Fatmir Terziu: Kur kujton mësuesin Adem Paralloj
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 5 min read

Kur kujton mësuesin Adem Paralloj
“Në fillim ishte fjala.” Dhe fjala nuk ishte vetëm tingull, por qëndresë. Kur kujtojmë një mësues të vërtetë, nuk kujtojmë thjesht një njeri. Kujtojmë një mënyrë të të qenit në botë. Një etikë. Një heshtje që flet më fort se fjalët. Kështu ndodh kur përmendet emri i Adem Paralloit, mësuesit që nuk i përkiste vetëm Elbasanit, por një konceptimi më të lartë të arsimit si akt shpirtëror dhe moral. Ka figura që nuk shterojnë në datat përkujtimore. Ato nuk mbyllen në ceremoni. Ato rrinë pezull mbi kohën, si pyetje që na shikojnë drejt e në sy: A e kemi nderuar mjaftueshëm dijen? A e kemi mbrojtur fjalën?
“Shkoni, njerëz të rilindur, shkoni në një festë të ndritshme!” Sa herë që kujtojmë një figurë të nderuar të arsimit elbasanas, ndalemi instinktivisht. Fshijmë sytë, ulim zërin, dhe ndjejmë se po prekim një thesar të rrallë, atë të një plejade që shuhet ngadalë, shpesh pa u kuptuar sa duhet. Dhe themi: u kujtofshin përjetë! Por a mjafton kjo? A mjafton t’i kujtojmë vetëm në ditët festive të arsimit, në ceremoni të shkurtra dhe fjalë që treten shpejt?
Këto pyetje na shoqërojnë kur vizitojmë varrezat, kur ndalemi pranë pllakave të ftohta të mermerit për të ndjerë përshpirtjen e njerëzve tanë që prehen atje. I njëjti ritual përsëritet edhe për ata që nuk janë më mes nesh, por që mbetën miq të pavdekshëm në kujtesën tonë. Diku thellë brenda nesh ka zënë rrënjë një traditë e heshtur: ajo e përkuljes para veprës, para gjuhës amtare, para mësuesit si bartës i kulturës dhe identitetit.
Gjuha shqipe, kjo bartëse e padukshme e kujtesës kolektive – na ka mbrojtur si shqiptarë në përmbysjet e mëdha historike. Dhe gjithmonë ka një datë, një çast, kur e gjithë qenia mbushet me një ndjesi mistike e të ndritshme. Fjala e paraardhësve, ndoshta e vetmja formë reale e pavdekësisë në jetën tonë të shkurtër, pushton ndërgjegjen me bukurinë e saj dhe na mbështjell si një magji e përjetësisë: “Jam krenar që jam shqiptar.”
Gjuha, arsimi dhe identiteti
Popujt mbijetojnë jo përmes fuqisë, por përmes gjuhës. Shqipja ka qenë për ne jo vetëm mjet komunikimi, por strehë ontologjike: aty kemi fshehur dhimbjen, shpresën dhe revoltën. Mësuesi është rojtar i kësaj strehe. Dhe Adem Paralloj ishte pikërisht i tillë, një rojtar i heshtur i fjalës shqipe. Gjuha, në duart e tij, nuk ishte ideologji, por shpirt. Jo instrument pushteti, por akt lirie. Ai e dinte se fjala e vërtetë nuk bind, ajo zgjon.
Teksa rilexojmë ata që na u bënë udhë e bukur e jetës mësuesit e përkushtuar, emrat e nderuar të arsimit mbesim te pyetja themelore: Sa popuj e festojnë identitetin e tyre përmes gjuhës dhe arsimit si ne? Çfarë është gjuha, nëse jo shprehja më e gjallë e shpirtit të një populli? Ajo ruan mesazhet e së shkuarës, testamentet e spiritualitetit, që sot rrezikojnë të mbyten në zhurmën e komunikimit global. “Në fillim ishte fjala…” – dhe sa të zgjedhur janë ata që na e kujtojnë këtë? Në libra, arkiva, muze dhe institucione mbeten disa emra; por disa të tjerë mbeten në zemrat tona. Një nga këta emra është Adem Paralloj, pinjoll i një fisi të nderuar elbasanas, pjesë e një plejade arsimi që i dha Shqipërisë dinjitet, mendim kritik dhe qëndresë morale.
Në këtë derë fisnike, Abdyl Paralloi u shpall “Mësues i Popullit”, Adem Paralloi “Mësues i Merituar”, ndërsa vëllai i tyre Sami Paralloi ishte një mësues serioz e i përkushtuar. Një familje ku arsimi nuk ishte profesion, por mision.
