top of page

Fatmir Terziu: ''SILFIDA“...


''SILFIDA“, DISKURSI AESTETIK PËR SARANDËN



Nga Timo Mërkuri


I - Poezia më e re e Fatmir Terziut “Silfida’ lexohet e përjetohet jo nëpërmjet fjalëve të shkruara në vargje, por nëpërmjet imazheve që ajo shfaq në lexim, aq sa hamendëson se je duke parë një ekspozitë pikturash moderniste, ose një mirazh që shfaq disa pamje, madje në një lëvizje të ngadalëshme me sekuenca kohore sa leximi i vargjeve të poezisë. Sigurisht që në kontekstin poetik, Silfida si një shpirt ajri, një qenie imagjinare pa shpirt, ka një qasje me mirazhin poetik në poezi. Koncepti i Silfidës si një qenie e padukshme, por që përfaqëson bukurinë e fshehur dhe një lloj misteri, mund të konsiderohet si një element që poeti e përdor për të shprehur emocione të thella të tij, një dashuri, apo mall të thellë dhe me atë krijon një atmosferë të veçantë në poezi.

Silfida, kjo krijesë mitike me origjinë nga alkimia e shekullit të 16-të është personifikimi i ajrit. Në bazë të tij, një Silfidë përkufizohet edhe si një zanë. Thuhet se silfidet marrin shumë forma, duke përfshirë format e reve dhe format e dritës. Për shkak të mitologjisë së tyre të pasur dhe formave që ndezin imagjinatën, silfidet janë shfaqur në rituale, tradita dhe objekte kulturore, që nga poemat e famshme deri tek baleti.

Përdorimi i figurës së Silfidës, në këtë rast, si një qenie pa shpirt, që në esencë është e pamatë, por e ndjeshme dhe e lidhur me bukurinë e natyrës apo mjedisit, mbetet një lloj metafore me të cilën poeti shpreh ndjenjat ndaj diskursit të fshehur në atmosin që rrethon jetën tonë. Një përdorim i tillë poetik i Silfidës në poezi natyrshëm simbolizon ndjenjat e thella të ndjeshmërisë, të lidhjes së thellë emocionale me mjedisin, apo dhe vetë natyrën, duke e shtrirë diskursin në atë që përcakton thellësisht gjeografia dhe tërësia në lidhjen e saj.

Në këtë kontekst, Silfida mund të përfaqësojë edhe mrekullinë që gjen a ndjen poeti në botën rreth tij, ndërkohë që ajo është e padukshme, e pa prekshme, e fshehur, por shumë e ndjeshme. Nëpërmjet kësaj qasjeje poetike, Silfida shfaqet si një mjet për të shprehur mirazhin e thellë poetik të autorit, ndjenjat dhe perceptimet e tij të thella për bukurinë dhe misterin e botës që e rrethon. Ndërsa konteksti, që poeti përdor Silfidën, arsyetohet me faktin, se Terziu e do qytetin e Sarndës, ka mall për miqtë e tij në këtë qytet si dhe bukuritë frymëzuese të tij, madje këtë e ka dëshmuar me një seri krijimesh, por tashmë ai ka disa vite që s’ka ardhur dhe malli e gëryen si një diçka pa shpirt, duke i shkaktuar dhimbje e pagjumësi të vazhdueshme. Saranda është një poezi, është një muzikë, që luhet mbi tastierat e valëve, ajo është një shpirt që e ndjen mes vargut se të afrohet me frymën e jugës, e ndjen por nuk e prek. Saranda është pikë referimi, Saranda është kuotë krahasimi, është një ëndërr e përjetuar në vargun e poetit. Saranda është një dashuri që të le në shpirt një brengë e një mall të pamatë. Kështu e përjeton Sarandën dhe Fatmir Terziu dhe këtë e kemi parë dhe ndjerë te një seri studimesh, shkrimesh, analizash letrare, poezish dhe tregimesh për qytetin, rrethinat dhe njerëzit e kësaj ane. Edhe vëllimi i fundit poetic i tij “Dashuri Jugu” mbetet një diskurs më vete në këtë pikë.

