Fatmir Terziu: Kur vepra e Abdullah Thaçit na bën të thellohemi më shumë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Nov 13, 2025
- 6 min read
Updated: Nov 14, 2025

Kur vepra e Abdullah Thaçit na bën të thellohemi më shumë
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Thuajse në të njëjtin vit kur poeti Abdullah Thaçi u largua nga bota jonë, u publikua një vëllim i mrekullueshëm i tij “Kalaja e Fjalës” (pas vdekjes) Prizren – 2015 (Kjo vepër fitoi Çmimin Vehbi Kikaj). Ishte gati si një projekt zemrash, dashurish të moshave, që ai gati një jetë të tërë ua kushtoi e ua pëkushtoi atyre. Në ditët e lamtumirimit fizik të tij, libri ishte tashmë në stendën e Bibliotekës së Prizrenit. Abdullahut i pëlqente shumë Prizreni, ku poezia e tij e frymëzonte dhe ku ai tashmë si në atë kohë, mbetej i buzëqeshur, i lumtur që ishte midis librave dhe miqve...
Me dashuri dhe mirënjohje biseda me një nga poetët më në zë të Gjilanit, Sabit Rrustemin, ngacmova ndërgjegjen time të shkruaj për atë poet, që me poezi të tilla si „Kushtetuta e fëmijëve: Neni 16“, jo vetëm na ka bërë ta lexojmë e ta rilexojmë, por dhe të mburremi më shumë në arenën globale për fëmijë: „Shkuan kohët kur fëmijët/në asnjë rast s’kishin të drejtë,/ti shprehnin gjithë padrejtësitë/që u bëheshin nga të mëdhenjtë.“
Por bukuria dhe aesteika e kësaj poezie rritet më shumë, ashtu sikurse ndodh vetë preambula mbi dhuratat e jetës dhe vdekjes. Përballë dëshirës për të shkruar për artin e një poeti të dashur, për fëmijë e të rrinj (dhe jo vetëm), papritmas e gjej veten duke hyrë në një terren të panjohur ku natyrshëm filozofia e jetës dhe veprës së tij shkojnë përtej asaj që është thënë e stërthënë për të. E kështu në këtë pikë ai nuk ka ikur, pra nuk është një humbje, po ama çdo humbje na përball me ndjenjën shqetësuese, megjithëse iluzore, se papritmas na është privuar mundësia për të njohur dikë në masën që do të dëshironim. Takimi me vdekjen e dikujt na ndal në supozimin paradoksal se një person mund të njihet plotësisht, por ky supozim duket se bëhet i mundur vetëm në momentin e tërheqjes së tyre, të zhdukjes së tyre fizike, d. m. th. në pikën ku mundësia bie ndesh me veten, bëhet e pamundur, por ama ndjen duke e lexuar se e ke përballë teje, e ke në tryezën e punës që nisi në Novosellë (Fierzë) të Pejës, aty ku lind dhe udhëton Drini i Bardhë, me edukimin në fshatrat e lindjes, gjimnazin në Pejë, dheFakultetin e Shkencave të Natyrës (kimi) në Prishtinë, deria u rikthye në gjimnazin e Prizrenit dhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prizren të bënte një itinerar më shumë letra me Bibliotekën emërmadhe të Prizrenit.
Kështu në këtë moment, ndërsa e ndjej sikurse e kam pasur një mik të afërt, dhe ndërsa shkruaj për këtë poet, që mban kah emrit të tij mjaft vepra dhe vlerësime, më kujtohet eseja e Blankot mbi vdekjen e Gjeorge Batailles, „Miqësia“, e cila thotë: „Ne duhet të heqim dorë nga njohja e atyre me të cilët jemi të lidhur nga diçka thelbësore. Dua të them se duhet t'i pranojmë ata në të njëjtën marrëdhënie me të panjohurën në të cilën ata na pranojnë ne, në distancën tonë.“ Distancën moshore ndoshta, atë distancë që ai e karakterizoi „Kushtetuta e fëmijëve: Neni 16“, që mendoj e ka bërë të pavdekshëm: „Tash ata shprehen lirisht/ç’u mungon e ku u dhemb,/dijnë të bëjnë edhe me gisht/nga njeriu që i nëpërkëmb.“ Dhe më tej „Njëherë dëgjova të thotë/një ekspert i ligjësive:/"Me humanja në këtë botë/është kushtetuta e fëmijëve.“ (po aty)

