top of page

Fatmir Terziu: Përse nuk ka një bust të Etëhem Haxhiademit në Shqipëri, qoftë në Elbasan?

Përse nuk ka një bust të Etëhem Haxhiademit në Shqipëri, qoftë në Elbasan?

 

Kanë kaluar thuajse tri dekada e gjysmë nga vendosja e pluralizmit politik. Po aq thuajse dhe nga rikthimi formal i demokracisë në Shqipëri. E mbas kaq kohësh, ende mungon një nderim i plotë, institucional dhe simbolik për Etëhem Haxhiademin, një nga figurat më të mëdha të letërsisë shqipe të shekullit XX. Kjo mungesë nuk është thjesht një harresë administrative. Me sa duket, ajo shndërrohet në një simptomë të thellë të marrëdhënies problematike që shoqëria shqiptare vazhdon të ketë me kujtesën kulturore, me trashëgiminë intelektuale dhe me autorët që nuk përputhen lehtësisht me narrativat ideologjike të së shkuarës.

Etëhem Haxhiademi (Ose Et'hem Haxhiademi)është marë në konsideratë nga pena të fuqishme profesionale, që në vitet e para të pas 90-ës, sidomos nga Prof. Dr. Tomor Plangarica, dhe nga shumë studiues ai konsiderohet me të drejtë “babai i tragjedisë shqiptare”. Ky vlerësim nuk është një hiperbolë kritike, por përfundim i natyrshëm i analizës së veprës së tij dramatike, e cila për herë të parë i dha letërsisë shqipe një strukturë tragjike të konsoliduar, të ndërtuar mbi modelet klasike, por të përthithura dhe të rikrijuara në një kontekst kombëtar. Tragjedia e tij madhore “Pirrua”, në pesë akte, mbetet kulmi i këtij projekti estetik dhe intelektual. Ajo ndërthur historinë, mitin dhe filozofinë e pushtetit me një gjuhë solemne, figuracion heroik dhe një ndërtim dramatik rigoroz, duke trajtuar tema universale si fati, nderi, ambicia, konflikti moral dhe pasionet njerëzore. Personazhet e “Pirruas”, Pirrua, Neoptolemi, Kadmeja, nuk janë figura skematike, por subjekte dramatike me thellësi psikologjike dhe peshë morale. Në këtë vepër, Haxhiademi arrin të vendosë një standard të ri për dramaturgjinë shqiptare, duke e nxjerrë atë nga niveli didaktik ose folklorik dhe duke e afruar me traditën e madhe të tragjedisë klasike evropiane. Pikërisht për këtë arsye, “Pirrua” mbetet një pikë referimi e domosdoshme për çdo studim serioz mbi zhvillimin e letërsisë dramatike shqipe.

Por Haxhiademi nuk është vetëm autori i një vepre të vetme. “Ulisi”, “Akili”, “Tri tragjedi”, “Leka” e mjaft të tjera, janë dëshmi të një projekti të qëndrueshëm krijues, që synonte ndërtimin e një kanoni tragjik kombëtar, ku mitologjia, historia dhe etika shqiptare dialogojnë me modelet klasike greko-romake. Me këto vepra, ai ndikoi thellë në zhvillimin e letërsisë tragji-dramatike shqipe dhe solli në skenë konflikte me përmasë morale dhe historike, të cilat edhe sot mbeten aktuale. Megjithatë, pavarësisht kësaj peshe letrare dhe kulturore, Etëhem Haxhiademi vazhdon të jetë i munguar në hapësirën publike shqiptare. Ai nuk ka marrë ende asnjë dekoratë shtetërore pas vdekjes. Nuk ka një bust të tij as në Tiranë, kryeqytetin ku simbolikisht përfaqësohet memoria kombëtare, as në Elbasan, qytetin e lindjes, qytetin e arsimit dhe kulturës shqiptare, ku Haxhiademi përfaqëson një nga figurat më të shquara intelektuale. Kjo mungesë bëhet edhe më e dhimbshme po të kemi parasysh se ribotimi i veprës së tij nuk ka qenë një projekt shtetëror apo institucional, por një akt përkushtimi familjar. Librat e Haxhiademit janë ribotuar falë përpjekjeve të mbesës së tij, Hortenca Haxhiademi, e bija e Emin Haxhiademit, ish-kryetar i Bashkisë së Elbasanit dhe i biri i Etëhemit. Në një shtet normal, një autor i këtij kalibri do të ishte objekt studimesh të mbështetura, botimesh kritike dhe përkujtimesh publike; në Shqipëri, barra ka rënë mbi familjen.

Jeta e Etëhem Haxhiademit është po aq tragjike sa edhe veprat e tij. I lindur më 8 mars 1902 në Elbasan, në një familje me traditë të thellë patriotike, ai u formua që herët në frymën e kulturës kombëtare. I ati, Emin Haxhiademi, ishte një nga figurat e shquara të patriotizmit elbasanas, bashkëpunëtor i ngushtë i Kostandin Kristoforidhit dhe një nga nismëtarët e arsimit shqip. Në një letër drejtuar Lasgush Poradecit më 1938, Haxhiademi përshkruan me ndjeshmëri këtë trashëgimi kulturore dhe formimin e tij të hershëm, duke dëshmuar se letërsia dhe çështja kombëtare ishin pjesë organike e jetës së tij që në fëmijëri.

Formimi i tij akademik në Itali, Austri dhe Gjermani, studimet për Shkenca Politike në Berlin, si dhe njohja e thellë e letërsisë klasike, e bënë Haxhiademin një intelektual evropian në kuptimin e plotë të fjalës. Ai shërbeu në administratën shtetërore, ishte veprimtar politik dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore u rreshtua me Ballin Kombëtar dhe Mit’hat Frashërin. Pikërisht ky pozicionim politik do t’i kushtonte shtrenjtë pas ardhjes së regjimit komunist.

Në vitin 1947, Etëhem Haxhiademi u arrestua dhe u dënua me vdekje. Vetëm ndërhyrja e Aleksandër Xhuvanit ia fali jetën, por jo lirinë. Ai mbeti në burg dhe vdiq në Burgun e Burrelit më 17 mars 1965, pak muaj para përfundimit të dënimit. Kështu, tragjedia personale e autorit u shndërrua në një tragjedi kombëtare: vepra e tij u ndalua, emri u fshi dhe kujtesa u dëmtua për dekada. Sot, kur Shqipëria pretendon se ka kapërcyer ndarjet ideologjike të së shkuarës, mungesa e një busti për Etëhem Haxhiademin nuk mund të justifikohet më. Ajo nuk është as çështje fondesh, as prioritetesh urbane, por çështje vullneti kulturor dhe ndërgjegjeje historike. Një bust në Elbasan, të paktën, do të ishte një akt simbolik i vonuar, por i domosdoshëm, për të riafirmuar se letërsia dhe kultura janë më të forta se ideologjitë kalimtare.

Pyetja “përse nuk ka një bust të Etëhem Haxhiademit?” në thelb është pyetja “si e trajton Shqipëria trashëgiminë e saj kulturore?”. Derisa kjo pyetje të marrë një përgjigje konkrete në hapësirën publike, demokracia shqiptare do të mbetet e paplotë edhe në dimensionin e saj kulturor.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page