Fatmir Terziu: Një analizë e rrjedhshme mbi vizionarizmin e mesazhit të Prof. Dr. Eshref Ymerit (2016)
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 9 min read

Një analizë e rrjedhshme mbi vizionarizmin e mesazhit të Prof. Dr. Eshref Ymerit (2016)
Mesazhi i Prof. Dr. Eshref Ymerit, drejtuar zotit F. L. më 28 maj 2016, lexohet sot jo thjesht si një letër falënderimi, apo si një akt solidariteti personal ndaj një veprimtari të Çështjes Çame, por si një dokument politik, historik dhe moral me një ngarkesë të fortë vizionare. Dhjetë vite më pas, ky tekst dëshmon qartë se autori kishte një kuptim të thellë të mekanizmave të harresës ndërkombëtare, të rolit pasiv të shtetit shqiptar dhe të nevojës për ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame si çështje juridike dhe politike njëkohësisht. Që në hyrje të mesazhit, Prof. Dr. Eshref Ymeri e vendos theksin te rëndësia e veprimit qytetar dhe atdhetar jashtë strukturave shtetërore. Ai e vlerëson Shoqatën “Çamëria” jo vetëm për angazhimin emocional, por për punën konkrete, përgatitjen e dosjeve, mbledhjen e provave dhe dorëzimin e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Këtu qëndron një element thelbësor i vizionarizmit të tij, bindja se drejtësia për Çamërinë nuk mund të vijë nga retorika politike apo nga deklarata ceremoniale, por vetëm nga një proces i strukturuar juridik, i mbështetur në dokumente, fakte dhe prova materiale.
Një tjetër shtyllë e fortë e mesazhit është kritika e pamëshirshme ndaj dy periudhave shtetërore shqiptare: asaj komuniste dhe asaj pluraliste. Prof. Dr. Eshref Ymeri i sheh ato jo si kundërshtare, por si vazhdimësi në dështimin e tyre përballë Çështjes Çame. Kjo analizë, në kohën kur u shkrua, binte ndesh me diskursin zyrtar që tentonte ta relativizonte përgjegjësinë e pas vitit 1990, duke ia faturuar gjithçka së shkuarës komuniste. Sot, kjo kritikë del edhe më e saktë: mungesa e një qëndrimi shtetëror konsistent e ka lënë Çështjen Çame jashtë agjendave serioze ndërkombëtare dhe e ka shndërruar atë në një temë periferike, të mbajtur gjallë kryesisht nga shoqëria civile dhe diaspora.
Vizionarizmi i Profesor Eshref Ymerit shfaqet qartë edhe në idenë e tij për shtrirjen e betejës për Çamërinë përtej Hagës. Propozimi që dosjet t’u dorëzohen Senatit dhe Kongresit Amerikan, Departamentit të Shtetit, Parlamenteve kryesore evropiane dhe institucioneve të BE-së është një ide që sot duket pothuajse e vetëkuptueshme, por në vitin 2016 ishte larg të qenit pjesë e strategjisë shqiptare. Ai e kupton se drejtësia ndërkombëtare nuk është vetëm çështje gjykatash, por edhe balancash politike, presioni diplomatik dhe ndërgjegjësimi moral i aktorëve ndërkombëtarë që historikisht kanë pasur rol në copëtimin e trojeve shqiptare.
Një dimension tjetër i rëndësishëm i mesazhit është demaskimi i narrativës greke mbi “shtetin e së drejtës”. Prof. Dr. Eshref Ymeri nuk mjaftohet me polemikë emocionale, por sjell shembuj konkretë, citime mediatike dhe fakte që vënë në pikëpyetje kredibilitetin moral dhe juridik të shtetit grek, sidomos kur ky shtet kërkon ta reduktojë Çështjen Çame në “raste individuale” pronësore. Këtu ai parashikon me saktësi strategjinë greke të zhvendosjes së përgjegjësisë nga shteti te individi, një strategji që edhe sot vazhdon të përdoret për të shmangur njohjen e krimeve kolektive dhe spastrimit etnik.
Po aq vizionare është edhe kritika e tij ndaj Tiranës zyrtare, e përshkruar si “e vdekur dhe e pakallur” përballë Çështjes Çame. Pavarësisht tonit të ashpër, kjo metaforë përmbledh një realitet që nuk ka ndryshuar thelbësisht: mungesën e guximit politik për ta shndërruar Çamërinë në një prioritet të politikës së jashtme shqiptare. Ymeri e kupton se pa një shtet aktiv, edhe dosjet më të forta juridike mbeten të ekspozuara ndaj manovrave të kundërshtarit.