Një shprehje poetike e silfidës si një simbol i dashurisë së thellë për Sarandën është e këndëshme në aspektin emocional të poetit, pse silfida mund të shprehë dëshirën e poetit për të qëndruar, për të ndjekur lidhjet emocionale dhe për të rikrijuar emocionet e pashmangshme për qytetin dhe miqtë e tij.

Në këtë mënyrë, Silfida si një simbol poetik i mallit të etur poetik për Sarandën paraqet një lloj dashurie të thellë emocionale dhe lidhjen e thellë që poeti ka me këtë qytet. Etja për një vend, për një kohë të kaluar, apo për një përvojë të veçantë, shpesh shfaqet në vargje nëpërmjet figurave të tilla poetike, siç është Silfida në këtë rast, ku kjo etje poetike shfaqet si një një përvojë shpirtërore, një dëshirë e thellë për të qëndruar, ose për të rikrijuar emocionet e një kohë të kaluar të paharueshme dhe mbresëlënëse për poetin, duke i bërë ato momente jetike dhe të përjetueshme përsëri përmes poezisë. Në këtë kuptim, etja poetike dhe lidhja emocionale e poetit për Sarandën i shfaqet si një mirazh poetik përmes Silfidës mitike në vargjet e poetit, atje larg në Londër, ku ai punon, zgjeron kërkimet shkencore dhe vlerat letrare, dhe jeton familjarish prej vitesh.

E parë në këtë kontekst, Silfida, si simbol poetik, përfaqëson dritën, që vjen nga ajri, dhe që zgjon dëshirën e thellë të Terziut për të ardhur e qëndruar dhe për të përjetuar përsëri bukurinë dhe emocionet, që qyteti i Sarandës ka lënë në shpirtin e tij, duke e bërë atë të ndiejë se është pjesë e tij edhe në distancën gjeografike, duke e shndëruar në këtë mënyrë poezinë, si një spirancë, që e mban të ankoruar poetin te qyteti ynë, te Joni dhe bukuritë e sfidat e tij. Poezia perceptohet si një përjetim i emocioneve dhe ndjenjave të autorit ndaj natyrës dhe bukurisë, duke përdorur imazhe të pasura dhe metafora për të komunikuar një lloj mrekullie që shpeshkalohet nëpërmjet perceptimit të zakonshëm. Kjo mund të konsiderohet si një poezi simbolike, po aq dhe metaforike dhe diskursive, që percepton bukurinë e fshehur tek miti, por dhe në mjediset më të thjeshta dhe ato të njohura e të panjohura, që ende syri i njeriut i kap dhe i emeton si pjesë të asaj që forcon vetë lidhjen me mitin.

II - Poezia "Silfida" e Terziut shfaq një larmi elementësh artistikë, linguistikë, poetikë, që interpretohen në mënyra të ndryshme. Le të hedhim një vështrim më të hollësishëm për të zbuluar disa prej tyre.

Në fillim, poezia është e mbushur me elementë të natyrës, ku përdor imazhe të detit, diellit, dhe pamjeve natyrore për të krijuar një atmosferë të bukur dhe të frymëzuar, përshembull, imazhi "Vinte dallga e parë e agut të mëngjesit" përshkruan fillimin e një dite të re, me një atmosferë të freskët dhe të pastër. Vargjet: "shkumëzohej balli si barku i furrës" shfaq një lloj lëvizjeje në det që ngjason me një lëvizje të vështirë për të përshkruar, si një interpretim i emocioneve të thella, madje të duket, se po dëgjon edhe aromën e thekët të ushqesës hibride natyrore duke bërë muzikën e dallgëve në breg një ushqim melosi dhe shpirti në një lidhje të pashmangshme, ndërsa vargu: "Retë mbanin veten të mbërthyer me karficë" është një imazh që shfaq një pamje të mbyllur, si një ndjenjë e kufizimit të lutjes për një qyet dhe një hapësirë bregdetare me diell, apo një perceptim i kufizimit të rënies, gravitetit dhe shtrydhjes metaforike të reve, dhe të ndonjë lloj perceptimi, që tejçon në lidhjen jetë, dashuri dhe ambient jetik. Imazhi "Mbi dallgë u zbraz një qiell i tërë, / si qumësht i bardhë" shfaq një lloj drite, ngrohtësie, paqeje dhe lirie, duke lidhur detin me një pamje që shtrihet pafundësisht dhe që mban qetësisht dhe paqësisht në gji atë që kërkon vetë jetikja.

