Fatmir Terziu: Poezia e Qerim Ujkanit si diskurs i etërve të pavdekshëm
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 6 min read

Poezia e Qerim Ujkanit si diskurs i etërve të pavdekshëm
Poezia “Etërit tanë” e Qerim Ujkanit është ndër të paktat poezi që u lexuan lirshëm në vitet shtatëdhjetë edhe nga nxënësit e shkollave të asaj periudhe në Shqipëri. Qerim Ujkani më saktë ishte ndër të paktët autorë nga Kosova që ishte fatmirësisht prezent edhe në tekstet mësimore. Një fat të tillë kishte dhe kjo poezi. Poezia “Etërit tanë” duhet lexuar dhe kuptuar edhe brenda kontekstit letrar e shoqëror të viteve ’70 në Kosovë, një periudhë e rëndësishme e konsolidimit të letërsisë shqipe dhe e vetëdijes kombëtare. Letërsia e kësaj kohe kishte një funksion të theksuar kulturor dhe identitar: ruajtjen e kujtesës historike dhe afirmimin e vlerave njerëzore përballë përvojave të dhunës dhe pushtimit.
Në poezinë e Ujkanit shfaqet një kritikë e qartë ndaj historisë së sundimit dhe pushtimit, e mishëruar nga figurat e “mbretërve e sulltanëve” dhe përmendoret e tyre. Këto simbole të dhunës dhe frikës lidhen drejtpërdrejt me përvojën historike të popullit shqiptar në Kosovë, i cili kishte kaluar nëpër sundime të ndryshme dhe kishte trashëguar një kujtesë kolektive të mbushur me plagë. Në kontekstin e viteve ’70, një kritikë e tillë shprehej shpesh në mënyrë simbolike, për shkak të kufizimeve ideologjike dhe politike.
Në të njëjtën kohë, poezia afirmon figurën e etërve si bartës të vlerave kombëtare dhe morale. Kjo është në përputhje me prirjet e letërsisë kosovare të asaj periudhe, e cila i kushtonte rëndësi të veçantë temave të trashëgimisë, gjuhës, atdheut dhe njeriut të thjeshtë. “Përmendoret e gjalla”, njerëzit, përfaqësojnë idealin e shkrimtarëve të viteve ’70, ndërtimin e identitetit përmes kulturës dhe edukimit, jo përmes dhunës.
Poeti e orienton diskursin jo drejt një nacionalizmi agresiv, por drejt një humanizmi të qetë dhe të qëndrueshëm, tipik për letërsinë e kësaj periudhe në Kosovë. Etërit nuk e mbajnë shoqërinë të lidhur pas së kaluarës së errët, por e drejtojnë atë drejt ardhmërisë. Kjo ide përkon me aspiratat e kohës për zhvillim kulturor, arsimor dhe vetëdije kombëtare. Pra “Etërit tanë” e Qerim Ujkanit është një poezi që pasqyron frymën e letërsisë kosovare të viteve ’70, një letërsi që, përmes simbolit dhe figurës poetike, ruan kujtesën historike, afirmon vlerat njerëzore dhe kontribuon në ndërtimin e identitetit kombëtar. Poezia nuk është vetëm një reflektim mbi të kaluarën, por edhe një projekt moral për të ardhmen.
Kjo, sepse poezia “Etërit tanë” trajton në mënyrë të thellë dhe simbolike raportin e njeriut me historinë dhe trashëgiminë. Në strofat e para, poeti evokon kalimin e “mbretërve e sulltanëve”, figura që simbolizojnë pushtimet, sundimin dhe dhunën historike. Ata: “secili nga një përmendore lanë,/kush kishë, kush xhami në dëbim.” Pra, përmes një kundërvënieje të qartë midis pushtuesve dhe etërve, poeti ndërton një diskurs humanist, ku vlerësohet jo dhuna dhe pushteti, por njeriu dhe jeta. Në fillim të poezisë përmenden mbretër e sulltanë që kaluan nëpër trojet tona, duke lënë pas përmendore, kisha dhe xhami. Këto ndërtime paraqiten si shenja të sundimit dhe frikës, sepse ato përhapin tmerr dhe kujtojnë kohë të errëta pushtimi. Përmendoret prej guri e bronzi përfaqësojnë një histori të ftohtë dhe të dhunshme, e cila nuk sjell gëzim as krenari njerëzore.
