Fatmir Terziu: Anametër
- 2 hours ago
- 3 min read

Anametër
Nga Fatmir Terziu
Në historinë e gjatë të njerëzimit, gjithçka është përpjekur të matet: koha, hapësira, energjia, madje edhe vetë jeta. Nga metrat tek sekondat, nga voltët tek bitët, qytetërimi ka ecur përpara duke vendosur kufij të qartë për të kuptuar të pakapshmen. Por sot, në një epokë të mbingarkuar me informacion dhe të tejmbushur me interpretim, duket se ka lindur një njësi e re matëse, e paformalizuar, por gjithnjë e më e pranishme, anametri. Anametri nuk mat gjatësinë apo peshën. Ai mat perceptimin. Ai është njësia e re e gjykimit global, një instrument i padukshëm që përcakton se sa vlen një ngjarje, sa duhet të shqetësojë një luftë, sa duhet të prekë një tragjedi, sa duhet të peshojë një heshtje. Në ekranet që nuk flenë kurrë, anametri vendos ritmin e emocionit kolektiv.
Në këtë mënyrë, konfliktet e sotme, nga Ukraina në Lindjen e Mesme, nuk janë vetëm përplasje armësh, por edhe përplasje interpretimesh. Ato maten jo vetëm me humbje njerëzore apo territore të pushtuara, por me intensitetin e vëmendjes që marrin, me narrativat që ndërtohen rreth tyre, me heshtjet që i rrethojnë. Dhe këtu hyn në lojë anametri, njësi që nuk njeh drejtësi absolute, por vetëm balancë të paqëndrueshme interesash dhe emocionesh. Kjo nuk është hera e parë që bota përjeton një krizë të matjes së vetvetes. Historia ka parë qytetërime që janë shpallur të vdekura, ndërsa në të vërtetë kanë qenë duke ndryshuar formë. Evropa, e shpallur shpesh në agoni nga profetët e kohës, ka dëshmuar se nuk është një trup statik, por një ide që zhvendoset, që depërton, që transformohet. Ajo ka hyrë në hapësira të tjera, jo vetëm me forcën e armëve, por me peshën e mendimit, me teknologjinë, me modelin e saj të organizimit.
Në të njëjtën kohë, hapësirat që dikur konsideroheshin periferike kanë përthithur këtë ndikim, duke e përzier me traditat e tyre dhe duke krijuar forma të reja të vetëdijes. Aty ku dikur sundonin strukturat e ngurta të besimit dhe të pushtetit, sot vërehet një etje për teknologji, për zhvillim, për afirmim kombëtar. Por kjo etje nuk është e pastër; ajo është e përzier me kujtesë, me dhimbje, me një dëshirë për të mos qenë më objekt, por subjekt i historisë.
Anametri, në këtë kontekst, bëhet një mjet i rrezikshëm. Sepse ai nuk mat vetëm realitetin, ai e deformon atë. Ai mund të zmadhojë një konflikt dhe të zvogëlojë një tjetër. Mund të bëjë që një krizë të duket universale dhe një tjetër të mbetet periferike. Mund të krijojë iluzionin e rëndësisë dhe të fshehë thelbin. Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e madhe. A po jetojmë në një epokë ku e vërteta matet me anametra? Ku vlera e një ngjarjeje nuk përcaktohet nga pesha e saj reale, por nga intensiteti i pasqyrimit të saj?
Nëse dikur qytetërimet përballeshin me sfidën e mbijetesës fizike, sot ato përballen me sfidën e interpretimit. Lufta nuk është vetëm në terren, por në mendje. Fitorja nuk është vetëm territoriale, por perceptuese. Në këtë botë të re, ku makina nuk është më vetëm një shpikje, por një sistem që prodhon realitet, anametri bëhet një lloj kompas i rremë. Ai të orienton, por jo gjithmonë drejt së vërtetës. Ai të jep drejtim, por jo domosdoshmërisht kuptim. Dhe ndoshta, në fund, sfida më e madhe e kohës sonë nuk është të shpikim njësi të reja matëse, por të rikthejmë besimin tek ato që nuk maten dot, ndërgjegjja, drejtësia, e vërteta. Sepse aty ku gjithçka matet me anametra, rreziku më i madh është që njeriu të harrojë të ndjejë pa to.








Comments