është simptomë. Është një sëmundje kombëtare që fillon kur një popull nuk pyet më për shkrimtarët e vet.

A kemi nevojë për shkrimtarë? A kemi nevojë të kujtojmë? Të respektojmë? Apo tani gjithçka matet me zhurmë, me klikime, me ekranin e radhës, me politikën e ditës dhe me harresën e nesërme? Naimi u përdor dhe u keqpërdor. U ngrit në piedestal, por shpesh për interesa ideologjike. Emri i tij iu vu një Shtëpie të Vetme Botuese, asaj famëkeqeje që mbante vulën “Naim Frashëri”, ndërkohë që në korridoret e Komitetit Qendror ekzistonte një Drejtori Shtypi që vendoste kush kishte të drejtë të botohej dhe kush jo. Aty kalonin librat, aty vendosej fati i autorëve, aty thuhej “PO” ose “JO” për letërsinë.

Dhe thua se kishim liri…

Diktaturë proletariati. Luftë klasash. Biografi e zezë. Heqje e triskës së Frontit Demokratik, sikur F.D. të ishte organizatë letrare dhe jo mekanizëm kontrolli politik. Krijuesit maten me dosje, jo me talent. Shkrimtarët peshoheshin me biografi familjare, jo me forcën e mendimit. Dhe sot, shumë prej atyre që heshtën atëherë, flasin për letërsinë si pronë personale. Disa krijues vertikalisht të njohur, që për dekada ishin në faqet e para të gazetave, na flasin për moral krijues, por nuk përgjigjen për pyetjen më të thjeshtë, atë të shajturin Realizëm Socialist, kush e mbajti në fuqi? Kush e ushqeu? Kush e duartrokiti? Kush i shkroi himnet, raportet, parathëniet dhe lavdet? Ti, krijues, apo kush?

„Ka ndonjë arsye letrare që Petro Markos t’i ndalohej e drejta e botimit? Çfarë problemi talenti kishte ai? Pse Lasgushi duhej trajtuar si i vdekur për së gjalli? Pse Mitrush Kutelit nuk i jepej leje krijuese? Pse disa nga shkrimtarët tanë shkonin deri në Kinë në emër të kulturës socialiste, por nuk takonin dot Martin Camajn këtu në Europë, në të njëjtat panaire libri?“ – shkruante dikur tek Fjala e Lirë Londër shkrimtari i talentuar Faruk Myrtaj (Myrtaj, 2017, 10 shkurt).  A nuk është kjo dhunë? Dhunë kulturore, shpirtërore, kombëtare? Kjo, e dini, pse? Sepse diktatura nuk vriste vetëm njerëz. Ajo izolonte mendimin. E ndante letërsinë në të lejuar dhe të ndaluar. Në “tanët” dhe “armiq”. Dhe tragjedia vazhdon edhe sot, kur shumë prej këtyre plagëve trajtohen me heshtje, relativizim ose me një nostalgji të frikshme.

Sipas Myrtajt, „Dhori Qiriazin e gjorë, e di ti se i çuan një aparat televizori në një fshat të Kolonjës, që “të mos mërzitej”?“ Ja deri këtu shkonte cinizmi i sistemit: të internonte shpirtin dhe pastaj të dhuronte një televizor si lëmoshë morale. Ndërsa sot? Sot harrojmë edhe Naimin.

Një komb që harron shkrimtarët e vet, nis të humbasë gjuhën e vet të brendshme. Dhe kur humbet ajo gjuhë, humbet edhe aftësia për të dalluar lirinë nga propaganda, kulturën nga dekorata, krijuesin nga shërbëtori. Ndoshta nuk kemi nevojë vetëm të kujtojmë Naim Frashërin. Kemi nevojë të kujtojmë të vërtetën përmes tij. E kam thënë disa herë, kombet nuk vdesin vetëm nga varfëria. Vdesin edhe nga harresa.

11 Comments


Kujtim A. Faria
8 hours ago

Falenderim për ju z. Fatmir motiv për ç'farë duhet shkruar dhe për kë duhet shkruar, e pse duhet kujtuar.

Kështu është, kur shteti dhe konkretisht përfaqësuesit e kulturës, janë indoktrinuar nga dixhitalizimi i ministres së parë nga AI Diella.

Një popull që harron nga vjen, fosilizohet shumë shpejt!

Like

Ildije Xhemali
8 hours ago

Profesor Fatmir Terziu jeni Këmbanë e fortë që duhet t'ju dëgjojnë pushtetarët e jo POETI i madh që u hapi sytë shqiptarëve të mderohet si bektashi i devotshëm.

Urime Urime!

Like

Vlash Prendi
8 hours ago

Respekt pafund për Ju i nderuar Fatmiri. Keni ngritur një problem të rendësishë, por që gjithmonë bie në vesh të shurdhër. Kur nuk përkujtohet Naimi në përvjetorë, nuk shpresojmë se do përkujtohet më. Të uroj suksese mik.

Like

Maxhun Osmanaj
8 hours ago

Njè shkrim sa njè thirrje atyre qè harrojnè, sa njè kèmbanè institucionale zgjimi , kur harrojnè ata qè i dhanè shumècka gjuhès, letèrsisè, atdheut..Pèrgèzime z.dr.Fatmir!

Like

Rozeta Kreste
8 hours ago

Ju komplimentoj! Respekt!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page