top of page

Fatmir Terziu: Shaban Plaka, muri i pathyer i nacionalizmit në Gostimë

32 minutes ago
8 min read

Shaban Plaka, muri i pathyer i nacionalizmit në Gostimë


Prof Dr Fatmir Terziu

 

Kur më emëruan drejtor të shkollës në Shtërmen, pata rastin të njihja Ilmi Plakën, kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostimës. Ishte një nga ata njerëz që të fitonin me fjalën e ëmbël, me sjelljen e matur dhe me përkushtimin e sinqertë ndaj njerëzve e demokracisë. Në atë kohë nuk e njihja historinë e tij familjare në të gjitha përmasat, as atë barrë të rëndë që mbiemri Plaka mbartte prej dekadash në kujtesën e një treve të tërë. Vite më vonë, gjatë punës sime si gazetar, më ra në dorë një fletore e kohës së komunizmit, ku regjistroheshin dhe trajtoheshin me gjuhën përçmuese të regjimit të asaj kohe të ashtuquajturit kulakë të zonës së Gostimës. Mes emrave që dilnin nga ato faqe, hasa edhe atë të Shaban Plakës. Pikërisht aty mësova se ai ishte i ati i Ilmiut. Një emër që deri atëherë e kisha njohur vetëm përmes dokumenteve të një kohe të errët, por që më pas do të merrte për mua kuptimin e një historie të tërë qëndrese njerëzore, kombëtare dhe demokratike.

Historia e Shaban Plakës nuk mund të kuptohet jashtë kalvarit të fisit të tij, një prej familjeve më të persekutuara në Elbasan dhe në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste. Plakallinjtë e Gostimës nuk ishin thjesht një familje e goditur nga regjimi; ata përfaqësonin një qëndrim, një bindje dhe një mënyrë të të jetuarit që nuk pajtohej me nënshtrimin. Burrat e këtij fisi e paguan shtrenjtë qëndrimin e tyre, duke kaluar së bashku qindra vite burgje, internime dhe vuajtje. Por, ndërsa regjimi përpiqej t'u merrte lirinë, t'u shkatërronte familjet dhe t'u fshinte emrat nga kujtesa publike, ata ruajtën atë që asnjë diktaturë nuk mund ta burgosë plotësisht: dinjitetin dhe besimin te një Shqipëri e lirë.

Shaban Plaka ishte një antikomunist i vendosur, një demokrat me bindje të thella dhe një nacionalist i madh. Ai nuk e ndërroi qëndrimin as kur çmimi i tij u bë vetë jeta. Vitet e burgut nuk e shndërruan në një njeri të mbushur me urrejtje. Përkundrazi, ata që e kujtojnë flasin për njerëzoren që ruajti deri në fund, për qëndrueshmërinë e karakterit dhe për qartësinë e ideve të tij mbi demokracinë. Ishte një burrë që e njihte mirë padrejtësinë, sepse e kishte përjetuar në mishin e vet, por që nuk lejoi që ajo t'ia helmonte shpirtin. Në një kohë kur frika ishte kthyer në mekanizëm sundimi, Shabani mbeti njeri i bindjeve të veta, pa bërë kompromis me ndërgjegjen.

Dua të theksoj se këto të dhëna e bëjnë edhe më tronditëse historinë e Shaban Plakës dhe qëndresën e tij përballë diktaturës. Më 17 nëntor 1944, ende pa mbushur 25 vjeç dhe përpara se t'i kishte lindur i biri, Hilmi Plaka, ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burg për agjitacion e propagandë, duke u cilësuar nga regjimi i sapovendosur komunist si një element mjaft i rrezikshëm. Në të vërtetë, të gjithë e dinin se faji i vetëm i Shabanit ishte ndershmëria në një regjim të pandershëm, guximi për të mbrojtur bindjet e tij nacionaliste në një kohë kur pushteti kërkonte nënshtrim dhe heshtje. Ai ishte një atdhetar që nuk mund ta pranonte shkëputjen e trojeve shqiptare, fatin e Kosovës, të Çamërisë dhe të viseve të tjera të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë. Për këto bindje, për këtë dashuri të pakushtëzuar ndaj atdheut, ai u dërgua të vuante dënimin në kënetën e Maliqit, një nga vendet më të rënda të punës së detyruar në Shqipërinë komuniste. U lirua në vitin 1954, por liria e tij ishte vetëm formale. Mbikëqyrja, survejimi dhe provokimet nuk iu ndanë asnjëherë këtij njeriu të mirë e atdhetari të flaktë, sepse për regjimin edhe dashuria për Shqipërinë, kur nuk përputhej me ideologjinë e tij, përbënte një kërcënim. Më 6 janar 1966, në Elbasan, pas një procesi gjyqësor të zhvilluar me dyer të mbyllura, Shaban Plaka u dënua sërish me dhjetë vjet burgim të rëndë. Kështu, një jetë që duhej të ishte përkushtuar familjes, punës dhe atdheut, u kthye në një kalvar të pafund burgjesh, vetëm sepse ai nuk pranoi të hiqte dorë nga e vërteta e tij. Shabani nuk u dënua për atë që kishte bërë, por për atë që ishte: një shqiptar që nuk e ndante dashurinë për vendin nga e drejta për të qenë i lirë. Pra më 6 janar 1966, regjimi e dënoi sërish me dhjetë vjet burg të rëndë, në një proces të zhvilluar me dyer të mbyllura dhe të mbështetur në dëshmi të rreme. Ishte një tjetër goditje e rëndë ndaj një njeriu që pushteti nuk arriti ta thyente me dënimet e mëparshme. Shabani nisi kështu një tjetër udhëtim nëpër burgjet e Shqipërisë komuniste, duke lënë pas vetes jo vetëm gjurmët e vuajtjes, por edhe dëshminë e një shprese që nuk u shua. Në çdo qeli, në çdo kamp dhe në çdo vend ku e çoi dhuna shtetërore, ai mbarti me vete besimin se një ditë Shqipëria do të çlirohej nga diktatura. Ishte një shpresë që për shumëkënd dukej e pamundur, por për të mbetej arsyeja për të mos u dorëzuar.