Në rastin e një poeti të tillë që farkëtoi „Kushtetuta e fëmijëve: Neni 16“, ky territor i përcjelljes së mesazhit për poetikën, dhe jo për poetin, rritet ndoshta më shumë pas vdekjes. Thjesht, mund ta themi ngjashëm, se poezi të tilla si „Pemë e vjetër pemë e re“; „Dua të them“; „Jeta“ e të tjera, kryejnë diskursin e tyre, pra sepse poezia e tillë, dhe sidomos „Kushtetuta e fëmijëve: Neni 16“ vazhdon të prodhojë kuptim që përditësohet vazhdimisht gjatë gjithë jetës sonë personale, ose të përbashkët, që do të thotë se ajo zbulon shtresa e shtresa të pjekurisë. Sigurisht, nuk po them asgjë më shumë se një klishe për fuqinë e poezisë. Por përvoja trupore dhe intelektuale që dikush që nuk është më këtu fizikisht vazhdon t'ju “flasë“ përmes librave të tij “Lumi i dritës” – 1980, “Treni i bardhë” – 1982, “Duke pritur ylberin” – 1983, “Piknik poetik” – 1986, “Anës Drinit” – 1989, “Ani, Kosovë, ani” – 1994, “Mes dy dashurish” – 1997, “Fëmijët kanë të drejtë” – 2001, “Vjersha hutaqe” – 2003, “Porta e kufirit” – 2006, “Përralla nga Prevalla” – 2008, “Hajt, qëlloja” (gjëegjëza) – 2008, “Le të qeshë bota” – 2009, “Një mal me këngë” – 2009, “Zogu i mjaltishtës” – 2010, “Një gjyshe më ndryshe” – 2012, “Kalaja e Fjalës” (pas vdekjes) Prizren – 2015 (sikurse cituam kjo vepër fitoi Çmimin Vehbi Kikaj), “Kodi i Harmonisë” (pas vdekjes) Prizren – 2016, “Kalliri i Fjalës” (pas vdekjes) Prizren – 2016, pra, duke u folur brezave, fëmijëve dhe të rrinjve, duke i folur artit dhe faktit, duke ju folur në një mënyrë që nuk ju lejon të bini në gjumë, të tërhiqeni, të mos merrni pjesë në përgjumje, është pikërisht kjo dhuratë e gjithmonë të resë, e të panjohurës, e të panjohurës deri në fund, në të njëjtën kohë një dhuratë e vdekjes dhe një dhuratë e jetës. Këto libra, kjo vlerë poezie është pikërisht një dhuratë e tillë dhe ka një hapësirë më të madhe, ndoshta dhe globale.
Me kaq sa e vumë theksin, me kaq sa e lexuam poezinë e poetit Abdullah Thaçi ndjemë se ai ishte dhe i poezisë, i dha poezisë dhe mbeti mes poezisë duke na e lënë neve si qasje tek vetvetja e memorjes. Ky udhëtim magjik midis ekzistencës dhe librit ndoshta dhe disi i habitshëm i modelit të shndërruar në një mburojë beteje është karburanti që e shtyn poezinë e poetit Abdullah Thaçi nga teksti në tekst dhe nga libri në libër, nga bërthama e freskët e shkollës fillore ku u dha jetë poezive dhe vjershave, kryesisht për fëmijë dhe të rinj deri tek bashkëpunimi me shtypin për fëmijë e më pas dhe si anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, si dhe i Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva”.
Pak më shumë se një javë më parë, përfundova së lexuari dhjetë nga shumë librat e tij. Dhe kjo falë miqve të mi në Kosovë. E ndërsa lexoja më yshtej realiteti i kësaj dhurate pas vdekjes. E kuptoj se për mua si lexues, beteja me vdekjen është ndoshta beteja më e thellë dhe më e zgjatur e dashurisë së errët në poezinë e poetit. Në të, mungesa e peshës eterike e zërit të tij përplaset me materien më të fortë dhe më të padepërtueshme, me fundësinë e trupave tanë. Në të gjithë librat, një seri imazhesh të një realiteti didaktik dhe jetëlidhës që kalojnë në njëra-tjetrën përshkon thelbet e materialeve të prekshme, objekteve, tingujve, aromave, njollave që nuk janë metafora, mungesës aq të madhe dhe të pakapërcyeshme saqë ngurtësohet në një prani të pashmangshme e bëhet ligjësi leximi rrjedhës.
Gradualisht, „Na ishte një pemë është përrallë e vjetruar./Sa erëra kanë fry gjërat kanë ndryshuar...“ („Pemë e vjetër pemë e re“) na shpie në thelb. Vështrimi i poezive në njëra-tjetrën përmes imazheve në pasqyrë dhe motivet, intonacionet dhe madje edhe fjalët individuale që udhëtojnë nëpër libra bëhen veçanërisht intensive pas „Pemë e vjetër pemë e re“. Ato na përballen në prag të një “muzeu iluzionesh” të sapozbuluar, në të cilin, pavarësisht zërit jehonë me qëllim të mirë të timbrit dhe melosit zëlartë e zëpjekur, të gjithë pritet të hyjnë vetëm, pa shoqërues.mNë qendër të këtyre poezive të tijjanë personazhe në dukje dytësorë, të ndryshëm në komplot, por shumë të ngjashëm në funksion. Këta personazhe në dukje të rastësishëm por paksa të njohur, mbi të cilët ka rënë një hije e errët dhe e paqartë, duket se banojnë në territorin gjysmë të huaj në të cilin zëri lirik shkel gradualisht fatet fëminore dhe rinore. Këta janë shoqëruesit e tij të veçantë, shoqëruesit e tij të papritur, varkëtarët që poezia e tij e përkushtuar bukur duket se ia siguron gjatë jetës së vlerës poetike për brezat në gjeneratë të brezave. Ndaj është me vend të citojmë se poeti ka bashkëpunuar me një varg revistash dhe gazetash në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, themelues i Klubit „Fan Stilian Noli“ në Prizren, redaktor i revistës për fëmijë „Fidani“ në Prizren dhe jo rastësisht ishte fitues i një varg konkurseve, shpërblimeve dhe mirënjohjeve për krijimtarinë e tij poetike.
Duke përfunduar themi se vepra e Abdullah Thaçit, shkrimtar i letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, duhet lexuar e analizuar më gjerë, me qëllim që të shërbej si një njohje e plotë në të gjithë territorin shqipfolës, por dhe duhet të përkthehet që të bëhet e aftë më shumë të flasë edhe në gjuhë të tjera.









Comments