top of page

Fatmir Terziu: POEZIA E SHKOPIT


POEZIA E SHKOPIT

Nga Fatmir Terziu

 

Orkestra e padukshme e mbrëmjes,

shpërndan harmoninë e ditës së lodhur, përtej hapësirës.

 

Shkopi në duar të mbuluara me doreza dirigjon notat e saj

në cipalin e grimëzuar të dritës që zbrazet në sokak

kalldrëmi i Egnatias si i zënë në faj

përvjell trokthet e patkonjve

në muret e Kalasë.

 

Syri i keq – për dreq shëtit me fluturat e natës

duke u përplasur me gërmimet e vjetra

pushtues të ndryshëm mbajnë fjalime

në gërmadha

dhe për daljen nudo të veprave arkeologjike,

arkeologët po struken,

të frikësuar nga zhurma nëpër salla.

 

Por kjo nuk është poezia e shkopit,

ritmi i saj është kyçur në memorje

sipas fatit,

shkopi ulet e ngrihet në korre,

që propagandojnë për rënien në mëkatin e rastit.

 

Në një natë si kjo

u takova me veten dhe dukesha i lodhur

orkestra e padukshme më sillte zëra ngado

imazhi i mjegullt i shkopit ishte zhvendosur

në pakohë.

 

SHËN GJON

(ose sot Shijon)

Nga Fatmir Terziu


Imagjinoj zogj të trishtuar, imagjinarë

si një trill në garën për të fituar,

që kur udhët u ndanë. Udhët vetë kanë ndarë

shtegtarët po pushtojnë përtej trillit

Manastirin e Shën Joan Vladimirit.

 

Po i tabakosin cicërrimat, në mënyrë vezake,

frizat e çuditshme të puplave fryhen vetvetiu,

në vendin e njeriut përgjigjen heshtjet dinake,

si një boshllëk fjalësh midis tyre Jugu dhe Veriu

re shumëngjyrëshe fluturojnë formë flake.

 

Dhe aroma e borzilokut pikon

të dashurit pozojnë, bota është bërë e ftohtë,

poetët shkruajnë vargje në Shën Gjon,

por më kot,

heshtja godet në vetën e parë:

Hidhini poezitë në zjarr!

 

Shijon, Elbasan 17 mars 1997

 

SHËN NAUM

Krehja e gjelbërt është një nëse e vjetër,

strukur në rrjedhë të kaltër, të paqtë,

dhe në pushtetin e Koranit

vjen nga larg,

ndoshta ende beson në pëshpëritjet e miqve,

kafeneve të mëngjesit nën fllad,

ndoshta ende beson se lotët e ujitin tokën me pika të arta

kur toka zbardhet,

dyshon në dimrin, e çmendur pas lirisë së argjendtë

dhe mendimi

të fikson buzët e tua në sytë e mi

dhe t'i puth butësisht

sikur dashuroj një nimfë

sikur më pëlqen të zhytem thellë tek ty,

e të dehem,

e të dehem,

a duhet pafundësisht të të pijë?

E sërrish udhëtoj larg të krijoj në tjetër kohë

dhe ti beson në to, gjithmonë,

të dish se nëse i beson vargjeve të mia sot,

vetë e ke në dorë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page