Astrit Lulushi, edhe filozofi edhe art
Prof Dr Fatmir Terziu
Jeta është e papërpunuar. Një kundërshtim. Jeta nuk është asnjëherë siç duket. Duke u ripërsëritur gjithmonë me një mendim të vendosur mbi gjatësinë e fjalëve, hijeve të tyre e më së shumti dritëhijeve të fjalëve e historive, zhbirimeve e diskurseve, si e tillë, vetë jeta kërkon një majë të mprehtë pene. Kërkon një kërkues të vazhdueshëm. Një hulumtues të fjalës së goditur filozofike, përshtatëse, emocionuese, të zhdërvjelltë, dhe pse jo “simpatike”, për të na e dhënë jetën ashtu sikur duhet, pra të përpunuar, në dhe brenda kundërshtive. Mos të shkojmë më tutje, por të thërrasim me lutje e brohoritje prej fjalës së mushtit, tërë bagazhin e prurjen e sotme të Astrit Lulushit.
E kjo është një thirrje e kahershme zemre, e një lexuesi që e bën ditën të jetë ditë, që e sjell shkurtazi në dritë, dhe e bën atë që të mbahet gjallë si prushi, si atë që jo lehtë mund ta bëj dikushi. “Dikushi” ka qenë këtu mes nesh, ka pritur e përcjellur lehtë e qetë.., fjalën, leximin. “Dikushi” nuk është thjesht Astrit Lulushi. Ai është është autor i vëllimit të katërt “Zhgënjime Sporadike” (2012). Ai ka shkruar vëllimet me ese e përsiatje “Pak ndryshe”, (2010); “Ndjenjë realiteti”, (2011) dhe “63 Sonete të Shekspirit” (2011) e qindra prurjeve filozofike.
Dhe jeta mbetet një jetë e tërë komplekse në shkrimet e esetë e shkurtëra të Lulushit, se jeta nuk është kurrë siç duket, përkundrazi jeta nuk është sikurse ndjek dhe ndjen veten në pasqyrë duke e treguar e ritreguar mes vetes, as si një arsye që e bën tërë amalgamën e zhdërvjethtësisë në këndin e stilin e vet. Të ndezura nga zhgënjimi i tërbuar i përditësive, janë të gjitha këto arsye, të gjitha këto shkrime që vijnë me vlera fine.
Numri i shkrimeve të këtij autori vë në pah deflacion të patejkalueshëm, sepse nuk është për kohën e ngarkuar me mijëra trishtime, që rritet për zvarritje në një kënd me disa lëvizje, shkrimi i tij është të zgjedhë cilën jetë në fakt vetë Njeriu dëshiron si locion. Duke folur dhe duke argumentuar me fakte historike dhe po aq filozofike, Astrit Lulushi nget dhe ndjek arsyet, “egoja” nuk është “heroi” i tij, as një i lindur për të punuar zeron në kuptimin e jetës. Ai është një risi dhe ndaj i besohet leximit me një arsye, shfletimit me një dorë të tillë që t'i mbështesë të gjithë prurjet me urdhër të mirëkuptimit dhe mendjes.
Por me këtë përmendje të vogël, ju të nderuar kolegë, miq e shkrimtarë, kërkues e poetë, njerëz të artit të vërtetë, ju lutemi kushtoni pak vëmendje, ndoshta një vëmendje të madhe sepse kjo që ndjek Astrit Lulushi është një rrugë e re, është një "këngë" në llojin e vet, është një dialektikë, është një prognozë, për dje, për sot ..., e patjetër dhe për nesër. Të paktën për të shpjeguar mesazhin, e tërë prurja është një tërësi që kërkon që vjen nga një kohë e jetës për të përjetuar dhe rritur, vlerësuar dhe rivlerësuar gjërat që rrëzojnë të gjitha nivelet rreth vetë prangave, kapërcimeve, ndalesave dhe shkurtesave dinake të vetë jetës. Në leximin e tillë nuk ka asnjë pengesë, asnjë derë të mbyllur, vetëm përvojë e mirëfilltë e jetës për të sjellë dhe për të na prurë nga ana filozofike, atë që duhet për të arritur në këtë pikë, për t’i shpjeguar botës diçka brenda vetvetes, e cila përshkruhet nga persona të zgjuar, për të cilët këto ide vazhdojnë të përmbushin një pjesë të jashtëzakonshme të një diçkaje që rrëshqet jo rastësisht, por qëllimisht dhe nuk amendohet kurrë, sepse thuhet brenda arsyes, që njerëzimi nuk mund të jetë pa ideologji të një personi thjesht "të mahnitur". E këtë e bën art autori.
Gjithçka është absolute dhe ekzistenciale, dhe evokohet përmes mjeteve më të përkryera të shkrimit. Nga koha e lirisë shkatërruese, e sheh edhe njëherë jetën me sytë si fëmijë, jo si të rritur, sepse shikohet, se si janë të rriturit këto ditë. Ata i mësojnë fëmijët e tyre, dhe ata i lënë të tjerët të mësojnë fëmijët e tyre, por fëmijët kurrë nuk marrin ndjenjën e të qenurit të lirë. Ju premtoj, atë klithmë, ose emocion që keni përjetuar për shkak të mungesës së miqësisë nga enigma “mik” dhe “fqinj”, nga kumti “kënetë”, apo “histori” është një ngulm që ndjell shumë lëvizje të jetës për të besuar në gjëra të çuditshme që portretizon bota. A është këtu thjesht “Liria?” Për veten time, unë gjej pikënisjen, si atëherë kur u frymëzova për herë të parë të ndjej ajrin tim të ndjeshëm, kur ecja në dy këmbët e mia pa udhëzime dhe kur nuk mendoja se ku po shihnin sytë. Si mund të jetë një mendje kaq e butë, e humbur nga keqformimi tren jete, pasi treni e sfidon jetën? Kjo është arsyeja pse unë gjej tek shkrimet e Astritit një gjë kaq tërheqëse të pamëshirshme, që mund të ndahet në disa modele se pse është ky rast, që shkrimet e tij ti quaj edhe filozofi, edhe art.
Ishte një burim i pashtershëm i njohurive, leksioneve, të rejave. Nga të gjitha fushat. U prehtë në paqje në jeten e pasosur.