top of page

Fatmir Terziu: Narrativi që ekspozon modernizmin eksperimental

Fatmir Terziu: Narrativi që ekspozon modernizmin eksperimental

 

Duke e njohur nga afër, dhe duke risjell kujtime në vetvete, dua të theksoj se si në biseda të lira ashtu dhe në shkrime shkrimtari elbasanas Bahri Myftari shfaqej si laborator i përvojës moderne. Mjaft tregime të tij, po ashtu dhe tregimi “Të fala nga djalli!” i Bahri Myftarit shfaqet si tekst i shtresëzuar estetikisht dhe ideologjikisht, që sfidon format tradicionale të rrëfimit realist dhe i afrohet poetikës së modernizmit eksperimental. Në qendër, kemi motivin e agonisë së një diktatori dhe tensionin midis pushtetit të harruar dhe pushtetit që kërkon ta legjitimojë veten duke mbijetuar simbolikisht. Narrativi nuk synon vetëm përshkrimin e një ngjarjeje politike, ai problematizon vetë mekanizmin e kujtesës, autoritetit dhe narrativës shtetërore. Kështu, tregimi bëhet një hapësirë reflektuese mbi mënyrën se si pushteti prodhon mite dhe si këto mite, në krizë, kërkojnë ringjallje.

Koha nuk rrjedh lineare. Ajo pezullohet, ngrihet në vend, shtyhet artificialisht si një metaforë për regjimet totalitare që synojnë kontrollin mbi historinë. Agonia e diktatorit është si një kohë e mbyllur. Vdekja nuk vjen, por as jeta nuk vazhdon. Ky “ndërkohë” shndërrohet në hapësirë politike ku pushteti përpiqet të rindizet përmes prodhimit të frikës (rikthimi i dënimeve), prodhimit të mitit (ikonografia, mediat), rikthimit të kultit personal. Ky manipulim i kohës është një nga teknikat e njohura moderniste: koha si gjendje psikologjike, jo si rend kronologjik.

Tregimi ndërtohet mbi dialogë të ngjeshur, shpesh të theksuar dhe aluzivë. Dialogu nuk shërben vetëm për të lëvizur veprimin. Ai shkërmoq sigurinë e ideve, mbart ironinë, dhe zbërthen trysninë morale. Biseda mes kryeministrit dhe diktatorit është një laborator cinizmi politik. Diktatori i jep një “mësim pushteti”. Zhvillimi është rival i autoritetit, ndërsa harrimi është rreziku suprem. Këtu Myftari flet jo vetëm për një figurë të caktuar historike, por për arketin e tiranit modern që kërkon pavdekësi përmes kujtesës së frikës.

Tregimi operon në dimension alegorik. Personazhet nuk kanë emra personalë. Ato funksionojnë si role, “Diktatori”, “Kryeministri”, “Gjenerali”. Ky abstragim e heq lexuesin nga realizmi konkret dhe e zhvendos në një hapësirë universale politike. Alegoria bëhet instrument kritik, shteti si makineri survejimi, media si aparat mitologjizues, populli si spektator i frikës. Kjo strategji është tipike e modernizmit politik nga Kafka te Kundera, ku individi fshihet përballë strukturës.

Një nga pikët kulmore është reflektimi mbi dhunën si kusht legjitimues të pushtetit. Diktatori gjykohet jo për krimet, por për “qëndrueshmërinë”. Më pas, rikthimi i vrasjeve dhe burgimeve bëhet mënyra me të cilën pushteti “siguron” vazhdimësi. Narratori na tregon se, kur mbaron dhuna, mbaron miti i udhëheqësit. Ky është një koment i thellë mbi mekanizmin e autoritarizmit: struktura e tij është gjuhë e gjakut. Në këtë pikë, tregimi përplaset me një pyetje filozofike: A mund të ekzistojë pushtet absolut pa mit, dhe mit pa dhunë?

