Fatmir Terziu: A preken shqiptarët …
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 60 minutes ago
- 6 min read

A preken shqiptarët …
… me dyshtetësi nga 25 shkurti 2026? – Sqarim i plotë për ETA dhe hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar
Nga 25 shkurti 2026, Mbretëria e Bashkuar do të zbatojë në mënyrë strikte Autorizimin Elektronik të Udhëtimit (ETA), një ndryshim i rëndësishëm që prek drejtpërdrejt mënyrën e hyrjes në vend për vizitorët, shtetasit pa vizë dhe në mënyrë të veçantë për shtetasit me dyshtetësi. Ky zhvillim ka ngjallur shqetësime te shumë shqiptarë, përfshirë ata që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe te anëtarët e komuniteteve minoritare etnike në Shqipëri, bullgarë, grekë, rumunë, etj., që posedojnë pasaporta të vendeve të Bashkimit Europian. Thelbi i ndryshimit qëndron në faktin se ETA, e cila është kërkuar që nga fillimi i vitit 2025 për shtetasit pa vizë, nuk ka qenë e zbatuar rreptësisht deri tani. Nga 25 shkurti 2026, kjo periudhë tolerance përfundon. Çdo shtetas që nuk është britanik apo irlandez dhe që nuk ka nevojë për vizë për vizitë afatshkurtër në Mbretërinë e Bashkuar, do të duhet patjetër të ketë një ETA të miratuar përpara udhëtimit. Kjo kategori përfshin shtetasit e vendeve të BE-së dhe EEA-së, Zvicrës, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re, Hong Kongut dhe të tjerë.
Për shqiptarët që janë pjesë e minoriteteve etnike në Shqipëri dhe që posedojnë pasaporta bullgare, greke apo rumune, përgjigjja është e qartë. Po, ata preken nga ky ndryshim vetëm nëse udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar si vizitorë. Si shtetas të BE-së, ata konsiderohen “shtetas pa vizë” dhe nga 25 shkurti 2026 do të duhet të aplikojnë për ETA përpara çdo udhëtimi. ETA nuk është vizë, por një autorizim elektronik paraprak që lidhet me pasaportën dhe u lejon autoriteteve britanike të kryejnë kontrolle sigurie para mbërritjes. Ndryshe qëndron situata për shqiptarët, apo shtetas të tjerë, që kanë vizë britanike, ose leje qëndrimi të pacaktuar (Indefinite Leave to Remain). Këta persona nuk kanë nevojë të aplikojnë për ETA, pasi ETA kërkohet vetëm për vizitorët. Megjithatë, për ta bëhet jetike që të kenë të përditësuar llogarinë e tyre UKVI, të dhënat e sakta të pasaportës dhe të jenë në gjendje të gjenerojnë një “share code” për të provuar statusin e tyre imigrator nëse u kërkohet nga transportuesit ose Forcat Kufitare. Me zbatimin strikt të ETA-së, çdo pasaktësi apo mungesë prove mund të sjellë vonesa serioze ose refuzim hipjeje në avion.
Pika më delikate dhe më pak e kuptuar lidhet me shtetasit britanikë me dyshtetësi. Shumë persona që kanë shtetësi britanike dhe njëkohësisht shtetësi shqiptare, greke, bullgare apo të një vendi tjetër, deri tani kanë udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar duke përdorur vetëm pasaportën e huaj, sidomos në rastet kur pasaporta britanike kishte skaduar ose nuk ishte nxjerrë kurrë. Nga 25 shkurti 2026 kjo praktikë nuk do të lejohet më. Një shtetas britanik, edhe nëse ka pasaportë të një vendi pa vizë, nuk mund të hyjë më në Mbretërinë e Bashkuar si “vizitor” dhe nuk mund të aplikojë për ETA me pasaportën e huaj, sepse sipas ligjit britanik të imigracionit ai nuk konsiderohet vizitor. Në këto raste, shtetasi me dyshtetësi duhet patjetër të ketë provë të vlefshme të shtetësisë britanike për të hyrë në vend. Zgjidhja më e thjeshtë dhe zakonisht më ekonomike është aplikimi për pasaportë britanike. Si alternativë, ekziston mundësia e aplikimit për një Certifikatë të së Drejtës së Banimit (Certificate of Entitlement) që vendoset në pasaportën e huaj dhe shërben si provë ligjore e të drejtës për të hyrë dhe jetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo alternativë përdoret shpesh në raste urgjente, kur nuk ka kohë për nxjerrjen e pasaportës britanike. Për këdo që planifikon të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar pas 25 shkurtit 2026, hapi i parë është të përcaktojë statusin e vet, nëse është shtetas pa vizë, duhet të aplikojë për ETA; nëse është shtetas që kërkon vizë, duhet të aplikojë për vizë vizite; nëse ka vizë apo leje qëndrimi, duhet të sigurohet që dokumentacioni dixhital është i saktë; dhe nëse është shtetas britanik, duhet të udhëtojë si i tillë, me dokument britanik ose provë të së drejtës së banimit.
