Fatmir Terziu: Kur koha rilexon fletët, ajo është Letërsi!

Ka një çast kur koha bëhet gjykatësi më i drejtë i fjalës së shkruar. Nuk pyet se kujt i ke bërë nderime, as cilit pushtet i ke shërbyer. Nuk pyet nëse ke qenë pranë fronit apo larg tij. Ajo vetëm hap fletët e vjetra dhe lexon. Dhe kur koha i zbardh ato fletë, kur i rilexon, mbetet vetëm letërsia.
Në një mesazh të 25 korrikut 2009, shkrimtari Faruk Myrtaj (E shtunë, 25 korrik 2009, ora 1:53PM) më riktheu pikërisht te kjo e vërtetë. Jo si një kujtim personal, por si një dëshmi për fatin e shkrimtarit që nuk pranon të shkruajë sipas urdhrit të kohës. Ai rrëfen një episod të vitit 1985, kur iu kërkua të shkruante një poezi për Enver Hoxhën. Përgjigjja e tij ishte e thjeshtë: nuk i vinte frymëzimi. Ndërkohë, shumë të tjerë e gjetën frymëzimin menjëherë. Ata që dje shkruanin himne për diktatorin, nesër do të shkruanin himne për pushtetin tjetër. Ndryshonin vetëm emrat, pena mbetej po ajo.
Faruku kujton edhe një tjetër ngjarje domethënëse. Pas ndryshimit të sistemit, tregimi i tij "Fjala", i shkruar shumë vite më parë, u lexua nga disa njerëz si një alegori për pushtetin e ri. Aq sa shkuan ta pyesnin drejtpërdrejt: "Po ti ç'ke me Berishën?" Ata nuk mund ta besonin se një tekst letrar mund të ishte shkruar pa adresë politike, pa synuar një individ të caktuar. Ishin mësuar ta lexonin letërsinë si shërbëtore të pushtetit. Kur panë dorëshkrimin origjinal, të shkruar më shumë se dhjetë vjet më parë, mbetën pa fjalë. Letërsia kishte folur për njeriun dhe pushtetin, jo për një emër të përveçëm. Koha kishte ruajtur provën.
Kjo është arsyeja pse letërsia e vërtetë nuk ka nevojë për avokatë. Ajo mbron vetveten me datën e dorëshkrimit, me ndershmërinë e autorit dhe me fuqinë e fjalës. Ndërsa shkrimet e porositura, elozhet e rastit dhe lavdet e ndërtuara mbi interesin, plaken që ditën kur botohen.
Shpesh ndodh që servilët e çdo pushteti të mos merren me veprën, por me shtrembërimin e saj. Ata e lexojnë një tekst sipas interesit të ditës, i ndërrojnë kuptimin, ia zhvendosin adresën, vetëm që t'i shërbejë dikujt. Nuk e bëjnë për letërsinë. E bëjnë për privilegjin. Dhe kur privilegji ndryshon adresë, ndryshon edhe interpretimi i tyre. Kjo është tragjedia e shkrimit të varur nga pushteti. Ai nuk i shërben së vërtetës, por oborrit.

Faruk Myrtaj, në atë mesazh të vitit 2009, nuk po fliste vetëm për veten. Ai po fliste për një fenomen që e kemi parë vazhdimisht në historinë tonë letrare. Ata që dikur kërkonin vargje për diktatorin, më vonë kërkuan lavde për demokracinë, pastaj për liderët e rinj, e nesër do t'i kërkojnë përsëri për dikë tjetër. Ndërsa letërsia e vërtetë nuk ndërron zot. Ajo i përket vetëm së vërtetës artistike.
Ndoshta kjo është arsyeja pse koha mbetet kritiku më i madh. Ajo nuk mashtron. Nuk njeh dekorata, as tituj, as zhurmë mediatike. Pas shumë vitesh, kur emocionet politike janë shuar dhe emrat e pushteteve janë bërë pjesë e historisë, ajo lë në këmbë vetëm atë që është shkruar me ndërgjegje.
Prandaj nuk ka rëndësi se sa shumë përpiqen ta ngatërrojnë një shkrim, t'i ndryshojnë frymën apo ta përdorin si flamur për dikë. Në fund, dorëshkrimi mbetet aty ku ishte. Data nuk ndryshon. E vërteta nuk ndryshon. Dhe letërsia nuk pranon të bëhet shërbëtore e askujt.
Kur koha zbardh fletët, ajo nuk pyet se kush ishte në pushtet. Pyet vetëm një gjë: A ishte kjo letërsi? Dhe përgjigjja, gjithmonë, gjendet në fletët që koha nuk arriti t'i zverdhë, por vetëm t'i zbardhë duke i rilexuar.








Comments