top of page

Fatmir Terziu: PUTHJA (PARA)KALON PRANË

  • Sep 8, 2025
  • 2 min read

PUTHJA (PARA)KALON PRANË

Nga Fatmir Terziu

 

Një puthje,

e mbetur nën banak bashkë me një “DS”

ndërsa shkruaj vjershën e premtuar në kapak

dhe më në fund gjej guximin syzet të vë

për të dalluar nyjet nga yjet,

më poshtë dhe më lart,

shtrydh sytë sikurse dijet,

vetë aty ku duhet kam mbetur në baltë,

gota me rruaza njëzetë e tetë gradëshe më përzihet

dhe (para)kalon pranë,

ndoshta dhe kur më flihet.

 

RROBAT E PLAZHIT

 

U grindën rrezet e diellit në vendpushim,

kuleta, telefonat, bizhutë mbetën nën tendë,

(pa ndonjë përkushtim)

vetëm sytë udhëtonin të bënin ndonjë portret

si model për penelin tim.

 

Në mbrëmje, kur ngjyrat u trazuan mbi kanavac

duhet të fillonin nga një pikë,

hëna i mbylli xhamat pranë sokakut,

përgjatë buzës së gotave me yrnikë,

duke soditur detin prej merakut

dhe kuajt e erës të lënë lirshëm të fluturonin atë ditë.

 

Më pas hyri në veshët e mi partitura e argëtimit,

refrenet e turpshme të flluskave të shampos

diku këndonin gjelat e zgjimit,

sytë sodisnin lodhjen pas ballos.

Ndërsa unë isha ngushtuar në trup. Nuk hyja dot atje,

po pikturoja pulëbardhat e natës,

i ngatëruar në kupolën time

prej imagjinatës.

 

Çdo mëngjes gudulisja audiencën,

historitë e mia të patreguara,

bënin rikoshetë me të vërtetën,

mbi rrobat e plazhit që dëgjonin si të hutuara,

se si e godisja me butësi erën,

dhe rishkruaja vargjet e papërfunduara.

 

Natyrshëm, buzët e mia paliteshin me buzët e tua mjaltë

si në pikturën e preferuar, ishte koha për të shkuar në shtrat.

(Kur u zgjuam pamë se reklamat e rrobave të plazhit,

ishin bërë padashje pjesë e mëkatit).

Uji i Ftohtë, Vlorë, 20 Gusht 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page