Në këtë poezi ka përdorim të metaforave për të shfaqur gjendjen emocionale dhe për të paraqitur një lloj bukurie të fshehur në çastet e zakonshme. Psh., "dihamës në Qafë Gjashtë - jo komod / shkumëzohej balli si barku i furrës" është një përshkrim i detajuar dhe metaforik i një pamjeje, ku përdoren elemente të përbashkëta natyrore për të krijuar një imazh poetik. Vargu: "një vajzë, / me hijen e lënë pas në Finiq, / hyri sikurse hyn vetëm një zanë, / të pikturohej mes bardhësisë lakuriq" mund të interpretohet si një hyrje në një gjendje të re, duke lënë pas diçka të vjetër nga vetja dhe duke përjetuar një transformim emocional. Citimi i “zanës” ta bën të afërt me vetë kuptimin që mbart miti në lidhjen me vetë momentin.

Përdorimi i "Silfidës" si një entitet i padukshëm, por i bukurisë, është një simbol: "Thoja në Sarandë edhe sytë bëjnë magji / që të shfaqet në ato anë Silfida." simbolizon një lloj bukurie të fshehur, që mund të perceptohet në mënyra të ndryshme. Vargu "Dea, në gjirin e saj pinte cicë, / Pulëbardhat hynin e dilnin e sillnin dritë" ku drita simbolizon një lloj shprese, një kuptim të ngrohtësisë dhe forcës që vjen nga brenda. Po ashtu vargu: "Syri si sy…Të dy sytë ngrinin aty. / Shijonin këtë mrekulli që e sillte drita" shfaq një perceptim të thellë të bukurisë që mund të kuptohet vetëm nëpërmjet kujdesit dhe vëmendjes së veçantë.

Në këtë këndvështrim arrijmë në përfundimin se poezia “Silfida” e poetit Terziu është një poezi që ka gërshetuar elementët simbolikë, metaforikë, diskursivë dhe po aq imazhistë, për perceptimin e bukurisë së fshehur, një lloj magjie që egziston në jetën dhe ambientin përreth, parë me syrin e mallit shpirtëror të poetit si dhe mund të jetë një thirrje për të qenë më të ndjeshëm ndaj bukurisë së fshehur që rrethon botën tonë dhe për të kuptuar se çdo moment mund të jetë i mahnitshëm në mënyra të ndryshme, duke sjellë një perspektivë të re dhe më të thellë për të kuptuar këtë bukuri dhe mrekulli.

III - Poezia e Terziut që ka si subjekt bukuritë e Sarandës, sigurisht që përfaqëson një lloj risie të re të lidhjes diskursive mes mitit dhe dëshirës, bukurisë dhe estetikës, formës dhe strukturës, hapësirës, kohës dhe vendit, si një shërbim për brezat, dhe për momentet ku e kaluara mund të nënkuptoj shumë gjëra edhe përmes poezisë. Pra, lexuesi i lirë në mendimin e tij, mund vetvetiu të kujtojë e të përjetojë përsëri emocionet dhe bukurinë e qytetit, edhe në perceptimin e vetë, të cilit i vjen në ndihmë vetë vargu i bardhë.