Në kontrast të plotë me këtë histori qëndrojnë etërit tanë. Ata nuk ndërtuan përmendore të larta, por i dhanë atdheut njerëz, “përmendore të gjalla”. Për Qerim Ujkanin, vlera më e madhe nuk është objekti material, por njeriu i gjallë, i aftë të ruajë dashurinë, kujtesën dhe shpresën për të ardhmen. Etërit nuk flasin për të kaluarën e mbushur me urrejtje, por për ardhmërinë dhe ecjen përpara.
Në vazhdim të poezisë, poeti ballafaqon dy protagonistë, ku theksi shkon tek përcaktimi “mjeshtër”, pushtuesit që i falën tokës hekur dhe dhunë dhe gjyshërit tanë që i falën njerëz, emër dhe fjalë. Në kontrast të plotë, poeti vendos figurën e gjyshërve/etërve tanë, të cilët shpallen “më mjeshtër se çdo burrë”, jo sepse ndërtuan përmendore, por sepse ndërtuan njerëz. Kjo është pika qendrore ideore e poezisë: “Në vend të tyre ata i dhanë/Njerëz atdheut, përmendore t’gjalla.” Këtu përmendorja zhvendoset nga objekti te subjekti, nga guri te njeriu. Diskursi i etërve nuk kërkon përjetësi në bronx, por vazhdimësi në jetë, në dashuri, në kujtesë dhe në gjuhë.
Ky ballafaqim përforcon mesazhin qendror të poezisë se trashëgimia e vërtetë është njerëzore dhe morale. Në këtë mënyrë, “Etërit tanë” shndërrohet në një thirrje për ta kuptuar historinë jo si sundim, por si përgjegjësi ndaj jetës dhe brezave që vijnë. Poeti organizon një ballafaqim simbolik: “dy mjeshtër shikohen/Ata që tokës sonë hekur i falën,/Dhe gjyshat tanë që krenohen/Me njerëz të gjallë, emrin e fjalën.” “Hekuri” simbolizon dhunën, pushtimin, armën; ndërsa “emri dhe fjala” përfaqësojnë identitetin, gjuhën dhe kulturën. Poezia përfundon me një gjykim të qartë: mjeshtëria e vërtetë është ajo që lë njerëz dhe fjalë, jo hekur dhe frikë.
Poezia “Etërit tanë” trajton mënyrën se si duhet kuptuar dhe vlerësuar historia. Poeti ndërton një diskurs të fortë kundërshtues ndaj historisë së pushtetit dhe dhunës, duke afirmuar rolin e etërve si bartës të vlerave njerëzore dhe morale. Në thelb të poezisë, përshkruhen pushtimet historike nga mbretër e sulltanë, të cilët lanë pas përmendore, kisha e xhami, si shenja të sundimit dhe frikës. Këto monumente nuk janë shprehje e qytetërimit, por simbole të një historie të dhunshme, që vazhdon të rëndojë mbi hapësirat dhe kujtesën kolektive.
