Fatmir Terziu: Pëllumb Velo shkrimet e tij të hershme i mësonte përmendësh dhe më pas i digjte
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 4 min read

Pëllumb Velo shkrimet e tij të hershme i mësonte përmendësh dhe më pas i digjte
Nga Fatmir Terziu
Me emrin e shkrimtarit, fabulistit dhe zërit satirik të letrësisë shqipe, Pëllumb Velo, janë lidhur mjaft vlera, shkrime, hulumtime, madje dhe disertacione ku përfshihet dhe letërsia për femijë. Velo, i lindur më 2 shkurt 1945 në fshatin Bishan të Vlorës, përfaqëson një zë të veçantë në letërsinë shqipe, veçanërisht në traditën e fabulës dhe satirës. Fëmijëria e tij buzë Vjosës, e mbushur me natyrë, tradita dhe dashuri për artin, formësoi shpirtin e tij krijues. Në vendlindjen me kultura të thella atdhetare, ai gjeti materialin e parë njerëzor e emocional që, më vonë, do t’i ushqente krijimtarinë.
Nga bisedat me të në takimet e Vlorës, në takimet promovuese dhe ato me karakter miqësor, kam mësuar se atë qysh në moshë të vogël, e tërhiqnin dy botë: letërsia dhe piktura. Ai lexoi që herët Naimin, Çajupin, Mjedën, Ali Asllanin, por edhe autorët e huaj që rastisnin në duart e tij, si Bokaçion. Talenti i tij në pikturë u njoh në konkursin e vitit 1959, ku u shpall fitues, por biografia familjare hoqi shumë mundësi nga jeta e tij dhe ky mbeti një realitet i hidhur i kohëjetës së tij aktive me ëndrra të lëna përgjysëm. Ndërkohë, dëshira për të shkruar u bë strehë dhe forcë e brendshme.
Në një bisedë gjatë promovimit të disa librave të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, „Mjeshtër i Madh“ Pëllumb Velo u shpreh se për të origjina e muzës kanë qenë thjeshtësia, shtëpia dhe nëna. Vetë Velo ka pohuar se frymëzimin ia dha nëna, e cila krijonte vjersha pa shkollë, por me zemër. Ajo ishte mësuesja e tij e parë në ritmin e vargut. Babai, i cili u bë model satirik në romanin “Rrethi i kuq”, e inkurajonte të shkruante, por i kërkonte kujdes: fabulat dhe satira në atë kohë mund të interpretoheshin si kundërshti ndaj pushtetit. Për këtë arsye, shumë nga shkrimet e tij të hershme i mësonte përmendësh dhe më pas i digjte, me frikën se mos binin në duar të Sigurimit të Shtetit. Kjo e bën krijimtarinë e Velos jo vetëm artistike, por edhe akt të heshtur guximi.
Librat dhe krijimtaria, letërsia si rezistencë dhe shpëtim

Velo botoi disa vepra të rëndësishme mes viteve 2002–2008, mes tyre poezi, romane, drama dhe sidomos fabula. Ndër botimet më të njohura përmenden: Dhia dhe keci, Shkurta dhe qukapiku, Kërriçi dhe gici – fabulat e tij të para, që mbartin nota morale dhe kritikë sociale. Dhelpra dhe gjahtari (2006), Kunadhja zyrtare (2007), Skilja e lagunës (2008) – që e vendosin Velon si një nga vazhduesit më të spikatur të fabulës shqiptare. Po ashtu, Velo ka shkruar poezi lirike e satirike, romane me ngjyresa autobiografike dhe drama. Stili i tij mbetet ritmik, i kursyer dhe i ngarkuar me mesazhe të drejtpërdrejta. Ai ndjek traditën e Ezopit, La Fontenit dhe satirikëve të mëdhenj, por gjithmonë e rrënjos fabulën në realitetin shqiptar.
Pëllumb Velo punoi 40 vjet me turne në sektorin e naftës – punë e rëndë, por e cila i dha kohë për të lexuar dhe medituar. Leximet e shumta nga letërsia botërore e pasuruan mendimin dhe stilin e tij. Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe mungesës së mbështetjes shtetërore, ai ia doli të botojë librat me ndihmën e fëmijëve, miqve dhe dashamirëve të letërsisë. Blerja me kredi për botimin e një libri tregon përkushtimin e jashtëzakonshëm të tij ndaj artit.
Jeta, politika dhe zhgënjimet, vlerësimet dhe dëshira për të kaluar kufijtë
Duke i përkitur një familjeje të persekutuar, Velo u afrua natyrshëm me Partinë Demokratike në fillimet e saj. Por vite më vonë, ai e kuptoi se politika nuk është terren për shkrimtarin, ndaj i ktheu vitet e mbetura familjes dhe krijimtarisë së tij. Fabulat e Pëllumb Velos janë vlerësuar nga emra të mëdhenj të skenës dhe letrave shqiptare, mes tyre Reshat Arbana, Albert Vërria, Skënder Sallaku, Shaban Demiraj, Teodor Laço, Bardhosh Gaçe, Gëzim Llojdia, Lejla Gorishti, e shumë të tjerë. Kjo e fundit, shkruan për fabulat e tij: „Janë krijime poetike që lexohen me ëndje nga të vegjëlit dhe të rriturit. Poeti është treguar i përmbajtur në moralizime. Disa herë , as në fund të vjershave nuk gjëndet ndonjë predikim i hapur moral.“ Këto vlerësime e kanë mbajtur autorin gjallë shpirtërisht dhe e kanë motivuar të mos ndalet. Dëshira e tij e madhe mbetet që një përkthyes t’i përhapë veprat e tij jashtë Shqipërisë, që fabulat të gjejnë lexues të rinj dhe vlerësim ndërkombëtar.
Konkluzion
Duke konkluduar shkurtimisht mund të themi se Pëllumb Velo përfaqëson një nga ata shkrimtarë që e kanë ndërtuar veprën me mund, me dashuri për fjalën dhe me përkushtim të heshtur, shumë larg lavdisë zyrtare. Ai është pasardhës i denjë i traditës fabularë shqiptare, një satirik i hollë dhe një zë i fortë moral. Jeta e tij, sikurse dihet tashmë e mbushur me vuajtje, pengje, por edhe ngulm e pasion, përbën vetë një fabul të madhe. Ajo si e tillë mbetet një dëshmi se arti i vërtetë nuk shuhet as nën presionin e kohëve, as nën varfërinë materiale. Krijimtaria e tij është një thirrje që satira, morali, thjeshtësia dhe e vërteta kanë ende vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe.









Comments