Fatmir Terziu: Kur Myrtaj dashuron Atdheun dhe me e-mail
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 day ago
- 3 min read

Kur Myrtaj dashuron Atdheun dhe me e-mail
E mërkurë 21 Qershor 2017. Ora shënon njësoj si në të të gjitha pikat e komunikimit, por duket se përcjell akrepat në drejtime të drithshme. Njësoj si rrëfimi. Ky rrëfim nuk lexohet shpejt, edhe pse kanë kaluar vite, thjesht ai përjetohet.
Në fakt është një e-mail i thjeshtë, i sinqertë mes miqsh, që unë e quaj rrëfim i Faruk Myrtajt. Ai ma kishte dërguar mua. Dhe në fakt është pikërisht një prej tyre. Një rëfim që vjen pas një udhëtimi prej vendlindjes, një përballje me kujtime që digjen e ndriçojnë njëkohësisht, dhe një testament i heshtur se sa thellë mund ta dojë njeriu Atdheun.
Pas një udhëtimi të gjatë nga Toronto, ai zbriti në tokën ku gjithçka kishte filluar. Tri javë mund të duken pak në kalendar, por për dikë që mban në vete mallin e gjatë, ato janë një jetë e vogël. Drejt Selenicës, vendlindjes së tij, Faruku u nis me drithërimë. Aty e priste jo vetëm vëllai “më i miri ynë”, siç e quan, por edhe hija e nënës, që kishte mbyllur sytë e mbështetur në kraharorin e tij. Aty ishte kujtesa e asaj shtëpie të thjeshtë, që duart e prindërve e kishin bërë mbretëri dashurie.
Por shtëpia nuk ishte më. Në vend të gardhit të trëndafilave, që dikur aromatizonte oborrin dhe fëmijërinë, tani ngrihej një mur i ftohtë betoni. Nuk kishte më fiq, as kumbulla, as musllukun ku lahej duart pas punëve të ditës, vetëm një kumbull e vetmuar kishte mbetur si dëshmi e heshtur, gati si një bekim që ende refuzonte të thyhej. Ky takim i dhimbshëm me ndryshimin solli një pyetje të ndershme, se mos ishte më mirë të mos ishte kthyer fare, e ta mbante shtëpinë vetëm ashtu siç ishte në kujtesë?
Por udhëtimi vazhdoi. Një natë në Sarandë, një takim me shokë të vjetër, një lajm për dekorime dhe tituj, që për Farukun, nuk mateshin dot me peshën e veprës së vërtetë. Ai e di, koha është e pamëshirshme, e mosha na zbulon veten shpesh përmes fytyrës së tjetrit. Megjithatë, miqësia, fjala e ndarë, kujtimi i bisedave të dikurshme mbeten të pathyeshme.
Në e-mailin e tij, Faruku ndalet gjatë te libri dhe shkrimi, te mënyra si lexohen dhe keqlexohen veprat. Shumë, thotë ai, shohin vetëm sipërfaqen e NATYRËS e pak e kuptojnë thellësinë e idesë. Loja simbolike midis SOIL (Dheu) dhe SOUL (Shpirti), dhembja se si edhe dheu është shndërruar në mall tregu, ndërsa shpirti mbetet i tronditur e i papërfillur. Në këtë përplasje midis materialit e shpirtërores, lind një dhimbje universale, por edhe një revoltë e heshtur që vetëm shkrimtari di ta shprehë.
Letra mbyllet me humor, me elegancë, me një të qeshur të mençur ndaj ironive të politikës dhe kohës. Por brenda saj ka një thelb që vështirë të mbyllet, dashuria e thellë për Atdheun, që nuk është as dekoratë, as parullë. Është kujtesë. Është dhimbje. Është përgjegjësi. Është shikimi i gjatë nga dritarja e një shtëpie që s’është më, por që vazhdon të jetojë në shpirt.
Kur Myrtaj flet për Atdheun, ai nuk flet me zë të lartë. Ai flet me zërin e fëmijërisë, me gjuhën e nënës, me kujdesin e një shkrimtari që e di se fjalët nuk janë për t’u shpenzuar, por për t’u ruajtur si gurë themeli. Dhe kështu, dashuria e tij bëhet më shumë se sentiment, bëhet dëshmi. Dëshmi e asaj që nuk shuhet kurrë, dhe ajo mbetet lidhja me dheun, por mbi të gjitha, lidhja me shpirtin.por për t’u ruajtur si gurë themeli. Dhe kështu, dashuria e tij bëhet më shumë se sentiment, bëhet dëshmi. Dëshmi e asaj që nuk shuhet kurrë, dhe ajo mbetet lidhja me dheun, por mbi të gjitha, lidhja me shpirtin.









Qartë, shkurt, bukur. Por mua më tregoi apo më mësoi se: "Sa ndryshe do ishte bota në shoqërinë njerëzore, nëse çdo njeri në specialitetin e tij të kishte vizionin, ndërgjegjen dhe përgjegjshmëri në veprimtari, siç e kanë poetët, shkrimtarët".
Ju falem me respekt e nder juve që na tregoni vizionin për të qenë njerës të ndërgjegjshëm dhe jo egoistë