Fatmir Terziu: Në median profesionale të Çerçiz Loloçit „Alb-Spirit.com“ lexova
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 23, 2025
- 5 min read

Në median profesionale të Çerçiz Loloçit „Alb-Spirit.com“ lexova me kurreshtje një shkrim dhe një analizë të përsosur të shkrimtarit dhe gazetarit, publicistit dhe „ikanakut“ (sikurse ai dëshiron ta quaj veveten) me titull dhe nëntituj: Shefqet Meko: Shembujt e dorëheqjes nga politikanët e Institutit të Lartë Bujqësor - Shembujt e dorëheqjes nga politikanët e “shkollës së Dakos” - Një listë pa fund dhe pyetja pezull… Dhe pas leximit tim menjëherë mendja më yshti tek konteksti dhe qëllimi i shkrimit.
Shkrimi i Shefqet Mekos është një ese publicistike me tone polemike, që synon të ngrejë një tezë morale dhe kulturore mbi fenomenin e dorëheqjes në politikën shqiptare, duke e lidhur atë me origjinën akademike të një grupi politikanësh të dalë nga Ish-Instituti i Lartë Bujqësor (ILB), sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Qëllimi i autorit nuk është historik, apo dokumentar, por, krahasues (dy “shkolla” politike), akuzues (ndaj një elite që nuk largohet), nostalgjik (për një elitë që “dinte të ikte”), dhe ironik (sidomos në fund, me referencën ndaj “Shokut Ramiz”).
Teza qendrore e Mekos mund të përmblidhet kështu, politikanët e dalë nga “Shkolla e Dakos” (ILB) kanë treguar një kulturë dorëheqjeje, vetëpërmbajtjeje dhe dinjiteti, në kontrast me politikanët e formuar në universitetet ideologjike të regjimit, të cilët nuk e njohin largimin nga pushteti. Kjo tezë ndërtohet mbi tre shtylla. Formimi akademik jo-dogmatik i ILB-së, karakteri individual i elitës bujqësore-intelektuale, dhe degjenerimi moral i elitës politike të dalë nga universitetet ideologjike.
Struktura narrative dhe retorike varion me penën e Mekos, tek lista si instrument moral. Lista e gjatë e emrave nuk është neutrale. Ajo shërben si argument moral (“shikoni sa shumë janë”), akt gjykimi kolektiv, kronikë e një largimi dinjitoz. Por kjo teknikë ka edhe dobësi, ku mungon dallimi mes dorëheqjes vullnetare dhe përjashtimit politik, disa figura janë larguar jo për parime, por për humbje pushteti, dorëheqja shpesh idealizohet, pa analizuar pasojat reale të veprimeve të tyre politike.
Duke u thelluar tek shkrimi i Shefqet Mekos, pashë se autori i respektuar përdor një ironi të thatë, herë-herë therëse me terma si “i zhytur tek vetja”, “i humbur në fantazitë e veta”, “po mediton për dorëheqjen sapo të lirohet shefi”. Kjo e bën tekstin të lexueshëm dhe provokues, por herë-herë e zhvendos nga analiza në portretizim subjektiv. Me këtë kontekst Meko shkruan dhe thellon mendimin me “Shkolla e Dakos” si mit kulturor. Autori ndërton një mit pozitiv rreth ILB-së si hapësirë pragmatike, më pak ideologjike dhe sipas tij më afër realitetit dhe punës konkrete.
Kjo është pjesërisht e vërtetë, pasi ILB kishte një kulturë teknike dhe jo thjesht doktrinare, prodhonte specialistë dhe jo vetëm kuadro partie. Por këtu shfaqet një idealizim retrospektiv, se jo të gjithë politikanët e kësaj shkolle kanë qenë shembuj etikë, dorëheqja nuk është gjithmonë shenjë virtyti dhe ndonjëherë është thjesht tërheqje taktike.
Krahasimi me ish-Universitetin e Tiranës (Enver Hoxha) është politikisht i ngarkuar. Meko sugjeron se aty u formua një elitë pushtetmbajtëse dogmatike, që e sheh pushtetin si pronë personale, dhe nuk njeh dorëheqjen si akt përgjegjësie. Pyetja ironike finale “Çfarë lloj çorbe t’u ketë ofruar Shoku Ramiz?” është një akuzë simbolike ndaj trashëgimisë së nomenklaturës, një aludim për mentalitetin e përjetësisë në pushtet. Megjithatë, edhe ky krahasim është disi reduktues, pasi shumë politikanë të UT-së kanë dhënë dorëheqje, problemi është më shumë tek kultura politike shqiptare, jo vetëm shkolla.
Çfarë mungon në analizën e Mekos? Së pari mungon ajo që quhet Analiza e sistemit. Teksti fokusohet tek individët, por nuk analizon partitë si struktura përjashtuese, mungesën e rotacionit të brendshëm, klientelizmin dhe kapjen e institucioneve. Tjetra, 'Dorëheqja' si akt politik real, nuk trajtohet tek pyetja kyçe „A sollën këto dorëheqje ndonjë përmirësim real për demokracinë?“ dhe Apo ishin thjesht largime personale pa ndikim strukturor?
