top of page

Fatmir Terziu: Ismail Nuredin Sinani, mësuesi–fotograf që përjetësoi një fshat të tërë

Updated: Jan 4

Prof. Dr. Fatmir TErziu


Ismail Nuredin Sinani, mësuesi–fotograf që përjetësoi një fshat të tërë

 

Si një qasje për fillim

 

Në Lagjen Allaj (Allovci) të fshatit Trebisht-Bala, ndodhet një shtëpi. Shtëpia është disa metra larg Kallogjerit, dhe vetëm pak metra mbi çesmën e vjetër tradicionale, që ndante shtëpitë me trungun e Nuredin Osman Sinanit. Në atë shtëpi, që kohët i sollën vlera dhe patriotizëm lindi dhe pinjollli i saj Ismail Nuredin Osmani. Një djalosh që kishte shumë dhunti, dhe që njerëzit e tregonin, dhe e ritregonin thjesht me atë fjalinë „çfarë i thotë mendja i bën dora“. Kështu, ai ishte që në fëmijëri, me pasione të ndryshme. E pasionet nuk iu ndërprenë edhe kur ai u rrit jetim… Shkaqet dhe arsyet i ndiqni më poshtë në këtë shkrim që nxjerr në dritë për herë të parë këtë figurë të respektuar.

 

Kush ishte Ismail Nuredin Sinani

 

Ismail Nuredin Sinani e nisi punën e tij si mësues. Në klasë ai i mësonte nxënësit të lexonin tekstet, ndërsa me aparatin e tij, më vonë, do t’u mësonte të lexonin kohën. Fotografia për të nuk ishte kundërshtare e arsimit, ishte vazhdim i tij, një mënyrë për ta bërë dijen konkrete, për ta kapur fytyrën e fshatarit që punon, gëzimin e një dasme, ceremonitë e shkollës, momentet kur komuniteti bashkohej Nga mësues i fisnikërisë intelektuale, në fotograf të kujtesës kolektive, Ismail Nuredin Sinani mbetet figura që i dha Trebishtit një memorie të dukshme. Ai nuk ishte thjesht fotograf. Ai ishte kronikan i kohës, dëshmitar i jetës dhe i mungesës, i ritmit shoqëror dhe ndryshimeve që po zbraznin fshatin. Ai kujtohet sot si mësuesi që e zgjeroi auditorin drejt dritës së objektivit. Me këtë vizion e objektiv ai i dha fshatit dy mësues të tjerë nga familja e tij, ku i pari Eqremi punoi si edukator, e më pas iu rikthye profesionit të Topografit në disa ndërrmarje, ndërsa tjetri, Osman Sinani doli në pension në profesionin e tij të mësuesit. Por dhe fëmijët e tij të tjerë, Xhemilja, Mevlani, Besniku ishin dhe mbetën model. Kështu rrënjët e Ismail Nuredin Sinanit u zgjeruan…

 

Fillimi i një pasioni, një aparat dhe një miqësi

 

Një ditë, gjatë një udhëtimi në Tiranë për të takuar një mik të vjetër, Ismail Sinani hyri rastësisht në bisedë për fotografinë. Biseda u bë nxitje, dhe kështu ai bleu një aparat fotografik nga fotografi e gazetari i njohur Vasil Koçi. Kjo blerje, që në pamje të parë dukej e thjeshtë, e përkthyer në jetë, u kthye në mision. U kthye në Trebisht dhe nisi menjëherë punën. Fotografimi i tij i parë publik ishte një dasëm dhe aty kuptoi se aparati nuk ishte thjesht mjet, por urë mes njerëzve.

 

Midis shtetit dhe artit

 

Suksesi i parë nuk kaloi pa pasoja. Fotografia ishte aktivitet i kontrolluar dhe shpesh i dyshuar nga shteti. Pas pyetjeve dhe vëzhgimeve të shumta, Ismail Sinani vendosi ta deklaronte aparatin. Kështu, fotografia e tij u bë institucionale dhe komunitare njëkohësisht. Me atë aparat më pas ai realizoi qindra foto për kooperativën bujqësore, dokumentoi objekte e ngjarje për muzeun lokal, vijoi të fotografonte dasma, familje, fëmijë, mësues. Në duart e tij, fotografia u kthye nga një dyshim shtetëror në një arkiv social.

