Fatmir Terziu: Dilaver Jonuzi – pinjolli i fundit i vlerave të mëdha
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 21, 2025
- 3 min read

Dilaver Jonuzi – pinjolli i fundit i vlerave të mëdha
Në historinë e të ardhurve nga treva të ndryshme në qytetin e Elbasanit ka emra që nuk lidhen vetëm me profesionin, apo funksionin e tyre, por me një trashëgimi të tërë vlerash qytetare, kulturore dhe shoqërore. Një prej këtyre figurave është pa dyshim Dilaver Jonuzi, i njohur si një nga specialistët më me zë të fushës së ndërtimit në vitet 1950–1989 dhe si vazhdues i një tradite familjare që ka lënë gjurmë të thella në jetën ekonomike dhe urbane të qytetit. Dilaver Jonuzi u formua dhe u afirmua në një periudhë të vështirë, por edhe vendimtare për zhvillimin urban dhe industrial të Shqipërisë. Ai punoi dhe drejtoi disa institucione ndërtimi, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në realizimin e veprave me rëndësi publike. Përvoja e tij profesionale u shtri në ndërmarrje të rëndësishme shtetërore, ku njihej për korrektësi, profesionalizëm dhe vizion teknik. Për dekada me radhë, emri i tij lidhej me ndërtimin serioz, funksional dhe të qëndrueshëm.
Një nga shprehjet më domethënëse të kësaj kulture ndërtimi është edhe shtëpia e tij në Elbasan, një model i arkitekturës qytetare elbasanase, e ndërtuar në një kohë kur frymëzimi vinte nga vilat që të parët e tij kishin ndërtuar për Shefqet Vërlacin. Kjo shtëpi nuk ishte thjesht një banesë, por një simbol i vazhdimësisë së shijes estetike, rregullit dhe respektit për traditën urbane. Rrënjët e familjes Jonuzi shtrihen përtej Elbasanit. Të parët e tyre ishin vendosur në Elbasan dhe Tiranë duke ardhur nga Trebishti i Gollobordës, pas veprimtarive tregtare që kishin zhvilluar më herët me Bullgarinë. Kjo tregti nuk ishte e zakonshme, pasi familja Jonuzi u mor për vite me radhë me tregtinë e fidanëve, ku ndërtoi një bahçe të madhe në vendlindje, dhe veçanërisht të trëndafilave, një sektor me rëndësi të veçantë ekonomike dhe kulturore në Ballkanin e fillimshekullit XX.
Historikisht, Abdulla Jonuzi njihet si njeriu që solli varietete trëndafilash në disa mjedise shqiptare, të cilat shërbyen për prodhimin e parfumeve. Ky kontribut lidhet drejtpërdrejt me traditën bullgare të kultivimit të trëndafilit me vaj, një produkt i njohur ndërkombëtarisht. Në vitet 1930, Bullgaria ishte një vend i vogël agrar, por me specializim të fortë bujqësor, që eksportonte trëndafila, duhan, fruta, perime dhe fara në të gjithë rajonin. Marrëveshjet ekonomike dhe diplomatike të asaj kohe, sidomos pas vitit 1934 dhe me Paktin Ballkanik të vitit 1937, krijuan një rrjet të gjerë shkëmbimesh tregtare mes vendeve të Ballkanit, ku çdo shtet ofronte produktet në të cilat kishte avantazh konkurrues.
Në këtë kontekst historik dhe ekonomik, veprimtaria e familjes Jonuzi merr një dimension më të gjerë, ajo nuk ishte thjesht tregti, por pjesë e një sistemi marrëdhëniesh rajonale, ku bujqësia, industria e lehtë dhe diplomacia ekonomike ndërthureshin ngushtë. Një tjetër figurë e rëndësishme e kësaj familjeje ishte Sefer Jonuzi, i cili kishte përvojë dhe traditë të gjerë në ndërtim dhe fusha të ndryshme teknike. Pikërisht kjo trashëgimi profesionale dhe etike u përçua te Dilaver Jonuzi, i cili e vazhdoi me dinjitet në Elbasan, duke ndërtuar jo vetëm shtëpi, por edhe “familje model”, të bazuara mbi punën, ndershmërinë dhe respektin për komunitetin.

Për kontributin e tij shumëvjeçar, Dilaver Jonuzi gëzoi respekt të gjerë shoqëror dhe u dekorua nga institucione të ndryshme, përfshirë edhe Presidiumin e Kuvendit Popullor. Këto vlerësime nuk ishin thjesht formale, por pasqyronin rolin e tij real në ndërtimin e qytetit dhe të vendit. Të parët e tij dhe vetë Dilaver Jonuzi kanë ndërtuar institucione dhe vepra të rëndësishme jo vetëm në Elbasan, por në mbarë Shqipërinë. Ky është një kapital historik që nuk duhet të mbetet i heshtur. Në një bisedë me djalin e tij, Dail Dilaver Jonuzi, në Elbasan, dalin në dritë shumë prej këtyre fakteve dhe kujtimeve, të cilat sot duhet të shkruhen, të ruhen dhe të përcillen te brezat e rinj, si pjesë e identitetit dhe kulturës sonë qytetare. Dilaver Jonuzi mbetet kështu një figurë përfaqësuese e një brezi dhe e një tradite që ndërtoi me duar, mendje dhe ndershmëri, një pinjoll i fundit i vlerave të mëdha, që meriton vendin e tij në kujtesën arkivore të Elbasanit dhe të Shqipërisë.









Comments