Në përfundim, mesazhi i Prof. Dr. Eshref Ymerit është vizionar sepse shkon përtej momentit kur u shkrua. Ai parashikon vështirësitë, demaskon iluzionet, propozon rrugë konkrete veprimi dhe i jep Çështjes Çame një kornizë të qartë: ajo është një çështje e pazgjidhur e drejtësisë ndërkombëtare, e lidhur pazgjidhshmërisht me dinjitetin kombëtar shqiptar. Dhjetë vite më pas, ky tekst mbetet jo vetëm aktual, por edhe një udhërrëfyes i vlefshëm për këdo që synon ta trajtojë Çamërinë jo si kujtesë nostalgjike, por si kauzë të gjallë juridike dhe politike.
JA MESAZHI:
Mesazh falënderimi zotërisë F. Lato,
Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Çamëria”, Hollandë
I nderuar zotëri Festim,
Para tri ditësh dhe pikërisht më 25 maj, zotëria Albert Abazi, veprimtar i shquar i Çështjes Çame, më dërgoi linkun e youtubit për të ndjekur aktivitetin e Shoqatës suaj të nderuar më 30 prill në Konispol. Përmes atij youtubi, ndoqa edhe aktivitetin që Shoqata juaj ka organizuar në Hollandë në shtator të vitit të kaluar. Megjithëse e kisha informacionin për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për përgatitjen dhe dorëzimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës të katër dosjeve të Çështjes Çame, aty u njoha më nga afër me veprimtarinë tuaj me vlera të paçmuara historike në shërbim të zgjidhjes së Çështjes Çame, në bashkëpunim të ngushtë me Prof.dr. Lisien Bashkurti, me Prof.dr. Koço Danaj dhe me veprimtarë të tjerë të shquar. Aty u njoha edhe me aktivitetin e Shoqatës suaj, të organizuar në Prishtinë, me sponsorizimin tuaj të drejtpërdrejtë. Mes folësve të nderuar, më bëri përshtypje të thellë fjala e çmuar e Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës suaj, Prof.dr. Lisien Bashkurti dhe e zotit Albert Abazi, si edhe e shumë pjesëmarrësve të tjerë të nderuar.
Me këtë rast, i nderuar zotëri Festim, si shqiptar, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet e mia të thella për këtë punë të shkëlqyer që keni bërë për grumbullimin e dëshmive, fakteve dhe provave materiale të pakundërshtueshme, për nxjerrjen në dritë para Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të krimeve barbare që shteti nazifashist grek kreu kundër popullsisë së pafajshme të popullit të Çamërisë në vitet 1944-1945, krime, të cilat i përfundoi me dëbimin tërësor nga trojet stërgjyshore të asaj pjese që mbeti gjallë. Shteti nazifashist grek, në bashkëpunim të ngushtë me nazifashizmin gjerman, në atë qershor të zi të vitit 1944, organizoi ato masakra të llahtarshme, të cilat, nën soditjen e ushtarakëve anglezë, për nga tmerri i tyre, ua kalojnë shumëfish krimeve të inkuizicionit mesjetar.
Me përgatitjen e katër Dosjeve të Çështjes Çame, ju dhe grupi i bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë, keni kryer një vepër madhore me vlera të jashtëzakonshme kombëtare, një vepër kjo, të cilën duhej ta kishte marrë përsipër për ta kryer fillimisht shteti komunist shqiptar, fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por shteti komunist shqiptar jo vetëm që e shpërfilli Çështjen Çame, duke i vënë përsipër gurin e rëndë të harresës së madhe, duke i parë të gjithë çamët me dyshim, por i lejoi vetes edhe një vetëposhtërim të paimagjinueshëm, duke i lypur me dhjetra e dhjetra herë shovinizmit kriminal grek vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, pa i kërkuar parazi abrogimin e ligjit të luftës dhe zgjidhjen e Çështjes Çame.
