top of page

Fatmir Terziu: Jo thjesht për të rikujtuar poetin Arqile V. Gjata


Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Ndër emrat më të angazhuar, aktivë, komunitarë, poetikë dhe origjinalë të letërsisë sonë të re, që u lëvrua dhe në mjedisin ku ai jetoi dhe punoi disa vite familjarisht, në Athinë të Grëqisë, emri i poetit Arqile V. Gjata është vendosur në memorjen e të gjithëve, familjarë, miq, poetë, krijues, aktivistë të kulturës e traditës shqiptare në mërgim, dhe mbi të gjitha atyre që e njohnin dhe e njohën nga afër. Fatkeqësisht, ai nuk është më me ne, ai u largua një vit më parë, sikur për të ruajtur një pjesë të pakëndshme të traditës poetike shqiptare atje lart me Yjet.

Është e përshtatshme të themi disa fjalë jo vetëm për poezinë e tij, por edhe për cilësitë e tij njerëzore, të cilat ishin të shumta. Arqile V. Gjata la një gjurmë të thellë në mendjet e miqve të tij, ai ishte jashtëzakonisht i drejtpërdrejtë dhe i ndershëm, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, e donte punën e tij, e cila u mbështet nga familja e tij, përmes Xhenit, që e donte aq shumë, dhe natyrisht anasjelltas, në bashkëpunim me fëmijët e tyre e mbesat e nipërit model. Arqile V. Gjata punoi punë të ndryshme të përditësisë, si specialist i disa fushave jetike, por edhe për letërsinë, por mbi të gjitha - për të vërtetën. Ai la këtu dashurinë e tij për tokën dhe atdheun e tij, për fëmijët, të dashurin e tij, Zonjën e tij Xheni dhe mbi të gjitha - për të vërtetën. E vërteta që përmbahet në letërsinë dhe poezinë e mirë.

Arqile V. Gjata na dha libra, ese, shkrime, hulumtime, për të cilat poetja dhe doktoresha e shkencave, mbesa e tij Shpresa Gjergji Fundo, ka bërë mjaft shkrime profesionale, mjaft ese dhe përkushtime, po aq sa dhe kumtesat e tij në disa institucione, përfshi dhe Universitetin e Tetovës.

Arqile V. Gjata e donte Vlorën, Skelën, por tërë Shqipërinë, vlonjatët dhe shqiptarët si një binom realist në tërë hapësirën e tyre. I donte dhe e donin të gjithë. I donte të gjithë moshat, por i respektonte më së shumti edhe ata në moshë:

"KU SHKONI, O TË PLAKUR…?

 

Çapiten nëpër ajër të kohës,

kukurisin me pak zë grumbuj të moshuarish.

 

-Ku shkoni, o të plakur,

nëpër mjegullën e bardhë?

Jeni hallexhinj

deri në shpirt të thinjur.

 

*

Tani nuk ka lojëra për ata,

veç fjalës që ua dhurojmë

a belbëzimin e një foshnje.

 

Mbetur me veten,

qeshin me fytyrën plakushe të tyre

dhe ëndërrojnë kujtimet e së djeshmes

varur në kopshtin e lodrave.

 

Në gramë të shpirtit

ndihen pëshpërima buzësh

që dikur puthën.

 

Të ecin duan, diçka më tutje, ashtu,

me gjysmë fryme, ecin…

 

***

Dhe unë, pse i thinjur dua të hapoj,

më pëlqejnë lojërat

“Valët e Danubit” me elegancë e vallëzoj!!"

