top of page

Fatmir Terziu: Kur Greqia ngatërron shapin me sheqerin

Jul 19
3 min read

 

Ka një dallim të madh mes respektit për historinë dhe përdorimit të historisë si instrument politik. E para është kulturë. E dyta është propagandë. Dhe shpesh, në debatin rreth trashëgimisë së lashtë, disa zëra zgjedhin të ecin në kufirin e hollë mes krenarisë kombëtare dhe përvetësimit politik të një pasurie që i ka kaluar prej kohësh kufijtë e një vendi. Debati i fundit në Greqi rreth filmit “Odiseu” të Christopher Nolanit është një shembull interesant i kësaj dukurie. Një vepër kinematografike që merr frymëzim nga një prej teksteve themeluese të letërsisë botërore është kthyer në objekt dyshimesh dhe kundërshtimesh nga disa qarqe greke, të cilat pretendojnë se filmi nuk pasqyron mjaftueshëm identitetin helen. Por këtu lind pyetja e pashmangshme: a është “Odisea” një dokument kombëtar i Greqisë moderne, apo një monument i qytetërimit njerëzor?

Mund ta themi troç, historia nuk funksionon sipas hartave politike të shekullit XXI. Problemi nuk është dashuria e grekëve për Homerin. Kjo është e kuptueshme dhe e natyrshme. Çdo popull ka të drejtë të ndiejë krenari për figurat e mëdha të kulturës së vet. Problemi fillon atëherë kur krenaria shndërrohet në pretendim pronësie dhe kur një trashëgimi universale trajtohet sikur të jetë një pasuri ekskluzive kombëtare. Në këtë pikë, disa zëra duket se harrojnë një të vërtetë themelore. Homeri nuk jetoi në Greqinë moderne. Ai nuk shkroi për shtete moderne, për kufij politikë, për diplomaci dhe për interesa gjeopolitike. Bota e “Iliadës” dhe “Odisesë” është bota e një epoke shumë më të hershme, e lidhur me kujtesën e Epokës së Bronzit të Vonë, me qytetërimin mikenas dhe me një horizont historik që nuk mund të reduktohet në nacionalizmat e sotëm. Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për ta kthyer Homerin në një flamur politik të kohëve moderne është një deformim i historisë.

Trashëgimia kulturore nuk është një pronë e regjistruar në zyrat e shteteve. Ajo është një pasuri e përbashkët e njerëzimit. Greqia ka një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe transmetimin e kësaj trashëgimie, por pikërisht ky rol duhet ta bëjë atë më të sigurt, jo më mbrojtëse; më të hapur, jo më përjashtuese. Një kulturë e madhe nuk ka nevojë të ngrejë barriera rreth vetes. Ajo fiton kur të tjerët e lexojnë, e interpretojnë dhe e sjellin në epoka të reja. Nëse një regjisor si Nolan i afrohet “Odisesë”, ai nuk po i merr asgjë Greqisë. Përkundrazi, ai po dëshmon se Homeri ende jeton. Një vepër e vdekur ka nevojë për mbrojtje muzeale. Një vepër e gjallë vazhdon të krijojë debate, interpretime dhe pyetje. Por në politikën e identiteteve, shpesh ndodh që emocionet zëvendësojnë faktet. Historia përdoret jo për të kuptuar të kaluarën, por për të ushqyer narrativat e së tashmes. Dhe këtu qëndron rreziku.

Kur një shtet përpiqet të monopolizojë figurat e mëdha të njerëzimit, ai nuk e forcon historinë e vet, përkundrazi, e zvogëlon atë. Sepse madhështia nuk matet me atë se sa shumë mund të mbash për vete, por me atë se sa shumë mund të ndikosh te të tjerët. Në fund, debati për “Odisenë” nuk është vetëm një debat për një film. Është një debat për mënyrën se si kombet moderne e shohin veten përballë historisë. A e shohin të kaluarën si një urë bashkimi apo si një armë politike? Duhet theksuar se, kur historia përdoret për të ndarë, ajo humbet kuptimin e saj më të madh. Dhe kur dikush ngatërron trashëgiminë universale me pronësinë kombëtare, atëherë ndodh ajo që thotë vetë titulli, ngatërron shapin me sheqerin. Kjo natyrisht duhet kuptuar se shapi mund të ruhet në një enë të mbyllur, por sheqeri ka vlerë vetëm kur ndahet.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page