top of page

Fatmir Terziu: Fatbardh Doko, Intelektuali që i duhet Elbasanit

ree

Fatbardh Doko, Intelektuali që i duhet Elbasanit

 

Prej disa ditësh, në Elbasan pas njw opinioni tw njw qytetari, nw njw aktivitet tw zgjeruar politik, është rihapur një debat i njohur: a ka apo jo figura të denja forca Opozitare për të drejtuar Bashkinë? Ky është një diskutim i gjerë dhe i nevojshëm, por brenda tij shpesh mungon vlerësimi objektiv i individëve që kanë ndërtuar profil publik, profesional dhe qytetar përgjatë dekadave. Një prej emrave që meriton vëmendje serioze është ai i Fatbardh Dokos.

Fatbardh Doko përfaqëson një brez qytetarësh që e kanë jetuar tranzicionin shqiptar jo si spektatorë, por si aktorë aktivë. I përndjekur në diktaturë, i formuar profesionalisht dhe i ndërtuar mbi parimin e punës së ndershme, ai është një shembull i qartë se si integriteti personal mund të shndërrohet në kapital publik.

Ai ka qenë i angazhuar që në hapat e parë të demokracisë në sektorë të rëndësishëm të Bashkisë së Elbasanit, duke fituar njohje të drejtpërdrejtë me funksionimin e administratës vendore dhe nevojat reale të qytetit. Elbasanin nuk e njeh nga statistikat apo raportet, por nga përditshmëria: ai jeton, punon dhe zhvillon biznesin e tij në këtë qytet.

 

Profil profesional dhe vizion zhvillimi

 

Në një qytet të madh, modeli i kryetarit të bashkisë nuk është thjesht një administrator, por një udhëheqës vizionar. Një figurë që di të vendosë drejtim strategjik, të menaxhojë buxhete komplekse, të ndërtojë partneritete dhe të ruajë llogaridhënien publike. Ky profil kërkon kombinimin e politikave të guximshme me ekzekutim praktik – pikërisht fusha ku eksperienca e Fatbardh Dokos flet vetë.

Si biznesmen i suksesshëm dhe administrator i një kompanie lider, ai ka ndërtuar karrierën mbi rritje graduale, vendimmarrje racionale dhe specializim të thellë. Ai e nisi aktivitetin që në fillimet e ekonomisë së tregut, fillimisht në ndërtimin e rrugëve. Rruga e parë e rikonstruktuar në Elbasan nga kompania e tij vazhdon edhe sot të jetë funksionale, një detaj domethënës për mënyrën si ai e koncepton cilësinë dhe përgjegjësinë larg korrupsionit.

Kur sektori i ndërtimit u deformua nga logjika e fitimit të shpejtë në kurriz të standardeve, Doko zgjodhi të ndryshojë drejtim. Ai i dha kompanisë së tij një specializim të ngushtë dhe të sofistikuar: ndërtimin dhe montimin e linjave të tensionit të lartë – një fushë që kërkon profesionalizëm, korrektësi dhe besueshmëri afatgjatë.

 

Angazhim qytetar dhe ndërkombëtar

 

Fatbardh Doko është Rotarian, me miqësi dhe bashkëpunime nga e gjithë bota, çka i jep atij një horizont ndërkombëtar dhe aftësi për të ndërtuar ura komunikimi përtej kufijve lokalë. Kjo përvojë reflektohet edhe në angazhimin e tij social. Në kuadër të projektit “ToP Future”, të mbështetur nga Global Initiative against Transnational Organized Crime dhe financuar nga Ambasada Hollandeze në Tiranë, ai ka ndarë modelin e tij të suksesit me nxënësit e shkollave të Elbasanit, duke promovuar kulturën e punës, sipërmarrjes dhe përgjegjësisë qytetare.

 

Vlera njerëzore dhe familjare, një profil që meriton vlerësim

 

Përtej profesionit, Doko njihet si familjar model, bashkëshort i një zonje të nderuar dhe prind i dy djemve të formuar në shkollë, punë dhe biznes. Ky dimension njerëzor nuk është i parëndësishëm, pasi qeverisja lokale kërkon jo vetëm aftësi teknike, por edhe empati, maturi dhe sens shërbimi. Nëse flasim për vizion dhe strategji, menaxhim financiar, udhëheqje politike, ndërtim konsensusi, partneritet me biznesin dhe shoqërinë, përfaqësim dinjitoz dhe llogaridhënie publike, Fatbardh Doko, i ka të gjitha elementet që literatura moderne e qeverisjes urbane i kërkon një drejtuesi bashkie.

Në një kohë kur shpesh thuhet se “nuk ka emra”, ndoshta problemi nuk është mungesa e figurave, por mungesa e vullnetit për t’i parë dhe vlerësuar ato me seriozitet. Fatbardh Doko është një nga ata emra që, të paktën, e meriton këtë vlerësim.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page