top of page

FATMIR TERZIU – BLETA E KRIJIMTARISË SË SOTME SHQIPTARE


Novruz Abilekaj

FATMIR TERZIU – BLETA E KRIJIMTARISË SË SOTME SHQIPTARE


Novruz Abilekaj


Gorki (i madh sa dimensionet e artit të tij), dikur tha për poetin e ri Sergej Esenin: Organizëm i lindur për poezi.

Unë (sado i vogël si krijues, ndihem gjigand ndërsa mbart autoritetin e lexuesit) do thosha për Fatmir Terziun: Organizëm i lindur për të pohuar të bukurën, të mirën, nektarin, lulen, gonxhen, sythin, të porsalindurën.

Si bleta, pra. Bleta shkon te trëndafili, ulet mbi lule dhe përthith nektar. Nuk shpenzon fare vëmendje për gjembat. As për gjethet; qofshin këto në gjelbërim të plotë, qofshin të zbehta apo duke u tharë nuk i interesojnë bletës. Shkon bleta te trëndelina, te sherbela, te manushaqja, te lulja e bajames, te pisha, madje edhe te duhani. Gjithkund mbart nektar e polen, atë nektarin dhe polenin që na e servir si mjaltë e dyllë dhe ne e konsumojmë të gatshëm. Sikur njeriu-lexues (qoftë edhe dëgjues) t’i dinte vlerën njeriut ashtu si ia di bletës. Ndonëse kjo nuk ndodhë përherë, duhet të ndodhë me autorin e “Kritika ndryshe” që është ulur në pafundësi “lulesh” dhe jo vetëm për një çast; natë e ditë, ditë e natë.

*

Në fund të gushtit 2009, më erdhi në dorë përmbledhja “Kritika ndryshe”-vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare (pjesa e parë). Ishte dhuratë e drejtpërdrejt nga autori i përmbledhjes, z. Fatmir Terziu. E mora në dorë me kënaqësi duke pasur ndjesinë e shtrëngimit të dorës me njeriun e letrave dhe të ekranit të cilin e njihja vetëm nëpërmjet rrjetit internetik.

*

E lexova ngadalë. Postmodernizmi, funksioni estetik, arti i fjalës përcjell me modesti mendime e përkufizime të përafërta, por, pasuria më e veçanta është pasqyrimi i përvojave dhe modeleve postmoderniste për rastit unik Robert Lawrence Stine etj.

Pse ky autor kaq i suksesshëm quhet postmodern –pyet autori. Më tej përgjigjet me gjuhë akademikësh: Ato (librat e Stine) janë produkte të kulturës popullore të transformuar me stilin personal dhe me mjeshtëri në stilin e komunikimit modern.

Kështu pasurohemi për funksionin estetik të krijimtarisë, për artin e fjalës e më tej.

*

Është detyrë e gjithkujt që mendon se i ka dhuruar një pjesë të jetës së tij personale botës së krijimtarisë dhe të artit në përgjithësi të udhëtojë nëpër faqet e librit me vlera të sigurta “Kritika ndryshe” dhe të takohet me modernizmin, postmodernizimin, sentenca të gjigandëve të sotëm të kritikës artistike dhe të mendimit filozofik, me emrat më të shquar të letërsisë (dhe jo vetëm letërsisë shqiptare në botë). Gjithashtu do të prezantohet me dhjetëra krijues të rinj; të njohur, të njohur pak apo anonimë. Në çdo rast spikat misioni i Fatmir Terziut: Afirmimi i vlerave pozitive të çdo autori, kujdesi për të mos lënduar shpirtin e askujt dhe për të realizuar mjekimin e të metave me mënyra që nuk shkaktojnë qoftë edhe dhimbje minimale.

*

Në fund, ashtu si ka thënë Dr. Charlotte Crofts: “Shoh diçka më tepër se rëndësia për të lexuar”.

Më vjen ky vlerësim në dy trajta:

E para: Kritika ndryshe, kjo përmbledhje shumëdimensionale, e ka dhe do ketë vlerën e saj të padiskutueshme edhe pa u shtuar unë si lexues, edhe duke i kaluar anash qindra apo më shumë nga lexuesit-krijues deri të mbiprodhuar në ditët që jetojmë. Shikoni, nuk jam dhe nuk mund të jem aq fisnik sa Fatmiri, ndërsa humbas durimin dhe nënvizoj se krijuesit sot janë deri mbiprodhim. Kështu kam menduar dhe për mjaltin dikur, mjalti i krijuar me përzierje të nektarit të lules së duhenit më përcillte pak hidhërim nikotine, sido që quhej mjaltë dhe, jo vetëm quhej, shtrohej në tavolinë si mjaltë. Veçse, ngushëllohem me të vërtetën e përbotshme se nuk mund të jenë dy njerëz njësoj, ashtu si nuk mund të jenë njësoj dy gjallesa brenda një shpirti njerëzor, ashtu si nuk mund të jetë njësoj nesër i njëjti njeri i sotëm.

E dyta: Edhe pse e lexova (apo e lexoi ai tjetri) nuk ngjitet dot deri te lartësia e rëndësisë së librit si vlerë arkivore, si vlerë e përjetshme shkencore.

I ushqyer shëndetshëm me faqet e librit, falënderoj Fatmir Terziun për mundin e madh që i ka kushtuar informimit dhe formimit tim kulturor, për vizionin shumëplanësh që më përcjell duke më ndihmuar të orientohem nëpër shtigjet e krijimit, për shembullin vetëmohues të studimit dhe hulumtimit në lëmin e vlerave intelektuale shqiptare.


25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page