Fatmir Terziu: Rëra dhe kukulla
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 23 minutes ago
- 4 min read

Rëra dhe kukulla
Nga Fatmir Terziu
Atë orë mësimi na e bëri një i huaj. Nuk e di pse e quajtëm të tillë, kur e dinim që në moshën time gjashtë vjeçare, “i huaji” nuk do të guxonte të kalonte ROGVL-të (Rojet e Organizuara në Grupe Vigjilente Luftarake) tona që ishin thuajse në të katër kuadratet e gardhit me tela, që quhej Klon. Sidoqoftë, mësuesi vinte nga larg. Ishte i bëshëm dhe i gjatë. U përkul shumë kur hyri në derën e klasës ku zhvillonim Orën e Mësimit të Punës së Dorës. Me vete mbante një kovë me rërë. E ashtu, ngadalë u prezantua dhe e la kovën me rërë në fund të këndit të majtë të tavolinës së mësuesit. Pastaj e derdhi në një paisje të mistershme, bashkë me një trup kukulle, që ashtu si e kishte ngjyrën na u duk si një trup i vdekur. E rëra u bë grumbull.
Grumbulli i rërës filloi të rritej. Pa e kuptuar kokrrat e rërës nxituan pranë njëra-tjetrës dhe u derdhën çmendurisht, duke e gëlltitur kështu edhe kukullën në fund të pajisjes së tij misterioze. Gjithçka po mbytej përgjithmonë në këtë rërë. Ai tha se dikush nga ne duhej ta ndihmonte. Unë në këtë rast, nuk e di pse e ngrita dorën, ndoshta në hutim e sipër, a ndoshta... Nejse, ai na tha se me këtë do të maste kohën. E ne duhet të mësoheshim edhe me racionin e kohës, krahas racioneve të tjera të asaj kohe. Ai shtoi se kjo është matësja më e vjetër e kohërave. Atë ditë të gjithë mbetëm të heshtur. Heshtje..., e cila sot më detyron të pyes veten nëse ky i huaj që maste kohën e të gjitha gjërave, në këtë rast, në rastin tim, e ka përdorur edhe dorën time.
A nuk e kishte vënë dora ime në lëvizje orën me rërë gjatë asaj ore mësimore të moshë sime gjashtë vjeçare, orën me rërë në të cilën raporti midis kokrrizave të rërës në majë dhe kokrrizave në fund, si pajisja më e saktë, tregonte sasinë e mjerimit tim, të mjerimit tonë? Dora me të cilën e përkëdhela trupin e saj të butë atë orë mësimore dhe në pëllëmbën e së cilës fytyra e kukullës shpesh pushonte për pesëmbëdhjetë minutat në vijim, përpara se koha të përshpejtonte ritmin e kokrrizave të fundit të rërës që zhdukeshin me shpejtësi rrufeje para syve tanë dhe të zbulonin boshllëkun e plotë dhe të pakthyeshëm të formës së sipërme të kohës sonë të caktuar, tani të humbur. Por prekjen e kukullës, prekjen e asaj dite, dorën time të butë fëminore i huaji e quajti formë të të dashuruarit. Ne ishim fëmijë dhe kjo fjalë në mendjet tona, ishte po aq e huaj. Dashuria duhej të kishte vetëm një pikë, e pikërisht atë që varej në krye të klasës mbi një gozhdë.
Po kjo dorë e butë e të dashuruarit, kjo dorë e butë kënaqësie, paqeje, rehatie dhe premtimi, do ta zbulojmë me habi atëherë, është dora që shkaktoi dëmin e pariparueshëm. Dora e misterit, gishti i të cilit së shpejti do të ndalojë së trokituri makinën e shkrimit, nga barku i së cilës dalin faqet e këtij dorëshkrimi, do të tërheqë tastierën e laptopit në sirtar, dhe kjo do të jetë gjëja e fundit që ai do të bëjë në këtë botë, duke e ditur se as në hoën tjetër nuk do të falet.
Mbledh guximin të shkruaj për atë dorë të asaj moshe, a nuk e udhëhoqa çdo pjesë të saj, a nuk ishte dora ime që nxori fletoren e detyrës sime, a nuk ishte ajo që e shtriu dorën për trupin e kukullës së zverdhur? A nuk isha unë që e vendosja dorezën e kësaj historie nga e para sa herë që ndalonte? Dhe kukulla më ndiqte...
E shikoja, ndërsa trupi dilte nga nata në mëngjes, i zbuluar nga rrezet e para të dritës. Nuk mund t'i hiqja sytë nga ai trup i ngushtë, fytyra e fjetur në krahët e mi, buzët e plota, pak të fryra nga rëra, gjumi dhe etja, gjinjtë harmonikë dhe errësira midis kofshëve të bardha, ku gjurmët e asaj dashurie të parë, të pasigurt dhe të ngathët ishin ende të fshehura në atë orë mësimi, në atë matje kohe, në atë moshë fëmije që sa herë që rritej i dukej se ishte dashuruar me atë kukull të vdekur. E kur nuk e ndaja më. Ishte koha dhe matësja e kohës. Edhe duhej ta kisha këtë, edhe duhej... ajo mbrëmje. E mbështolla me çarçaf pastaj dhe rashë në gjumë. Duhet të jemi zgjuar në të njëjtën kohë, ose kemi pritur me kujdes që tjetri të hapte sytë, në mënyrë që të kapërcenim turpin e parë të zgjimit tonë të përbashkët, takimin tonë me mëngjesin, i cili duhet të jetë më i mençur se ajo që na solli nata. Për këtë mençuri shtesë, e cila shpesh përzihet me keqardhje, mund të them vetëm se kur e shikuam njëri-tjetrin kaq lakuriq në dritën e mëngjesit, shpërthyem në të qeshura sikur të ishim shtatëmbëdhjetë vjeç dhe jo një ditë më të mëdhenj dhe vazhduam të bënim dashuri sikur ta kishim zbuluar sharmin e saj vetëm ... Çdo gjë tjetër midis nesh ishte zhdukur, atje, në atë shtrat. Asgjë më shumë, vetëm dy ndjesi që bënin dashuri në dhomën e një apartamenti, në një ndërtesë, në një vend të rrethuar nga i cili nuk kishte rrugëdalje. Unë, rëra dhe kukulla. Po kohën, kush na maste kohën? Pyes veten time sa herë që shikoj rërë dhe kukulla...








