top of page

Fatmir Terziu: Kur memorja shkon tek respekti për Dr. Sami Dilaver Kasa

ree

Kur memorja shkon tek respekti për Dr. Sami Dilaver Kasa


Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Autobusët e linjës urbane nga Peshkopia dhe asaj nga Elbasani, atëkohë pikëtakoheshin në Klenjë të Gollobordës. Ishte koha kur kuadro, profesionist, mësues, mjekë, agronomë, ekonomistë, ushtarakë, e të tjerë dhe vendas udhëtonin për në destinacionin e tyre. E pikëtakimi i parë ishte Bufeja e Klenjës. Një kafe, një bisedë dhe një hallkë e zinxhirit të kujtesës…Kujtesa?!

Kujtesa sikurse dihet është një funksion i aktivitetit unik mendor të ofruar nga truri i njeriut. Vetitë e saj janë të tilla që ajo që kujtojmë mund të mos jetë gjithmonë e vërtetë, ose kujtesa jonë mund të jetë selektive dhe të varet nga gjendja shpirtërore, dëshirat dhe emocionet tona. Dhe ndaj, nëse mendojmë për aftësitë tona të kujtesës, zakonisht arrijmë në faktin se nuk jemi shumë të mirë në disa gjëra ose, përkundrazi, disa njerëz janë të mirë në kujtimin e shumë të dhënave, siç janë numrat e telefonit, etj. Domethënë, jemi mësuar ta shohim kujtesën tonë në vetitë e saj sasiore, kemi kujtuar pak ose shumë nga një informacion i caktuar. Por sikurse dihet, jo të gjithë janë aq me fat sa të kenë një „kujtesë të dobishme“. Shumë njerëz e harrojnë rregullisht këtë, apo atë në jetën e tyre të përditshme, nga gjëra të parëndësishme si një pjesë e një liste blerjesh në dyqan, deri te humbja e një personi të rëndëishëm në jetën e njerëzve. Kështu ndërsa po afron ndërrimi i viteve mjaft miq, pacientë, bashkëvendas, kalimtarë, por më së shumti ata që kanë pasur rastin në vitet e monizmit të kalonin në Klenjë të Gollobordës, natyrisht kanë pasur rastin të njiheshin me një çift model të asaj zone, Kadifen që ishte në tregëti dhe Dr Samiun që punonte në shëndetësi.

E para, bashkëshortja e tij, natyrshëm ishte një zonjë që kishte fituar respektin e dyfishtë në Klenjë e në zonën mbarë, për shërbimin e saj, kulturën dhe respektin që ajo përcillte tek të gjithë pa dallim. I dyti, Doktor Sami Dilaver Kasa, ose miku i zemrave të zonës e më gjerë, natyrisht ishte plotësi i dyshes, por dhe kryefjala e respektit të gjerë. Dhe jo më kot thuhej në natyrën e bukur të Klenjës, kur halli të shpinte tek spitali që drejtonte ai, të thuhej se një mjek i mirë është po aq i zakonshëm sa natyra. E kur kujtoje thënie të mëdha e të mbetura nën kërshëri rrjedhsha të asaj zone të bukur, natyrshëm pas asaj që thuhej se mjeku më i mirë, i cili nuk ka as zyrë, as diplomë, as kompani në derë dhe që nuk merr asnjë tarifë, është dielli, natyrshëm mund të bëje dhe një krahasim me atë që gjithnjë ishte i gatshëm të shërbente, si një diell natyror, për çdo pacient, pra për Doktor Sami Dilaver Kasa.

Kështu jo më kot e kujtuam ndërrimin e viteve, se në hyrje të vitit 2022 ai ndërroi jetë, pra iku në duart e zotit Doktor Sami Dilaver Kasa duke lënë kështu fjalët e kujtimet më të mira, falë veprës së tij të përkushtuar e të respektuar. Ai la ndoshta hidhërimin e momentit të ikjes tek bashkëshortja e tij Kadife, tek fëmijët Eduart, Mira dhe Eva, po aq dhe tek të gjithë ata që e njohnin, por la vlerën e madhe për atë që Njeriu mund të bëj e të lërë si trashëgim për brezat.

Doktor Sami Dilaver Kasa ishte thuajse kryefjala e Spitalit të Klenjës, i gjenduri dhe i kudogjenduri i nevojave shëndetësore të Gollobordës e më gjerë. Ai shërbeu me zemër në Spitalin e Klenjës për shumë vite, derisa më pas në vitet 90-të ai u emërua mjek në Qendrën Shëndetësore të Kasharit në Tiranë, ku u dallua sërrish për përkushtim e vlera të larta profesionale.

Kështu mes dibranëve, atyre të QSH Kashar e më gjerë, buzëqeshja e Samiut, doktorit me shpirt human do të mbetet si një shenjë diellore në memorje dhe si një respekt që kërkon më shumë fjalë, më shumë arsye për të shkruar e rishkruar për të e njerëz profesionistë si ai.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page