Fatmir Terziu: Romantazia një zhanër i ri hibrid i vitit 2025
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 6
- 4 min read

Romantazia një zhanër i ri hibrid i vitit 2025
Nga Fatmir Terziu
Një zhanër i ri bëri emër dhe ka fituar zemër në krijimtarinë letrare të periudhës pesë a dhjetë vjeçare të shkuar dhe duke vendosur kulmin në vitin që lamë pas. Ky zhanër po bëhet tashmë një fenomen global. Po si ka fituar terren ky zhanër? Sipas burimeve botërore të industrisë së librit, romantazia është një nga zhanret me rritjen më të shpejtë të lexueshmërisë midis vitit 2020 e këtej, veçanërisht falë komuniteteve si BookTok dhe Bookstagram që promovojnë hibriditetin romancë-fantazi.
Si shembuj mund të konsiderojmë Rebecca Yarros me serinë „Fourth Wing/Empyrean“ (Krahu i Katërt/Empirean) që filloi publikimin vitin 2023 dhe që ka arritur shitje rekord në vitin 2025, duke treguar se romantazia është fenomen tregtar (komercial) si asnjëherë më parë në libraritë britanike dhe amerikane. Po ashtu dhe autoren Sarah J. Maas me seritë e saj me p. sh., „A Court of Thorns and Roses“ (Një oborr me gjemba dhe trëndafila) që konsiderohet shpesh si nga krijuesit kryesorë të këtij trendi në nivel botëror. Këto tregojnë se zhanri nuk është vetëm modë kalimtare, por një tendencë kulturale dhe publikuese me impakt domethënës.
Shembull britanik mbetet Emily Tesh me „Greenhollow Duology“ (Duologjia e zbrazët e gjelbër) që është një kombinim i fantazisë dhe romancës në një botë magjike, me çifte të theksuar dhe botë të ndërtuar mirë.
Nga letërsia amerikane, shembuj janë sikurse cituam më lart, Rebecca Yarros me „Fourth Wing/Onyx Storm“ (Krahu i Katërt / Stuhia e Oniksit) fitues i rekordeve të shitjeve dhe një shembull kryesor i romantazisë që përzien luftë, magji, dhe tregim romantik në thelb, pa lënë mënjanë autorët Jennifer L. Armentrout, Danielle L. Jensen, Elise Kova etj.; autorë që kanë sjellë botë komplekse fantastike ku marrëdhëniet dashurore drejtojnë narrativën dhe emocionet. Këta autorë janë shembuj exemplarë të asaj çka nënkupton romantazia, botë e ndërtuar deri në detaje duke shtuar dhe marrëdhënie afektive thelbësore.
A ka hyrë romantazia në letërsinë ballkanike?
Aktualisht nuk kam të dhëna, dhe madje nuk kam gjetur prova konkrete, se ky zhanër është i pranishëm në letërsinë tradicionale, ose akademike të Ballkanit si një fenomen i pavarur i njohur. Termi “romantazia” është përdorur kryesisht në blogje letrare, vlerësime dhe promovime të librave popullorë, por ende nuk ka një përceptim të konsoliduar në kritikën akademike të Ballkanit.
Megjithatë, sipas disa burimeve personale akademike, mësoj se ka dëshmi të përdorimit të termit në artikuj dhe platforma online shqipfolëse, që përshkruajnë këtë zhanër si trend letrar aktual. Pra, si zhanër i konsoliduar në publikimet, ose studimet letrare në rajon, i është pak më larg gjeografikisht dhe jo ende krijimtarisht. Por si koncept letrar dhe trend tek lexuesit e rinj, ai mund të vihet në theksin e përgjigjes po, dhe me sa duket ende ka shenja fillestare.
Pse duhet të shfrytëzohet ky rast nga autorët shqiptarë
Ka disa faktorë që mendoj se duhen shfrytëzuar, sikurse dhe pikat që mund të shtroj këtu. Rritja e audiencës së re, nuk është thjesht gjeografi e ndarë, nuk është as vetëm për lexuesit e Ballkanit, veçanërisht nuk mbetet si faktor vetëm tek pjesa që konsumon letërsi anglisht, sepse faktorët e leximit janë tashmë të ekspozuar ndaj romantazisë dhe kërkojnë histori të ngjashme.
Kjo krijon harmoni mes botës dhe emocionit. Dhe në këtë pikë autorët shqiptarë shpesh shkruajnë me theks të fortë emocional. Ndaj mendoj se integrimi i elementeve fantastike do të rrisë ambiciet narative dhe kompleksitetin stilistik.
Ky zhanër është dhe duhet të shfrytëzohet edhe si markë dhe identitet kulturor, pasi një romantazi e shkruar nga një autor shqiptar mund të sjellë elemente folklorike, mitologjike ose historike lokale në një format globalisht të kërkuar, gjë me të cilën kam krijuar dhe romanin e ri „Gabor“, të cilin koha e mundësoi të rreket në këtë zhanër.
Duke pasur parasysh se duhet pajtueshmëri me trendet globale dhe kur botuesit e mëdhenj po kërkojnë pikërisht zhanre hibridë që kapin emocionin e romancës me botë të ndërtuar mirë, element ky që romantazia ofron në mënyrë autentike, duhet të jetë si një pikë që duhet vlerësuar.
Duke përfunduar
Së fundi, por jo jashtë debatit krijues dhe profesional, dua të shtoj se romantazia është më shumë se një modë letrare. Ajo është një zë i ri në tregun global të letërsisë. Mbetet i tillë si zhanër, sepse po tërheq miliona lexues. Më tej romantazia po transformon mënyrën si shkruhet romanca dhe fantazia bashkë. Pavarësisht se në letërsinë rajonale, më saktë ballkanike, është ende në një fazë embrionale, potenciali është i madh për autorët shqiptarë. Unë mendoj më së shumti është për krijuesit që njihen tashmë se eksplorojnë histori me botë magjike.
Është për disa autorë që fusin elemente të trashëgimisë kulturore shqiptare, rajonale dhe ballkanike, po aq dhe nga ata që shkruajnë traditat etnike, apo krahinore. Një rëndësi të veçantë merr për ata autorë që ndërtojnë marrëdhënie emocionale komplekse, dhe së fundi dhe për ata që synojnë një audiencë globale. Në kontekstin e vitit që lamë pas, ky zhanër dha efektin e largët ndikues në rajon, dhe po kaq dhe tek krijimtaria shqiptare, por në vazhdim, sidomos në kët vit krujues, ky është një moment i favorshëm për të eksperimentuar me këtë zhanër dhe për ta çuar letërsinë tonë në skenën ndërkombëtare.
Kur viti 2026 pritet të ketë një rritje të zërave globalë të përkthyer, natyrshëm mendimi se peizazhi i letërsisë përcaktohet nga përzierja e zhanreve, rrëfimi gjithëpërfshirës dhe proza optimiste që balancon shpresën me sfidat e botës reale, na shie tek shfrytëzimi i mundshëm i zhanreve të reja globale. Në vitin 2026, sikurse bisedohet në rrjetet akademike, zhanret kryesore të reja dhe të lulëzuara përfshijnë romantazinë dhe fantazinë/fanta-shkencën „komode“.









Comments