Rinia universitare dhe brezi i mendimit të lirë
Kërkimi dokumentar na çon te dy fotografi domethënëse, të publikuara nga Thoma Qëndro, mik dhe shok i hershëm i Ademit. Fotografia e majit 1964 paraqet studentët e vitit të parë të degës Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës: një brez që më pas do të bëhej shtyllë e gazetarisë, letërsisë, diplomacisë dhe arsimit shqiptar. Në mes tyre, i qetë dhe i përmbajtur, qëndron Adem Paralloj – pedagog, intelektual dhe qytetar.
Fotografia e dytë, e majit 1965, ka një ton më të errët: Adem Paralloj pranë Halil Lazes, në Qytetin Studenti. Të dy do të përballeshin më vonë me përjashtime, dënime dhe punë të detyruar, nën akuzën famëkeqe të “agjitacionit dhe propagandës”. Ky është brezi që e pagoi mendimin e lirë me jetën profesionale dhe shpirtërore.
Mësuesi dhe e Vërteta
Kur pashë emrin e Ademit në një pllakë mermeri, më erdhi në mendje thënia: “Mësuesi është një qenie e së Vërtetës. Vdekja është mashtrimi më i madh.” Vetë Adem Paralloi thoshte shpesh, me një ironi të qetë metafizike: “Kur të vdes, do të jem si Zoti, asgjë më shumë.” Sot, këto fjalë nuk duken më shaka. Ato janë filozofi. Mësuesi i vërtetë flet në tri mënyra: me fjalë, me heshtje dhe me prani. Fjala i drejtohet mendjes, heshtja shpirtit, ndërsa prania – vetëm të zgjedhurve që kuptojnë misterin e së Vërtetës. Adem Paralloi ishte i tillë: një mësues që dinte të falte, të duronte dhe të qëndronte.
Qytetari model dhe trashëgimia morale
Të mendosh lirshëm në kohë terrori është akt heroik. Adem Paralloj e dinte rrezikun, por nuk u tërhoq. Ai u përjashtua, u ndëshkua, u detyrua të punonte si punëtor, sepse fjala e tij nuk ishte e nënshtruar. Por pikërisht aty qëndron madhështia e tij: ai nuk u shndërrua në viktimë, por mbeti dëshmitar.
Adem Paralloi ishte ndër mbrojtësit e parë të mendimit të lirë në shkollat ku punoi, duke e ditur rrezikun që mbartte. Ai zotëronte mjeshtërinë e mësimdhënies dhe etikën qytetare të mësuesit elbasanas të vjetër: dinjitet, kulturë, disiplinë dhe fisnikëri. Ikja e tij nuk është vetëm dhimbje për bashkëshorten Elsa dhe djalin e tij, por humbje për qytetin. Ai iku pa zhurmë, pa ceremoni të mëdha, por la pas një pavdekësi morale – modelin e qytetarit, të arsimtarit, të njeriut të drejtë.
Një plejadë që nuk shuhet
Ai ishte pjesë e një brezi të jashtëzakonshëm, si Xhevahir Spahiu, Seit Mansaku, Ilia Lengu, Shaban Murati, Nasi Lera, Stefan Kume, Tatjana Buda, Teuta Kazazi, Vera Ibrahimi e shumë të tjerë. Një brez që u formua në kushte të akullta politike, por prodhoi mendim, kulturë dhe rezistencë. Edhe kur u persekutua, edhe kur u përjashtua nga arsimi, edhe kur punoi si punëtor në sera, Adem Paralloi nuk u dorëzua. Më vonë, si drejtues i arsimit në Elbasan, ai dha gjithçka që kishte: dije, përvojë dhe ndershmëri.
Adem Paralloi nuk është thjesht një emër në një pllakë mermeri. Ai është një kujtesë aktive, një thirrje për të mos harruar se arsimi është themeli i lirisë dhe se mësuesi i vërtetë nuk vdes kurrë. Sepse, siç na mëson jeta e tij, jeta mund ta gëlltisë vdekjen, por kurrë të Vërtetën. A vdes Mësuesi? Kur lexojmë emrin e Adem Paralloit në mermer, pyetja nuk është pse iku, por: A kemi mësuar diçka nga prania e tij? Sepse mësuesi nuk vdes kur pushon së marrë frymë. Ai vdes vetëm kur fjala e tij harrohet. Dhe Adem Paralloj nuk është harruar. Ai jeton në nxënësit që mësuan të mendojnë, jo të binden. Në heshtjen që u mësoi të dëgjojnë. Në guximin për të mos ulur kokën. Në fund, ndoshta vërtet është kështu: Vdekja është mashtrimi më i madh. Dhe Mësuesi mbetet një qenie e së Vërtetës dhe nuk ka ikje.









Comments