Pavarësisht distancës fizike, lidhjet emocionale dhe sentimentet, që kanë lindur gjatë vizitave të mëparshme në Sarandë janë ende të pranishme në mendjen dhe shpirtin e poetit, ndaj dhe kjo poezi është një provë e gjallë e lidhjeve shpirtërore të tij. Në këtë kontekst mund të themi lirshëm, sipas konceptimit tonë, se kjo poezi është e dedikuar për një aestetikë të Sarandës, si një risi e re me të cilën mund të sedërtohet një mënyrë për të mbajtur lidhjen me atë qytet, për të ndjekur ato emocione dhe për të shprehur përmes vargjeve ndjesitë që i ka përjetuar gjithkush, sikurse vetë poeti atje. Edhe pse i larguar fizikisht, lidhja emocionale e gjithkujt që lexon këtë poezi, mund të mbetet e fortë dhe të vazhdojë të influencojë mënyrën se si poeti dhe lexuesi e gjejnë dhe e shprehin vetveten në poezi. Sigurisht, ndryshimi i kushteve dhe largësia fizike mund të ndikojë në mënyrën se si përjetojnë emocionet dhe lidhjet me një vend të caktuar. Megjithatë, një pjesë e rëndësishme e poezisë është aftësia për të evokuar emocione dhe kujtime, duke e lejuar poetin të kthehet në ato momente të këndshme dhe të vazhdojë të shprehë ndjesitë e tyre përmes vargjeve.

Pikëpamja e një poeti ndaj një qyteti të caktuar, si Saranda në këtë rast, ndryshon me kalimin e kohës dhe distancën fizike, megjithëse, ndikimi i një qyteti të tillë në krijimtarinë e një artisti nuk zhduket me tërësi. Në këtë kontekst, përshkrimi i bukurive të Sarandës në poezinë e Fatmir Terziut mund të konsiderohet si një lloj urimi apo kujtimi i një periudhe të bukur në jetën e tij. Edhe pse distanca e ka ndërprerë vizitat në qytetin e Sarandës, këto vargje dhe kujtimet nëpërmjet tyre mbeten si një lidhje me të kaluarën. Një poet mund të përdorë poezinë për të ruajtur dhe për të rikujtuar momente të rëndësishme dhe emocionet që i ka përjetuar në ato vende. Në këtë mënyrë, poezia shërben si një mënyrë për të krijuar një lidhje të vazhdueshme me një qytet, edhe pse ai mund të jetë larg fizikisht.

Nëse poeti ka pasur mardhënie të mira me shoqërinë e poetëve në Sarandë, poezia e tij mund të përfaqësojë një lloj respekti, dashurie dhe kujtesë për këtë bashkësi të rëndësishme kreative. Nëpërmjet vargjeve, ai mund të dëshirojë të përshëndesë dhe të mbajë lidhjen me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të artit, edhe në kohëra të largëta. Në fakt, disa prej nesh krijuesve të qytetit të Sarandës, miq të Terziut për një periudhë jo të vogël kohore e shumë aktive në krijimtari, emocionuese në miqësi jo vetëm këtë poezi, por disa prej krijimeve të tij i kemi parë si një lloj përshëndetjeje apo si një lloj pranie e tij në aktivitetet tona. Dihet që për poetët, shkrimi i poezisë është shpesh një mënyrë për të shprehur ndjenjat, emocionet, dhe për të rikrijuar kujtimet që kanë një rëndësi të veçantë në jetën e tyre, pavarësisht largësisë fizike apo kohës që ka kaluar. Nëpërmjet poezisë, ata mund të vazhdojnë të shprehin lidhjen e tyre me një vend të caktuar dhe me njerëzit që kanë pasur një impakt të rëndësishëm në jetën e tyre krijuese.

Përdorimi i konceptit të "silfidës" në poezinë për Sarandën mund të përfaqësojë një lloj simbolike të bukurisë së padukshme, të fshehur, që poeti e ka përjetuar në këtë qytet, por që e gjen edhe në mjediset e largëta të Londrës, ku ai jeton aktualisht. Silfida, si një shpirt ajri në kontekstin e poezisë, mund të jetë një simbol i bukurisë së fshehur, e cila mund të shfaqet në mënyra të ndryshme në mjediset e ndryshme. Poeti mund të përjetonë kujtime të bukurive të Sarandës dhe shpirtin e saj të pashmangshëm në mjedisin e qytetit të Londrës. Kjo mund të jetë një mënyrë për të transmetuar një ide se bukuria e një vëndi nuk është e kufizuar në kohë apo hapësirë, por mund të ndikojë në perceptimet dhe emocionet e një personi edhe larg atij vendi. Kështu, "Silfida" mund të jetë si një imazh i mahnitshëm dhe i përjetshëm që i shfaqet poetit, edhe në mjediset e tjera larg Sarandës, duke simbolizuar një lloj bukurie universale, që mbetet e njëjtë, pavarësisht vendndodhjes së personit. Pra, përdorimi i "silfidës" në poezinë për Sarandën mund të shprehë një lloj lidhjeje emocionale me atë qytet dhe një mbijetesë të emocioneve të bukurisë që e ka përjetuar atje, edhe në kontekstin e jetës së tij në Londër.