(Arqile V. Gjata)

 

Nga poezitë e Arqile V. Gjatës na mbetet një ndjesi pastërtie. Ndonjëherë – e heshtjes dhe e shiut. Sidomos në “Të gjitha nga pak”. Atje, diku, në një pjesë të botës dhe të kohës suaj (që mund të vlejë për të gjithë ne), të cilën e keni humbur dhe tani e gjeni, dikush ua kthen ato – poetit! E pabesueshme. Ajo që mbetet është ndjesia e distancës nga muzgu dhe muzgu i Veriut tek fëmijët tuaj. Lehtësia e një trishtimi, aq e lehtë sa lehtësia e një dite të shkurtër, e mbushur me dashuri familjare, vizione për një të ardhme – sikur kujtime, sikur fenomene. Dhe ajo përthithje në vetvete, në fakt – në jetën ku nis “Balada e fustanit të bardhë”. Një poet i sinqertë. Ndoshta ai parashikon. Prek. Vështron në thellësi. Ndoshta ai tregon, tek „Mësuesja e tij e parë“ (Kristavgji Bano), tek fëminorja, reale në vendin tonë! E para fare. E vetmja. Më e shtrenjta. – Jo tamam, jo ​​tamam. Ndoshta një përgjigje, ose pasthirrmë e thellë, por e regjistruar nga dora e një lexuesi që ka kaluar nëpër interpretimin e qindra faqeve, filozofive dhe udhëzimeve për të arritur në vlerën e saj të së vërtetës. Tek zbulimi i saj i gëzueshëm. Tek ky fragment:,

„Me grushtin shtrënguar në zemrën time

përtyp lot, të hetoj dramën e asaj vajze

të uritur për një gllënjkë dashurie!...“ Dashuria. Dhimbja. Përjetësia. Aritmetika…

BASHKË ME PRANVERËN BËHEMI TRE

 

 Poet,

ma mbushni gotën plot me verë

të ndjej frymëmarrjen e pranverës

të kap mirëseardhjen e lulëkuqeve!

 

Ne…

bashkë me poetët jemi natyra

jetojmë me muzikën e luleve të porsa çelura.

A nuk është sot Pranverë?

 

Eja vashëzë…

vishu me ngjyrat e festës

ti bashkohemi rrëfenjës intime,

për sot

syri i stinës së ngjyrave

ka zgjedhur dashurinë të recitoj!

 

Dritë gëzimi Pranvera

si bijë e jetës

dhe e dashura ime si sot ka lindur!

***

Në çdo gonxhe trëndafili

unë dhe poeti

bashkë me pranverën bëhemi tre!

(Arqile V. Gjata)

Këtu nuk do të gjejmë përshkrime, shpjegime dhe biseda miqësore banale. Nuk do të gjejmë didaktikë, as lëvizje gishtash kundër padrejtësisë. As betime, madje as para të dashuruarve. As shpërthime. Dashuria buron. Bukuria gjithashtu. Ato janë të prekshme. Të papritura për ne, kombinime të panjohura të të gjallëve dhe të vdekurve. Jeta si jetë - do ti thoshte poeti „Gruas ëndërrimtare":

„Ajo,

“Gruaja ëndërrimtare” sodiste veten,

ndjente ftohtë

kur mendonte se ishte aq e bukur.

Me tërë madhështinë e moshës doli nga zarfi,

si shelgu vajtues zgjati duart

në kërkim të së vërtetës…

 

Kishte rënë peng e vetvetes…

Këtë gjë e dinin dhe rrugicat e moteve

stina e saj ishte vetvetja

donte të bëhej pjesë e asaj ëndrre

vërtetë, ajo fluturon nga qejfi!

I thotë vetes:

-Jam e butë dhe e bukur si ëndërr!“ (ibid)

