top of page

Fatmir Terziu: Gëzuar Ditëlindjen "RD"!

URË E BLU DHE ZJARR I FJALËS

Nga Fatmir Terziu

 

Tridhjetë e pesë stinë më parë

u çel një dritë e re mbi letër,

ditëlindja e Fjalës së Lirë,

një zog blu që doli nga hiri

dhe rrahu krahët mbi Shqipërinë.

 

Jam krenar

si një rojtar i lashtë mbi portat e qytetit,

që i kam shërbyer me penë

gazetës së parë që thirri dritën,

atëherë kur nata ishte ligj

dhe frika mbante re të zeza mbi njerëzit.

 

Në altarët e heshtjes

ne ndezëm fjalën,

si Promete që u shemb nga mali

për t’ia dhënë njerëzimit zjarrin

dhe dhimbjet tona u bënë formë lirie.

 

Tridhjetë e pesë stinë më parë

u çel një dritë e re mbi letër,

ditëlindja e fjalës së lirë,

një zog blu që doli nga hiri

dhe rrahu krahët mbi Shqipërinë.

 

Në atë kohë

perënditë e vjetra të frikës murmuritnin:

“Mos e zgjoni gjuhën,

mos e prekni të vërtetën.”

Por ne e ngritëm urën e guximit

mbi lumin e tërbimit,

dhe kaluam.

 

Gazeta ishte orakull

që nuk shëmbte fatet,

por i ftonte njerëzit t’i ndërtonin vetë.

Ishte shpatë kundër harresës

dhe kupë për shpresën.

 

Shpirtrat tanë u lidhën me bojën,

dora jonë u bë zë,

zëri ynë u bë udhë

dhe udha nuk mund të kthehej më pas.

 

Dikur, rradhët e gjata

pritnin jo thjesht një numër gazete,

por agimin.

Çdo faqe ishte betim,

çdo titull, një gur i ri

në tempullin e demokracisë që po ngrihej.


U grindën titanët,

u përçanë kështjellat,

u ndanë rrugët si degët e një peme të vjetër.

Por rrënja mbeti,

fjalë e lirë, që s’kthehet më në errësirë.

 

Sot, kur kohët bëhen mjegull,

kthimi pas nuk është nostalgji,

është rit i kujtesës.

Sepse kush harron dritën e parë,

lejon hijet të vetëshpallen zotër.

 

Jam krenar

që në një epokë të ngushtë

mbajta në dorë një penë që zgjeroi frymën.

E di, gazeta blu ishte më shumë se gazetë,

ishte mit i lindur nga njerëz të thjeshtë,

që besuan se fjala mund të ngrejë popuj.

 

Dhe sot i them vetes,

dhe nëse letrat treten,

dhe nëse faqet shuhen,

zjarri që ndezëm atëherë

do të udhëtojë prej zemre në zemër,

si një dritë që nuk i bindet perëndimit.

 

Sepse fjalët që lindin lirinë

janë hyjni pa tempull,

jetojnë tek ai që guxon

t’i thotë me zë.


Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page