Në kundërvënie me këtë histori të ftohtë qëndrojnë etërit tanë. Ata nuk ndërtuan përmendore prej guri apo bronzi, por ndërtuan njerëz. Bronxi dhe guri, materiale të përhershme, bëhen metafora të ngrirjes së dhunës në histori, ku pushteti kërkon të përjetësohet përmes frikës. Statujat “rrëfejnë” jo lavdi njerëzore, por “trishtim e lemeri për zaptitë”. Këtu, memoria historike paraqitet si e errët, e rëndë dhe kërcënuese, një kujtesë që sundon hapësirat publike, por nuk ushqen shpirtin. Ndryshe nga statujat që flasin për të kaluarën e dhunshme, “përmendoret e gjalla” “flasin për ardhmëri.” Etërit nuk e ngulin njeriun në vend, por e vënë në lëvizje. Ata nuk pengojnë rrugët, por i hapin shtigjet. Metafora e ecjes dhe e gjakut në sy nënvizon sakrificën jetësore, por edhe energjinë krijuese që ushqen shtëpinë dhe atdheun.
Kjo ide përbën boshtin tematik të poezisë. Për Qerim Ujkanin, përmendorja e vërtetë është njeriu i gjallë, i cili mban në vete dashurinë për atdheun dhe shpresën për të ardhmen. Poeti thekson se etërit nuk flasin për një të kaluar të mbushur me urrejtje, por për ardhmërinë. Ata nuk i bllokojnë rrugët, por i hapin ato, duke e orientuar shoqërinë drejt jetës dhe zhvillimit. Kështu, poezia merr një dimension etik dhe edukativ, duke e paraqitur trashëgiminë si përgjegjësi morale.
“Etërit tanë” është një poezi me karakter të theksuar humanist dhe kombëtar, ku Qerim Ujkani artikulon një diskurs alternativ të historisë. Ai e zhvendos vëmendjen nga pushteti tek njeriu, nga monumenti tek jeta, nga e kaluara e dhunshme tek ardhmëria e ndërtuar mbi etikën e etërve. Në këtë kuptim, poezia nuk është vetëm një homazh për të kaluarën, por një manifest për mënyrën se si duhet kujtuar dhe ndërtuar historia, me njerëz të gjallë, jo me bronx të ftohtë.
Qerim Ujkani: „Etërit tanë“
Kaluan shumë mbretër e sulltanë
Me hordhi shpeditash ne pushtim,
secili nga nje permendore lanë,
kush kishe, kush xhami ne dëbim.
Menduan se keshtu ata i dhanë
Tokes veprat madheshtore,
Që tmerr e frike në çdo anë
Përhapin te vengërta prore.
E për kohëra t'errëta, për oborret,
Plot trishtim e lemeri për zaptitë,
Nepër sheshe rrëfejnë shtatoret
Dhe bronx i tyre kobshëm shendrit.
lemput i napın nojulat e veta,
ariskate arelt virgler karshone.
Nga thellesitë e tyre te errëta
Hyjnite hijerende brezat gortojne.
Ishin mjeshter te medheni dalte,
Mire e skaliten dhunën ne gurë.
Po gjyshat tanë zotër te kesaj balte,
Qene më mjeshter se çdo burre.
Ata s'ndërtuan përmendore të larta,
Njërën pranë tjetrës sikur dhëmbët,
Që në bronx gendrojnë t'llahtarta
E askund nuk i shpien kembët...
Ata nuk i falen tokës atërore
Figura te ftohta te penduara,
Që frike e tmerr kllasin prore
Dhe jo çaste krenare, te gëzuara,
Në vend të tyre ata i dhanë
Njerëz atdheut, permendore t'gjalla.
Secili syresh nje dashuri ruan
Te bukur si hyrite ndër perralla.
Ata s'rrëfejne per kohe te shkuar,
Ku gielli idhnak rigonte mëri.
Kenagesi eshte per te degjuar
Fjalët e tyre për ardhmëri.
..
Nuk minë buze rruge me kembet shtang,
Po shtigjet i mbushin me ecje t'reja.
Me sytë e gjakut çdo shtëpi e plang
Stolisin, dhe zemrat kaplon hareja.
... Tash sy me sy dy mjeshter shikohen
Ata që tokës sonë hekur i falën,
Dhe gjyshat tanë që krenohen
Me njerëz te gjalle, emrin e fjalën.
Botuar në vitin 1975









Comments