Shkrimi i Shefqet Mekos është i fortë në mesazh moral, provokues dhe i qëllimshëm politikisht,
i dobishëm si reflektim kulturor. Por, është më shumë ese nostalgjike dhe polemike, sesa analizë shkencore, idealizon një grup dhe demonizon një tjetër, e trajton dorëheqjen më shumë si virtyt individual, jo si institucion demokratik. Teksti na kujton një të vërtetë të hidhur. Në Shqipëri problemi nuk është mungesa e njerëzve që dinë të largohen, por mungesa e një sistemi që i detyron të largohen. Në këtë kuptim, “Shkolla e Dakos” mbetet më shumë simbol i një etike të humbur, sesa model i riprodhueshëm sot. (F. Terziu)
Po e botoj shkrimin pa „lejen“ e autorit, duke i kërkuar ndjesë:
Shefqet Meko: Shembujt e dorëheqjes nga politikanët e Institutit të Lartë Bujqësor
Shembujt e dorëheqjes nga politikanët e “shkollës së Dakos”
Një listë pa fund dhe pyetja pezull…
Ish Instituti i Lartë Bujqësor (ILB), sot Universiteti Bujqësor i Tiranës i ka ofruar politikës shqiptare një “brigadë” të tërë me politikanë që janë shfaqur plot energji, shpresë dhe kur dhanë atë që mundën, janë larguar pa zhurmë. Ja shembujt:
Namik Dokle – ish-politikan, tani i dorëhequr, shkrimtar i lirë!
Lush Përpali – i dorëhequr nga politika. I fokusuar në fushën akademike universitare.
Lufter Xhuveli – ish -politikan, ish- ministër e kryetar partie, tani shkruan libra dhe kujtime!
Rexhep Uka- ish-ministër dhe ish-zv-kryeministër, i dorëhequr. Po shkruan “Kujtimet Xixëllimë” duke punuar pa orar tek “Ferma UKA”.
Bamir Topi- ish-president dhe ish- dyshi i PD-së, i dorëhequr shkruan libra e jep intervista!
Jemin Gjana- ish-ministë, ish-nënkryetar i PD. Tani hulumton në “Ditaret politike” ende për veten e vet!
Ridvan Bode – i zhytur tek vetja. Nuk ia kujton kush emrin tek “Selia Blu”kur dikur ishte numri dy.
Myqerem Tafaj – ish-ministër dhe ish-deputet. Tani lektor i spikatur në UBT.
Mehmet Loci – ish-deputet, tani “vështron politikën” e ish-shokëve të idealit.
Edmond Panariti-po mediton për dorëheqjen nga politika sapo “të lirohet shefi nga arresti”.
Stefan Çipa – ish-ministër dhe ish-deputet, tani i dorëhequr nga politika.
Gjok Uldedaj – ish-deputet, i larguar nga politika, tani rektor i kolegjit Universitar “Qiriazi”.
Ndre Legisi – ose “i ngjashmi me Hajdarin e Pd-së, tek PS), i dorëhequr. Vijon jetën dhe biznesin privat.
Besnik Gjongecaj – një nga udhëheqësit e PD-së dhe ish-qeveritar. Tani “i humbur” në fantazitë e veta plot “tym” intelektual.
Luan Zyka, ish-sekretar i Ministrisë së Kulturës, (post i fituar me konkurs, i dorëhequr).
Po të shtojmë edhe ata që janë larguar me nder nga politika dhe kjo jetë si Teodor Laço, ish ministër e ish deputet; Hasan Halili, ish-ministër e ish-deputet, Haxhi Aliko, ish-ministër dhe ish-deputet që së gjalli janë dorëhequr nga jeta politike, lista dinjitoze nuk ka fund.
A doni më?…
Ish-ILB-ja, sot Universiteti Bujqësor, ose “Shkolla e Dakos” dëshmon se jo vetëm përgatiti dhe diplomoi specialistë të zotë, por aty u formuan edhe karaktere të spikatura intelektualësh dinjitozë, që sot nuk i gjen në asnjë detashment politik.
Si shpjegohet që “kasta” që u diplomua në ish-universitetin “Enver Hoxha” nuk e njeh “institucionin e dorëheqjes”?!.. Çfarë lloj “çorbe” t’u ketë ofruar “Shoku Ramiz”?!









Jam plotësisht dakord me “drurin” publicistik ndaj këtij shkrimi. Pra duke e “rrahur vraun” ke nxjerë drithin që duhet. Është shumë e vërtetë se edhe ish-universitarë të “EH” kanë dhënë dorëheqjen , por “themeltarët” nuk i luan asnjě istikam, ndaj “kandari” e Mekos anon nga “shkolla e Dakos” ku dërgoheshin ata që shkëlqenin por me “cene biografike”…. Gjithsesi shënimi shtesë I Terziut krijon ballancën e të vërtrtës. Fatmir Terziu mbetet një mendim i shkruar që “shkruan edhe kur fle”, aftësi që është e “deleguar nga Zoti”.