Në tregim, realiteti shpesh shndërrohet në grotesk. Partia “PDPP” dhe kultet popullore për trupin e sëmurë të diktatorit janë formë satire moderniste, që e vë në dukje absurditetin e nostalgjisë për shtypje. Ironia është delikate, por therëse, për të shpëtuar pushtetin, duhen ringjallur simbolet e tiranit  edhe nëse ai tashmë është i vdekur. Kjo është tragji-farsë, një ndër elementët më tipikë modernistë. Narratori mbetet diskret, por gjithmonë i pranishëm. Ai nuk moralizon drejtpërdrejt; megjithatë, përzgjedhja e detajeve, ritmi dhe gradimi i tensionit e orientojnë lexuesin drejt një leximi kritik. Ky narrator është produkt i modernizmit, mbetet jo predikues, por dekonstruktues.

Në nivel filozofik, tregimi eksploron marrëdhënien ndërmjet vdekjes biologjike, dhe pavdekësisë politike. Diktatori frikësohet jo nga fundi fizik, por nga shuarja simbolike. Fjala e tij e fundit është, pavdekësia është “flori”. Pushteti kërkon bekimin e historisë, jo vetëm të tokës. Këtu, Myftari na kthen tek koncepti modernist i mitit si farsë, por njëkohësisht si strukturë e rrëfimit shoqëror.

Të fala nga djalli!” është tregim që shkon përtej rrëfimit të një fundi politik. Ai shndërrohet në kritikë të mitologjisë së pushtetit, studim mbi harresën dhe kujtesën, pasqyrë groteske të nostalgjisë totalitare. Eksperimenti modernist qëndron në thyerjen e kohës, alegorinë si strukturë, dramatizimin e dialogut, ironinë e errët, tensionin midis mitit dhe realitetit. Në këtë mënyrë, Myftari vendos tregimin në horizontin e një letërsie që nuk kufizohet nga kronika, por hulumton arkitekturën e frikës dhe të kujtesës politike, duke e bërë tekstin estetikisht sfidues dhe intelektualisht provokues.dhe realitetit. Në këtë mënyrë, Myftari vendos tregimin në horizontin e një letërsie që nuk kufizohet nga kronika, por hulumton arkitekturën e frikës dhe të kujtesës politike, duke e bërë tekstin estetikisht sfidues dhe intelektualisht provokues.


Kush ishte Bahri Myftari:

 

Shkrimtari Bahri Myftari lindi në Elbasan në vitin 1944, në një familje të njohur dhe u nda nga jeta më më 11 nëntor 2016. Ai u edukua në Elbasan dhe u shkollua po atje, dhe më pas kreu studimet në Institutin Pedagogjik dhe u diplomua si mësues. Profesionin e mësuesit e ushtroi në disa fshatra të Elbasanit dhe më pas në qytetin e Elbasanit. Ai u dallua mbi shokët e tij për përkushtimin e edukimit të brezit të ri. Por ajo që e bëri një personalitet të njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve ishte aktiviteti si shkrimtar. Ai filloi të botojë në moshë të re dhe provoi disa gjini, dramën, reportazhin, por u shqu në gjininë e tregimeve. Ai botoi një korpus të vërtetë përmbledhje me tregime, që janë pritur e vlerësuar nga lexuesi i gjerë.

Të gjithë vlerësuesit e veprave të tij kanë vënë në dukje veçoritë e tregimeve të tij që dallojnë dhe se prurjet e tij në fushën e letërsisë së ditëve tona janë me vlera. Bahri Myftari është dalluar edhe si aktivist shoqëror, ai me mençuri dhe shpirtin e tij demokratik, pa degradimin e sistemit diktatorial komunist dhe u radhit në vijën e parë të luftëtarëve për të përmbysur atë diktaturë. Në sistemin demokratik ai ishte një nga krijuesit dhe udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate dhe luftoi me të gjitha forcat për triumfin e idealeve demokratike. Bahri Myftari u shqua edhe në fushën e publicistikës, ku ai dha kontributin e tij të vlefshëm për triumfin e ideve demokratike. Edhe në pension ai ishte njeri aktiv dhe ishte çdo ditë në punë, me shkrime publicistike, me tregime në shtypin e përditshëm, me pjesëmarrje e diskutime në aktivitet kulturiore, në çdo rast duke dhënë mendimin e tij me guximin që e karakterizonte dhe me qytetari.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page