''Silfida“ duhet parë dhe si një simbol i dashurisë shpirtërore që autorit i frymëzon bukuria e qytetit të Sarandës, ku përmes këtij simbolizmi, poeti shpreh ndjenjat e tij për lidhjen me bukurinë dhe shpirtin e qytetit të Sarandës. Kjo lidhje emocionale është e tillë sa që edhe largësia fizike nuk e zbehë atë. "Silfida" si një simbol i kësaj dashurie shpirtërore mund të jetë një mënyrë për të kujtuar dhe për të përjetuar përsëri bukurinë dhe emocionet e atyre momenteve të këndshme në Sarandë, dhe për të mbajtur lidhjen me to, edhe pse autori mund të jetë larguar fizikisht prej tyrë, siç thamë më sipër, ndaj dhe përdorimi i një personifikimi të tillë poetik për të përshkruar një lidhje të thellë emocionale me një qytet është një mënyrë e mrekullueshme për të shprehur një lloj dashurie për një mjedis shoqëror e natyror apo për një eksperiencë të veçantë që ka lënë shenja të forta në shpirtin e autorit.

IV - Shpesh një analizë psikologjike e një poezie mund të ofrojë një përceptim të thellë në shpirtin dhe mendjen e poetit, duke u fokusuar në emocionet, përjetimet dhe lidhjet që përcillen në vargje. Poezia "Silfida" e Fatmir Terziut ka një natyrë shumë emocionale dhe është e ngarkuar me ndjenja të thella. Analiza psikologjike e kësaj poezie mund të fokusohet në disa aspekte:

Poeti transmeton një ndjenjë të fortë nostalgjie dhe një dëshirë për të kujtuar momentet e kaluara në Sarandë, ku nostalgjia është një emocion i rëndësishëm që shfaqet përmes kësaj poezie, duke sjellë në vëmendje kujtimet dhe emocionet e periudhës së kaluar.

Analiza psikologjike mund të adresojë dëshirën e poetit për të mbajtur lidhjen me një vend apo një grup të veçantë dhe për të rikrijuar emocionet dhe lidhjet që ai ka pasur atje. Lidhjet emocionale me një vend të caktuar mund të ndikojnë thellë në mendje dhe shpirt, dhe kjo poezi është një mënyrë për të shprehur këtë lidhje.

Poezia transmeton ndjenja të forta si admirim për bukurinë, ndjesi të fshehura si nostalgjia, dhe ndjenja të lidhjes emocionale dhe kjo analizë psikolopgjike mund të identifikojë mënyrën se si këto emocione shfaqen në vargje dhe si ato ndikojnë në mendjet dhe shpirtin e lexuesve.

Analiza e poezisë ve në dukje dëshirën e poetit për të shprehur admirimin e tij për bukurinë dhe për të shpërndarë këtë admirim me publikun, ku admimi për bukurinë e një vendi është një emocion i fortë dhe shpesh ka një ndikim të thellë në perceptimin tonë për botën rreth nesh. Shihet se poezia "Silfida" shpreh një lloj lirizmi të thellë emocional dhe një lidhje të fortë me bukurinë, analiza psikologjike e saj mund të ofrojë një përceptim të thellë në ndjenjat, emocionet dhe perceptimet e poetit, duke ndihmuar lexuesit të kuptojnë lidhjen e thellë dhe të ndjenjave që shfaqen në vargje.