Shteti pluralist shqiptar që u vendos pas vitit 1990, vazhdoi traditën e shtetit komunist në trajtimin e Çështjes Çame. As edhe një herë të vetme, në nivelet më të larta shtetërore shqiptare, Çështja Çame nuk u shtrua zyrtarisht dhe me zë të lartë para autoriteteve shoviniste greke. Për më tepër, edhe nga shteti komunist, edhe nga shteti pluralist shqiptar, as edhe një herë të vetme, nuk u shtrua Çështja Çame në forumet më të larta ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, shtetit kriminal grek iu bë një shërbim i shkëlqyer nga ana e shtetit komunist dhe e shtetit pluralist shqiptar për flakjen në humnerën e harresës të Çështjes Çame. Autoritetet komuniste dhe autoritetet pluraliste shqiptare, as edhe një herë të vetme, nuk kërkuan nga shtetet kryesore evropianoperëndimore rishikimin e Konferencës së Londrës dhe thirrjen e Konferencës Londra 2, për të zhbërë krimin që ato kryen (nën diktatin e shovinizmit rusomadh, armikut të betuar të kombit shqiptar) me copëtimin e trojeve tona etnike. Duke filluar nga 2 tetori i vitit 1989 dhe deri në mesin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, ndryshuan pa luftë kufinjtë e shumë shteteve: të Gjermanisë, të Çekosllovakisë, të Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjetik. Pra, u krijuan gati 20 shtete të reja. Por vetëm kufijtë e Shqipërisë nuk ndryshuan. Trojet shqiptare vazhduan të mbeten të copëtuara, si edhe më parë. Edhe Kosova u krijua si shtet më vete vetëm pas bombardimeve që Aleanca e NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërmori kundër Serbisë shoviniste.
Në këto kushte, i ndëruar zotëri Festim, unë mendoj se të katër Dosjet Çame i duhen dorëzuar edhe Senatit Amerikan, Kongresit Amerikan, Departamentit të Shtetit, parlamentit europian në Bruksel, Parlamentit anglez, Bundestagut gjerman, parlamentit francez dhe parlamentit italian. Sepse pararendësit e këtyre shteteve evropiane, siç u përmend edhe më lart, kryen një krim të rëndë kundër kombit shqiptar, duke ia copëtuar trojet etnike, duke mbajtur një qëndrim të hapur sa racist, aq edhe shovinist ndaj etnisë shqiptare në gadishullin tonë dhe duke marrë tërësisht anën e agresorëve shovinistë grekosllavë.
Këto dosje u duhen përcjellë institucioneve të lartpërmendura për faktin se Çështja Çame, ashtu siç theksoni ju në dosjet tuaja, është një çështje juridike në atë masë që është edhe një çështje e mprehtë politike: popullsia çame duhet të rikthehet në trojet e veta stërgjyshore dhe këto troje duhet të konsiderohen pjesë e pandarë e trojeve kompakte shqiptare.
E theksoj një gjë të tillë, i nderuar zotëri Festim, sepse Çështjen Çame shovinizmi grekokaragjoz i ditëve tona e quan të mbyllur dhe vazhdon të ruajë me fanatizëm trashëgiminë kriminale të shovinizmit grek të viteve të Luftës së Dytë Botërore në qëndrimin ndaj kombit shqiptar. Prandaj jo më kot ai vazhdon ta mbajë më këmbë me nderime të mëdha shtatoren e kriminelit Zerva në Igumenicë, shtatore kjo që simbolizon urrejtjen e tërbuar greke kundër kombit shqiptar në tërësi dhe kundër popullit shqiptar të Çamërisë në veçanti. Athina zyrtare jo vetëm që nuk e njeh Çështjen Çame, por ajo ka bërë ç’është e mundur për ndryshimin e emërvendeve (toponimeve). Kur bie fjala për çështjen e pronave çame në Greqi, shteti shovinist grekokaragjoz nuk e përmend fare shprehjen “prona çame”, por thotë “prona të shqiptarëve”. Madje. sipas këndvështrimit shovinist të Athinës zyrtare, çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi nuk ka të bejë fare me shtetin grek dhe me shtetin shqiptar. Sipas saj, kjo na qenka çështje e individëve të veçantë shqiptarë me gjykatat greke. Pra, shteti shovinist grekokaragjoz, kërkon të lajë duart nga krimet e rënda që kreu kundër popullit shqiptar të Çamërisë dhe nga çpronësimet kriminale që bëri pas dëbimit të tij nga trojet amtare. Ju, i nderuar zotëri Festim, me siguri që jeni në dijeni të deklaratës skandaloze që ministri i jashtëm grek Kotzias i dha TV “Vizion plus” më 17 korrik të vitit 2015. Kur u pyet për kthimin e pronave çame, ai deklaroi:
“Unë them gjithmonë se ne jemi një shtet i së drejtës, në Greqi mbizotëron shteti ligjor. Kështu që gjithkush, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë mund të shkojnë në gjykatat greke për të kërkuar të drejtat e tyre, nëse mendon se i ka humbur ato përgjatë historisë. Dhe nëse nuk e fiton të drejtën aty, mund të shkojë deri në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Gjëja më e rëndësishme është se ne kemi zgjidhje për rastet individuale, vendime gjykatash, të cilat nuk sjellin hije në marrëdhëniet tona, mes shteteve dhe popujve tanë. Nuk duhet të jetë një çështje mes nesh, mes Greqisë dhe Shqipërisë si shtete, por duhet të zhvillohet në rrugë normale ligjore, përmes gjykatave” (Citohet sipas: “Ministri i jashtëm grek: kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për Kosovën”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Express”. 17 korrik 2015).
