Fatmir Terziu: “Dasmakob”, një roman me gjuhën e lexuesit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 6 hours ago
- 3 min read

“Dasmakob”, një roman me gjuhën e lexuesit
Romani “Dasmakob” i Faslli Canajt, i shkruar në Tiranë gjatë viteve 2008–2009 dhe botuar nga “GlobusR”, përbën një nga dëshmitë artistike më tronditëse të letërsisë shqipe bashkëkohore mbi traumën kolektive të diktaturës shqiptare. Autori ia kushton veprën xhaxhait të tij dhe Ferrik Hysenajt, duke e ngarkuar që në nisje tekstin me një dimension personal dhe memorial. Recensenti, shkrimtari i nderuar, Mystehak Xhemali dhe redaktori Xhevdet Shehu kanë kontribuar në konsolidimin e një vepre që shquhet për peshë tematike dhe përpunim të kujdesshëm gjuhësor, derisa për mua si lexues mbërriti në duart e mia me mbishkrimin e autorit në vitin 2018, dhe kështu për të shkuar më pas tek ajo që trajton romani në fjalë.

Ngjarjet e romanit kanë pikënisje datën fatale të 17 dhjetorit 1981, ditën e shpallur, apo të trajtuar në mjaft memorje, si ditën e “vetëvrasjes” së kryeministrit Mehmet Shehu, një akt që në roman shfaqet jo si fakt i mbyllur historik, por si nyjë tragjike nga e cila shpërthen një zinxhir katastrofash njerëzore. Canaj e ndërton rrëfimin si një tragjedi shumëplanëshe, ku historia e madhe politike depërton dhunshëm në jetën e një krahine, të një qyteti, të një fisi, të një familjeje dhe, në fund, të individit. Në këtë kuptim, “Dasmakob” funksionon si një labirint dantesk, ku rrathët e ferrit zgjerohen gradualisht: nga pushteti qendror te strukturat lokale të Partisë, nga sekretarët e parë e të dytë, deri te qytetarët e zakonshëm, të shndërruar në viktima të një mekanizmi paranojak dhe të pamëshirshëm.
Titulli “Dasmakob” është një simbolikë, që përmbledh në mënyrë sintetike thelbin ideor të romanit. Ai ngërthen një dualitet dramatik, dasma si simbol i jetës, gëzimit dhe vazhdimësisë, përballet me kobin, si shenjë e vdekjes, shkatërrimit dhe fatalitetit. Në roman ravijëzohen tri dasma në periudha të ndryshme, por asnjëra nuk mbetet e paprekur nga hija e frikës, e survejimit dhe e dhunës shtetërore. Kënga dhe vallja shndërrohen në kuje të heshtura; gëzimi mpaket në ngërç ekzistencial; njerëzit e gjallë ecin si kufoma morale në një holokaust ideologjik të fundit të shekullit XX. Kjo ambivalencë e vazhdueshme e bën romanin një tekst thellësisht simbolik dhe universal.
Figura qendrore e romanit është Timi, një i ri i gjymtuar fizikisht, por me një kujtesë absolute, arkivore. Ai qëndron në hyrje të ngjarjeve si një kronikan i palëvizshëm, i ngjashëm me statujat e lashta të ngrëna nga koha. Timi sheh, dëgjon, regjistron dhe ruan gjithçka në një memorie që nuk guxon të flasë, sepse e di çmimin e së vërtetës në një shtet policor. Marrëdhënia simbiotike nënë–bir, sidomos dialogu i mprehtë në natën e vdekjes së kryeministrit, merr vlera të forta simbolike: ajo përfaqëson mendjen popullore të tronditur, ndërsa Timi përfaqëson kujtesën historike që hesht, por nuk harron. Prania e tij e vazhdueshme, edhe kur mungon fizikisht, i jep romanit kompaktësi narrative dhe besueshmëri artistike.

Romani është i mbrujtur me një polifoni rrëfimtare që kujton korin e tragjedisë së lashtë. Jehonat e Homerit, Odiseut, qytetit antik dhe arkeologjisë ndihen si në shtresën tematike, ashtu edhe në mikrostrukturat gjuhësore tragji-komike të personazheve dytësore. Personazhe si Xhema, operativi, delegura, sekretarët e Partisë apo përfaqësuesit e Degës së Brendshme nuk janë thjesht figura narrative, por tipologji të një sistemi që prodhon dhunë, dyshim dhe viktima. Partia shfaqet si regjisorja absolute e “dramave të trilluara”, duke fabrikuar armiq të rinj për të justifikuar ekzistencën e saj represive. Në këtë proces, bashkëluftëtarët e djeshëm shndërrohen në “poliagjentë”, ndërsa gjyqet kolektive marrin trajtën e ritualeve mesjetare të flijimit.
Një nga meritat më të spikatura të “Dasmakob” është gjuha. Faslli Canaj përdor një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, por jashtëzakonisht të pasur artistikisht, duke shfrytëzuar me mjeshtëri falëpërbërjen, ritmin dhe figuracionin. Përshkrimet e natës së terrorit, me zhurmat çjerrëse të makinave të Sigurimit, krijojnë skena realiste, tronditëse dhe të besueshme të shtetit policesk. Në kontrast me këtë errësirë, autori ndërton momente lirike me ndjeshmëri të lartë estetike, ku natyra, dashuria dhe drita shndërrohen në strehë shpirtërore për personazhet. Ky paralelizëm figurativ thekson edhe më fort përmasat e tragjedisë dhe humanizon rrëfimin.
Vepra “Dasmakob” e shkruar me një gjuhë për lexuesin, është një roman-dëshmi, një akt kujtese dhe një akuzë artistike ndaj një sistemi që bluante njerëz pa mëshirë, si gurët e mullirit që “grijnë, shtypin, copëtojnë, thërmijëzojnë”. Faslli Canaj i qëndron besnik së vërtetës historike, por e shndërron atë në art përmes një rrëfimi të fuqishëm, polifonik dhe thellësisht njerëzor. Ky roman nuk është vetëm një pasqyrë e së shkuarës, por edhe një paralajmërim moral: kujtesa, sado e gjymtuar, nuk duhet të heshtë përgjithmonë. Në këtë kuptim, “Dasmakob” zë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe të pasviteve ’90, si një vepër me vlera të qëndrueshme artistike dhe historike.









Comments