Poezia e Arqile V. Gjata qëndron dukshëm e në letërsinë e krijuar në atë mjedis, ku hera-herës ndikohej nga shumë faktorë. Po, dhe në të vjetrën. Vargjet e tij të buta janë shumë të guximshme për dualizmin tonë tradicional, ku do të gjenim pothuajse gjithçka që duam, por është qartësisht e përvijuar dhe madje e nënvizuar. Ai papritur dhe me mjaft punë bëri qartësisht emër midis postmodernistëve tanë, sepse poezia e tij nuk është lojë, ka fat në të. Një poet që nuk pretendonte të ishte interesant. Ai është. Pavarësisht gjithë konvencionalitetit të mjeteve të shprehjes, lirikat e tij janë një fragment nga realiteti - i ndritshëm, vizual, madje edhe me gjemba në disa vende. Një poet që, pa asnjë bujë, udhëhoqi betejën e tij - për të dashurit e tij, për fëmijët e tij, miqtë dhe për ne - lexuesit e tij. Pa asnjë grimcë agresioni. Ai na tregoi kalimin e stinëve përmes nocionit, i cili është gjithmonë i pamjaftueshëm për ndjenjat dhe frikërat tona, që prekën dhe shijuan Shën Valentinët:

"PËR SHËN VALENTIN

 

E dashur,

në studion tonë kemi shumë letra dhe fjalë dashurie.

Ka ardhur koha,

me to të ndërtojmë Shtëpinë e fjetjes.

 

Mëngjeseve do përtypim mesazhet plot hire

të poezive

shkruar për buzët dhe flokët e bardha.

Gjithçka nga letërkëmbimet do i shtrojmë në tapetin e kuq

e ne të dy, futur brenda njeri-tjetrit

do vallëzojmë sonte në natën e Shën Valentini-t,

të recitojmë kujtimet

ruajtur me merak në dy gjysma zemre.

Me germat e tyre do pikturojmë të sotmen,

buzëqeshjen e dashurisë… mbi një trëndafil të kuq!"

(Arqile V. Gjata)

Në gjendjen e kritikës sonë - më parë, dhe tani, nuk mund të mbështeteshim te kritikët që mund të analizonin ose thjesht të shkruanin për poezinë e Gjatës. Dhe ata duhet të jenë nga brezi i tij. Çfarë do të thoshim ne - më të ndjeshmit - për këtë poezi të jashtëzakonshme? Se kjo poezi është plotësisht e pavarur, dhe e paprekur nga tone dhe tonalitete të huaja. Nuk mund të bëhej një e preferuar e lexuesve të mësuar me këngë ose poetikë të prerë, me metafora të lehta dhe faqe qetësuese. Por lexuesi i tunduar do ta vërejë menjëherë ndryshimin, tjetërsinë. Kjo është poezi që shikon lehtë dhe natyrshëm në sekretet e fshehura të jetës, madje që merr guximin dhe i këndon edhe „Grave të poetëve“. Kjo është gjithashtu poezi shprese. Moderniteti këtu shikon nga kudo. Lexon dhe duket sikur po kalon së bashku me autorin përmes rrugëve dhe klisheve të ftohta, përmes vendeve nga lufta ku askush nuk dëshiron të ketë një shtëpi. Dhe kur:

„Në gramë të shpirtit

ndihen pëshpërima buzësh

që dikur puthën.“ (Poezia: Ku shkoni o të plakur)

Poeti është i fortë me botën e tij të brendshme, me të kalon nëpër të jashtmen dhe sikur nuk lë asgjë atje, por kjo është e dukshme. Vështrimi i tij është - dashuri. Ai "edhe pse i thinjur" kërkon të hepoj (po aty). Vetë të jetuarit është një zbulim i vazhdueshëm i sekretit të errët ose sekretit të ndritshëm. Dhe poezi të çuditshme për dashurinë. Dikush do të pyesë -

"A janë ato për dashurinë?"

…“ Eja vashëzë…

vishu me ngjyrat e festës

ti bashkohemi rrëfenjës intime,

për sot

syri i stinës së ngjyrave

ka zgjedhur dashurinë të recitoj!

 

Dritë gëzimi Pranvera

si bijë e jetës

dhe e dashura ime si sot ka lindur!

***

Në çdo gonxhe trëndafili

unë dhe poeti

bashkë me pranverën bëhemi tre!“

Londër, 05. 09. 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page