V - Poezia "Silfida" e Fatmir Terziut është një poezi moderne, si shumica e krijimeve të tij poetike të këtyre viteve të fundit, madje ajo është poezi e një kuote të lartë europiane, e cila shfaq disa element të rëndësishëm moderniteti:

Poezia është metaforike dhe simbolike me elemente imazhistë, si e tillë reflekton botës së brendëshme të autorit, ndjenjat dhe emocionet e tij.

Ajo shfaqet si një mozaik i imazheve dhe ndjenjave, ku përdorimi i elementëve të shumëllojshëm, si bukuria e natyrës, nostalgjia, dhe ndjenjat e dashurisë për qytetin, shpërndahen në vargje e skena të ndryshme, duke sjellë një kompleksitet dhe sasi të lartë të informacionit.

Përdorimi i përshkrimeve të thella dhe të detajuara e bën poezinë të shfaqë imazhe të mahnitshme si "shkumëzimi i ballit si barku i furrës" dhe "mbi det në të bardhë, pikturonte bukurinë e Sarandës" japin një vizualitet dhe impakt të fortë lexuesve.

Silfida si një shpirt ajri i përdorur në poezi është një simbol poetik që përfaqëson bukurinë e padukshme dhe emocionet e fshehura, ku përdorimi i simboleve dhe metaforave për të shprehur ndjenjat e thella është një karakteristikë e theksuar e modernitetit poetik.

Autori shfaq një vështrim të personalizuar dhe subjektiv ndaj qytetit të Sarandës. Përdorimi i përshkrimeve të ndjesive personale dhe ndjenjave të poetit e bën poezinë të reflektojë perspektivën e tij të vetë.

Poezia është e lirë nga kufizimet e rimave dhe vargjeve të rregullta dhe kështu ajo ka hapësirë të gjerë shprehjeje e kuptimshmërie.

Këto elemente të modernitetit poetik janë thelbësore në përdorimin e teknikave të ndryshme, simboleve, dhe subjektivitetit për të shprehur ndjenjat dhe për të përcjellë një përvojë poetike të pasur në mënyrë të ngjashme me praktikat moderne të poezisë.

Theksojmë se kohët e fundit poeti, Fatmir Terziu, ka sjellur në poezinë shqipe një sërë poezish moderne, të cilat shfaqen si një shkollë bashkëkohore e poezisë, studimi i strukturës artistike të së cilave është hapja e një porte për të hyrë në botën magjike të modernitetit poetik. Vetë poezia „Silfida“ bëhet kështu një diskurs aestetik i munguar për Sarandën.



Sarandë, më 25 nëntor 2023




Silfida

Nga Fatmir Terziu


Vinte dallga e parë e agut të mëngjesit. Jod

tretej në platmen e zbuluar nga rrezet e diellit mbi Lëkurës

dihamës në Qafë Gjashtë - jo komod

shkumëzohej balli si barku i furrës,

deri poshtë

ngjyhej floku im me të turmës,

thinjosh,

syri im tej verandës,

mbi det në të bardhë,

pikturonte bukurinë e Sarandës.


Sakaq një vajzë,

me hijen e lënë pas në Finiq,

hyri sikurse hyn vetëm një zanë,

të pikturohej mes bardhësisë lakuriq.


Remba sytë mbi shijen e kripur mbi rërë

vetëm kaq,

mbi dallgë u zbraz një qiell i tërë,

si qumësht i bardhë.


Retë mbanin veten të mbërthyer me karficë

tutje vetëm fati e shihte se ç'ndodhte në Butrint

Dea, në gjirin e saj pinte cicë,

Pulëbardhat hynin e dilnin e sillnin dritë.


Syri si sy…Të dy sytë ngrinin aty.

Shijonin këtë mrekulli që e sillte drita

dhe thoja në Sarandë edhe sytë bëjnë magji

që të shfaqet në ato anë Silfida.

*********

Shënim sqarues: Silfid është një shpirt ajri, një qenie imagjinare që banon në ajër dhe është e vdekshme, por pa shpirt dhe që rrjedh nga veprat e shekullit të 16-të të Paracelsus, i cili i përshkruan si qenie (të padukshme) të ajrit, elementët e tij të ajrit.



26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page