Fatmir Terziu: Sa herë i rikthehem arkivave të “Fjala e Lirë”, Londër
- 40 minutes ago
- 3 min read

Sa herë i rikthehem arkivave të “Fjala e Lirë”, Londër, lexoj edhe këtë poezi të poetit nga Ishmi, Vaid Hyzoti, dhe çdo herë më duket se vargjet e saj fitojnë një kuptim të ri. “...NDAJ MBUSHEM ME THINJA” është një poezi që nuk lexohet vetëm me sy, por me kujtesë. Ajo nis me një pyetje të thjeshtë, pothuajse të zakonshme: “Ç'dua të më sjellësh nga Shqipëria?”, por përgjigjja që vjen përmes heshtjes së poetit e shndërron menjëherë pyetjen në një udhëtim drejt vendlindjes, fëmijërisë dhe atyre hapësirave që koha i ka ndryshuar ose i ka zhdukur. Shqipëria e Vahid Hyzotit nuk është vetëm një vend në hartë; është një vend i ndërtuar nga kujtimet, nga të gjallët dhe të vdekurit, nga lumi, kalaja, shtëpia, korija, shkolla dhe rrugët ku dikur kishte një jetë që sot ekziston vetëm në kujtesë.
Në këtë poezi, malli nuk është thjesht ndjenjë, por një formë e veçantë e ekzistencës. Episodi i fëmijërisë, me sandalet e “NISH GOMËS” të humbura ndërsa poeti përpiqej të bashkonte lumin me detin, është një nga ato imazhe që mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit. Pas tij fshihet një simbolikë e thellë: fëmija që kërkon të bashkojë dy ujëra është i njëjti njeri që, vite më vonë, kërkon të bashkojë të shkuarën me të tashmen, vendlindjen me largësinë dhe kujtesën me realitetin. Por kthimi imagjinar zbulon se shumëçka nuk është më aty. Korija është zhdukur, hapësirat e dikurshme janë zëvendësuar, ndërsa bashkë me peizazhin duket sikur është zhdukur edhe një pjesë e botës shpirtërore të poetit.
Veçanërisht interesante është ironia me të cilën Hyzoti i rikthehet miqve të dikurshëm dhe botës letrare. Ai kërkon t'i sjellin “ca miq që shkruanin dikur”, por përgjigjja është tronditëse: ata janë rënduar nga lavdia dhe, me një humor të hollë therës, “me hipotekë / Kishin pronësuar / Tërë letërsinë!”. Këtu poeti kalon nga malli individual te një vështrim kritik mbi kohën, mbi ndryshimin e njerëzve dhe mbi mënyrën se si lavdia mund ta shndërrojë edhe kujtesën në pronë. Prandaj, dhurata që më në fund i mbetet është një stekë cigare, një objekt i vogël që merr përmasa simbolike. Cigarja bëhet “tymim për eshtra”, ndërsa eshtrat janë ato të kujtimeve që digjen përditë. Në këtë pikë poezia e humbjes shndërrohet në poezi të moshës, të kohës dhe të emigrimit.
Dhe atëherë kuptojmë edhe titullin: “...NDAJ MBUSHEM ME THINJA”. Thinjat nuk janë këtu vetëm shenjë e plakjes; ato janë hiri i një jete të tërë që nuk mund të kthehet më. “S'e merr era hirin. / Ai del në flokë” është një nga ato përfundime që e mbyll poezinë si një rreth të plotë: ajo që digjet brenda nesh, nëse nuk mund të shuhet, bëhet e dukshme jashtë nesh. Çdo thinjë është një kujtim, një njeri, një vend, një dashuri, një rrugë e humbur. Prandaj, sa herë i rikthehem arkivave të “Fjala e Lirë”, Londër, kjo poezi e Vahid Hyzotit më duket gjithnjë e më shumë si një dokument poetik i mërgimit dhe i kujtesës: një dëshmi se vendlindja mund të ndryshojë, rrugët mund të zhduken, miqtë mund të harrojnë, por ajo që ka hyrë thellë në shpirt nuk ikën. Ajo mbetet, digjet ngadalë dhe, në fund, shfaqet në flokët tanë si thinjë. (F. T.)
________
Vaid Hyzoti: ...NDAJ MBUSHEM ME THINJA
Më pyet, se ç'dua të më sjellësh nga Shqipëria
Dhe unë mbetem i mekur...
Është mal i lartë i përmalljeve të mia,
Populluar në çdo brinjë
Me të gjallë e të vdekur...
Të them të shkosh në derdhjen e lumit të vendlindjes,
Ku humba një palë sandale të NISH GOMËS tek notoja,
Dallgët, flluckat e frikës, tek përpëlitesha i trembur,
Kur lumin me detin
Doja të bashkoja.
Të më sillje një peizazh nga bedeni i kalasë
Dhe horizontin përreth mbushur me ëndërrime...
Të përkëdhelje dhe me gishta të mbuloje një plasë
Nga malli i përbashkët
I imi dhe shtëpisë sime.
Të ecje një copë rrugë me këmbë ndanë korijes,
Aty ku putha një vajzë , fshehur në zabel...
(Pse vallë ma the, se korija është zhdukur.
Veç putana dhe kodoshë
Hynin në motel)?
Të shkoje në shkollë dhe në fakultet...
Gjithkund ku kam unë kujtimet e mia...
Pse më thua nuk gjete gjurmë as në tokë, as në det?
Jam i saj
Dhe është dhe e imja Shqipëria?
Kam patur ca miq që shkruanin dikur, m'i sill!
Më thua qenë rënduar, ngarkuar me lavdinë.
S'më mbanin mënd dhe me hipotekë
Kishin pronësuar
Tërë letërsinë!
...dhe për mallin tim vendose të më sillje
Vetëm një stekë me paketa.
Po ti e kuptove-si vallë e dije,
Këto cigare për mua
Janë tymim për eshtra.
Eshtra kujtimesh që djeg çdo ditë,
Eshtra të ditëve të mia...
S'e merr era hirin.
Ai del në flokë,
Ndaj njerëzit e plakur
Mbushen me thinja!
Gusht 2015








Comments