Në vitin 1975, pas dhjetë vitesh të tjera burgimi, Shaban Plaka doli nga burgu. Por liria e tij erdhi tepër vonë. Shëndeti ishte dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga vitet e vuajtjeve, nga kushtet çnjerëzore dhe nga një jetë e tërë e përballur me dhunën e regjimit. Vetëm një muaj pas daljes nga burgu, në moshën 53-vjeçare, ai ndërroi jetë. Kështu, njeriu që kishte ëndërruar një Shqipëri të lirë, nuk pati mundësinë ta shihte atë ditë që aq shumë e kishte pritur. Ai u largua nga kjo botë pa e ditur se pas shumë vitesh, në vendin ku dikur emri i tij përmendej në fletoret e zeza të pushtetit, do të kishte njerëz që do ta nderonin si simbol të qëndresës dhe të dinjitetit njerëzor.

Por Shabani nuk ishte i vetmi që pagoi me jetën dhe lirinë e tij qëndrimin kundër diktaturës. Kalvari i fisit Plaka përbën një nga ato kapituj të historisë sonë që kërkojnë jo vetëm kujtesë, por edhe një vëmendje të veçantë njerëzore e historike. Vëllai i tij, Ibrahim Plaka, u dënua me pesë vjet burg nën akuzën absurde se nuk kishte dashur të votonte. Në një sistem ku vota duhej të ishte dëshmi bindjeje dhe jo shprehje e vullnetit të lirë, edhe mosvotimi mund të shndërrohej në një krim politik. Një tjetër vëlla, Nuri Plaka, në vitin 1953, në malet e Bizes, zgjodhi të vetëhelmohej me një ampulë helmimi për të mos rënë në duart e Sigurimit të Shtetit. Ai vdiq me bindjen e tij proamerikane dhe me aspiratën për një demokraci të vërtetë, duke e kthyer tragjedinë personale në një dëshmi të dhimbshme të kohës kur njeriu mund të detyrohej të zgjidhte mes robërisë dhe vdekjes. Edhe Myslim Plaka u internua për tetë vjet në zonat e thella malore të Tepelenës, nën akuzën se ishte një njeri i rrezikshëm për regjimin komunist. Kjo ishte gjuha e pushtetit për ata që nuk pranonin të mendonin sipas vijës zyrtare: mjaftonte të kishe një bindje tjetër, një qëndrim të pavarur apo një lidhje familjare të padëshiruar, që të shpalleshe armik. Në të njëjtin kalvar përfshihen edhe Ymer Plaka, Hysen Plaka, Llukman Plaka, Ismail Plaka dhe shumë burra të tjerë të këtij fisi, të cilët u dënuan me dhjetëra vite burgimi dhe përndjekjeje. Secili prej tyre mbart një histori më vete, por të gjitha këto histori bashkohen në një të vërtetë të madhe: diktatura nuk goditi vetëm individët, por u përpoq të shkatërronte familje të tëra, të ndërpriste trashëgiminë e tyre morale dhe të mbillte frikën edhe te brezat që do të vinin.