Se sa “shtet i së drejtës” është Greqia, këtë e dëshmojnë fare shkoqur ca fakte të pakundërshtueshme. Në një gazetë franceze, para do vitesh, shkruhej:
“Mashtrimi në Greqi është një sport i llojit kombëtar. Vetëm 2% e pronarëve të pishinave që banojnë në zonat elitare të Athinës, paguajnë taksat që u takojnë. Grekët janë kusarë… Të krijohet një përshtypj e tillë se madje edhe të vdekurit kanë përfitime në këtë vend…” [Citohet sipas: Stefan Gijon (Stéphane Guillon). “Grekët janë kriminelë, mashtrues…”. Gazeta “Libération”. 11 dhjetor 2011).
Me sa duket, gazetari kishte parasysh skandalin me “shpirtrat e vdekur”, të cilët, në fondin e pensioneve të Greqisë, figuronin të gjallë, dhe të afërmit e tyre u tërhiqnin pensionin për vite me radhë. Sepse për pensionet e të vdekurve grekë paguanin kreditorët evropianë, të cilët Athina zyrtare i mashtronte me marifet. Pra, ja cila është fytyra e vërtetë e shtetit grek të Kotziasit, i cili kërkon të na e shesë për “shtet të së drejtës”.
Në këto kushte, i nderuari zotëri Festim, Dosjet Çame që ju keni dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ndodhen para një prove të vështirë, sepse shteti shovinist grek do të bëjë të pamundurën që t’i bëjë bisht me të gjitha mënyrat djallëzore zgjidhjes së Çështjes Çame, për të fshehur masakrat kundër popullit të Çamërisë, duke shpifur, duke mashtruar, duke shtrembëruar të vërtetën, duke u vërtitur si veza në prush. Zgjidhja e kësaj Çështjeje Madhore Kombëtare, do të ishte shumë më e lehtë sikur të kujtohej për të edhe shteti shqiptar, edhe Tirana zyrtare. Por Tirana zyrtare, në raport me Çështjen Çame, ka një çerek shekulli që është e vdekur dhe e pakallur. Shteti i ngordhur shqiptar, në vend që të merrej me Çështjen Çame fill pas vendosjes së pluralizmit, u mor me pritjen dhe me trajtimin sa më mirë të Janullatosit, i cili, siç theksoi në takimin e Konispolit bukuroshja çame Miledi Abazi, si kolonel i shovinizmit grek, erdhi në vendin tonë për ta mbushur Shqipërinë e Jugut me varreza ushtarësh agresorë grekë. Prandaj edhe, siç jeni në dijeni, i nderuar zotëri Festim, përfaqësuesit më të lartë të klasës politike të Tiranës zyrtare, mezi presin Krishtlindjet dhe ditët e pashkëve që, kush e kush më parë, të shkojnë e të puthin veladonin e Janullatosit, paçka se ky as që i njeh fare për përfaqësues të shtetit shqiptar dhe, duke i poshtëruar ditën për diell, për çdo shqetësim që ka, niset turravrap për të marrë këshilla në kabinetin e kryeministrit grek.
Sinsinati, Ohajo
28 maj 2016