 

Fotografi që “ringjalli” njerëzit

 

Ismail Nuredin Sinani mbahet mend si fotografi që “ringjalli mijëra njerëz në fotografi”. Në një kohë kur shumë jetëra përfundonin pa gjurmë, imazhet e tij u bënë dëshmi ekzistence. Fotografitë e tij ruajtën fytyra të humbura nga emigrimi, nga lëvizjet e brendshme, madje edhe nga historia e pamëshirshme. Në shtëpinë e tij, fotografia nuk ishte zanat, por ishte shkencë e kujtesës intime, që përzihej dhe me dashurinë e tij të kahershme të bletërritësit. E mes të dyjave, dukej se puna e tij mjaltohej  në një mënyrë për të kthyer kohën pas, për të mbajtur gjallë ritmet e jetës familjare dhe komunitare, sidomos kur Trebishti nisi të zbardhej nga boshatisja.

 

Trebisht-Bala mbeti një hapësirë historie

 

Ismaili ishte i biri i Nuredin Osman Sinanit, nga Trebisht-Bala. Historia e familjes së tij lidhet me ngjarje të mëdha kombëtare. Më 1912, Nuredini, bashkë me Hasan Destanin (Alushin), u kthyen nga Selaniku dhe morën pjesë në ngritjen e Flamurit në Trebisht. Më 1943, ai u arrestua nga forcat gjermane dhe u internua në kampet e Zenunit/Semplinit dhe u pushkatua në dhjetor të po atij viti, vetëm 43 vjeç. Kjo trashëgimi e dhimbshme e humbjes dhe sakrificës, pa dyshim, ndikoi tek djali i tij, sepse fotografia për Ismailin nuk ishte thjesht hobi, ishte mjet mbijetese e kujtesës.

 

Fotografia në kohën e kontrollit shtetëror

 

Në dekadat kur punoi Ismail Nuredin Sinani, si mësues, fotograf dhe si bletërritës, fotografia në Shqipëri ishte e kufizuar dhe shpesh e instrumentalizuar. Aparatet ishin të rrallë, të importuar, të vëzhguar. Fotografët shpesh shërbenin si dokumentues të propagandës, por edhe si ruajtës të heshtur të jetës reale. Në këtë hapësirë të ngushtë, Ismail Sinani lëvizi me inteligjencë profesionale. Ai dokumentoi bujqit, klasat e shkollës “10 Dëshmorët”, dasmat, fejesat, martesat dhe mjaft të tjera, duke i dhënë kuptim shoqëror fotografisë.

 

Trashëgimia

 

Ismail Nuredin Sinani mbetet sot Fotografi i paharruar i Trebishtit. Në imazhet e tij ruhet hapësira midis dy kohëve, Trebishti i dikurshëm, plot zëra e fëmijë, dhe Trebishti i sotëm, shpesh bosh, i vetëm me kujtimet. Aparati i tij nuk ishte vetëm mjet teknik. Ai aparat ishte arkiv, dëshmitar, kujtim, urë mes brezave. Nëpërmjet lenteve të tij, njerëzit jo vetëm u fotografuan, por ata mbijetuan. Ismail Nuredin Sinani nuk ka lënë vetëm fotografi.

Ai ka lënë një model shërbimi publik. Të punosh me përkushtim, pa zhurmë, duke i dhënë komunitetit një pasuri që e kapërcen kohën. Në kohë kur shumëçka fshihej, ai ruante vlerat fotografike për brezat. Në kohën kur njerëzit humbisnin, ai regjistronte pamjet dhe portretet e tyre që të flisnin në të gjithë kohërat. Pra, fytyrat dhe portretet e tyre që të flisnin në të gjithë kohërat. Kjo është arsyeja pse në Trebisht e quajnë ende “Fotografi që i mbajti njerëzit gjallë.”

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page