Në këtë kuptim, qëndresa e Shaban Plakës dhe e fisit të tij nuk ishte vetëm një akt kundërshtimi ndaj një regjimi politik. Ajo ishte edhe një mbrojtje e dinjitetit kombëtar, e së drejtës për të menduar ndryshe dhe e aspiratës për një Shqipëri ku njeriu të mos dënohej për bindjet e tij. Nacionalizmi i Shabanit, ashtu siç e dëshmon jeta e tij, nuk ishte një fjalë e zbrazët apo një parullë e përdorur për të fituar duartrokitje. Ai ishte një lidhje e thellë me vendin, me lirinë dhe me të ardhmen e tij. Ishte bindja se Shqipëria nuk mund të ishte e plotë nëse qytetarët e saj jetonin të frikësuar, të përndjekur dhe të privuar nga të drejtat themelore.

Për këtë arsye, nderimi që iu bë këto ditë Shaban Plakës nga Këshilli i Komunës së Gostimës është një akt plotësisht i merituar, edhe pse i vonuar në kohë. Ai nuk është thjesht një vlerësim për një emër të së kaluarës, por një përpjekje për t'i kthyer vendin e merituar një njeriu që regjimi u përpoq ta fshinte nga kujtesa. Nderimi i tij është, njëkohësisht, nderim për të gjithë ata burra e gra që vuajtën për shkak të bindjeve të tyre, për familjet që mbajtën mbi supe peshën e internimeve dhe të burgjeve, si dhe për brezat që trashëguan jo pasuri materiale, por një testament të çmuar lirie.

Kur kujtoj takimin tim të dikurshëm me Ilmi Plakën, tani e kuptoj më mirë se pas asaj fjale të ëmbël, atij përkushtimi ndaj demokracisë dhe asaj vendosmërie për të ndërtuar një Gostimë të lirë, qëndronte edhe historia e një familjeje që e kishte paguar shtrenjtë lirinë. Ilmiu ishte një nga ata njerëz që, në vitet e para të demokracisë, u përpoqën të ndërtonin atë që etërit e tyre nuk patën mundësi ta shihnin. Si një nga themeluesit e degës së Partisë Demokratike në Elbasan dhe si kryetar i zgjedhur i Komunës së Gostimës pas rënies së diktaturës, ai përfaqësonte vazhdimësinë e një aspirate që kishte mbijetuar nëpër burgje, nëpër internime dhe në heshtjen e detyruar të dekadave.

Gostima, duke ruajtur kujtimin e Shaban Plakës, ruan një pjesë të rëndësishme të vetvetes. Sepse historia e një vendi nuk ndërtohet vetëm me emrat e atyre që kanë qeverisur, por edhe me jetët e atyre që kanë vuajtur për të mos lejuar që liria të zhdukej. Shaban Plaka ishte një prej tyre. Ai nuk pati mundësi ta shihte Shqipërinë demokratike, por la pas një trashëgimi që nuk matet me vitet e jetës, as me vitet e burgut. Ajo matet me forcën e një njeriu për të mbetur besnik ndaj vetes edhe kur gjithçka tjetër i merrej. Demokracia e vërtetë nuk i harron apostujt e saj. Ajo i kërkon në kujtesën e kombit, i nxjerr nga heshtja dhe u kthen emrin, dinjitetin dhe vendin që u takon në histori. Shaban Plaka nuk u mposht nga diktatura; ajo vetëm ia ndërpreu jetën, por nuk arriti t'ia burgoste bindjet. Dhe sot, kur Gostima e nderon, nuk është vetëm një burrë që ngrihet në piedestalin e kujtesës, por është vetë ndërgjegjja e një kohe që kërkon të mos harrohet.

Në vitin 2012 kur unë isha në emigracion mësova se pas shumë vitesh heshtjeje dhe pritjeje, Komuna e Gostimës e nderoi Shaban Plakën me titullin “Qytetar Nderi”, duke i dhënë një vend të merituar në kujtesën dhe historinë e vendlindjes së tij. Njëkohësisht, emri i tij iu dha një rruge në Gostimë, si një shenjë e qëndrueshme mirënjohjeje për jetën, qëndresën dhe idealet që ai mbrojti deri në frymën e fundit. Ky vendim, ndonëse i ardhur pas shumë vitesh, përbën më shumë se një vlerësim institucional: është një akt drejtësie morale ndaj një burri që diktatura e dënoi, e burgosi dhe e privoi nga liria, por që nuk mundi ta shkëpuste nga dashuria për atdheun dhe besimi te demokracia. Tashmë, sa herë që dikush do të përshkojë atë rrugë, emri i Shaban Plakës do të jetë aty, jo si një kujtim i largët, por si një dëshmi e gjallë se ka njerëz që ikin nga kjo botë, por mbeten përgjithmonë në rrugët e historisë së vendit të tyre.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page