Aplikimi për ETA bëhet online ose përmes aplikacionit zyrtar të Ministrisë së Brendshme britanike. Aktualisht kushton 16 paund dhe zakonisht përpunohet brenda tre ditëve pune, por këshillohet që aplikimi të bëhet me kohë dhe jo në minutën e fundit. ETA, pasi miratohet, është e vlefshme për dy vjet ose deri në skadimin e pasaportës, dhe mund të përdoret për udhëtime të shumta gjatë kësaj periudhe. Në përfundim, shqiptarët me dyshtetësi nuk janë të përjashtuar nga rregullat e reja; përkundrazi, ata duhet të jenë edhe më të kujdesshëm. Minoritetet etnike me pasaporta të BE-së do të kenë nevojë për ETA si vizitorë, ndërsa shtetasit britanikë me dyshtetësi duhet të udhëtojnë vetëm me prova britanike të shtetësisë. 25 shkurti 2026 shënon fundin e fleksibilitetit dhe fillimin e një regjimi më rigoroz kontrolli, ku përgatitja e saktë dokumentare do të jetë çelësi për të shmangur probleme në kufi.
Në këtë kuadër sqarues duhet trajtuar edhe një kategori tjetër shqiptare, shpesh e heshtur por realisht e prekur nga zbatimi strikt i rregullave nga 25 shkurti 2026, shqiptarët të cilëve u është hequr pasaporta britanike për shkak të mashtrimit në përfitimin e shtetësisë, kryesisht përmes deklarimit të rremë si kosovarë, por që megjithatë janë lejuar nga autoritetet britanike të qëndrojnë dhe jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Në aspektin ligjor, këta persona nuk konsiderohen më shtetas britanikë, pasi shtetësia u është revokuar me vendim administrativ ose gjyqësor, por njëkohësisht nuk janë as vizitorë, sepse u është njohur një status i rregullt qëndrimi, qoftë i kufizuar në kohë apo i pacaktuar. Pikërisht kjo pozitë e ndërmjetme kërkon vëmendje të veçantë në kontekstin e rregullave të reja të hyrje-daljes. Nga 25 shkurti 2026, këta persona nuk i nënshtrohen kërkesës për Autorizim Elektronik të Udhëtimit, për aq kohë sa ata mbajnë një leje të vlefshme qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar. ETA zbatohet vetëm për vizitorët, ndërsa personat me leje qëndrimi hyjnë në territor si rezidentë të huaj. Megjithatë, për ta bëhet vendimtare që llogaria e tyre UKVI të jetë e përditësuar, që eVisa të jetë e lidhur saktë me pasaportën aktuale të vendit të origjinës, zakonisht pasaportë shqiptare, dhe që të jenë në gjendje të gjenerojnë një “share code” për të provuar pa asnjë paqartësi të drejtën e tyre për të jetuar dhe për t’u rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar. Në kushtet e kontrollit të shtuar kufitar, çdo mospërputhje mes dokumenteve fizike dhe statusit dixhital mund të sjellë vonesa serioze ose probleme në hyrje.
Rreziku real për këtë kategori shfaqet kryesisht në momentin e daljes nga Mbretëria e Bashkuar. Çdo udhëtim jashtë vendit, pas heqjes së shtetësisë britanike dhe me një histori imigracioni të ndërlikuar, duhet të bëhet vetëm pasi të jetë absolutisht e qartë se leja e qëndrimit garanton të drejtën e rikthimit. Nga 25 shkurti 2026, transportuesit ajrorë dhe autoritetet kufitare do të jenë shumë më striktë në verifikime dhe çdo pasiguri lidhur me statusin, vlefshmërinë e lejes ose përputhjen e të dhënave mund të çojë në refuzim hipjeje në avion ose ndalim në kufi. Aplikimi për ETA në këto raste jo vetëm që nuk është i nevojshëm, por mund të jetë edhe i dëmshëm, pasi këta persona nuk janë vizitorë dhe një aplikim i gabuar mund të refuzohet, të krijojë konfuzion në sistem ose të rihapë çështje të mbyllura më parë lidhur me mashtrimin fillestar. Nëse statusi aktual i qëndrimit nuk është i qartë, është i përkohshëm ose i kushtëzuar, atëherë rregullat e reja të zbatimit strikt e bëjnë çdo dalje nga Mbretëria e Bashkuar veçanërisht të rrezikshme, sepse rikthimi mund të mos lejohet pa një vizë të re ose pa një vendim të ri nga autoritetet imigratore. Në këtë kuptim, nga 25 shkurti 2026 mbaron periudha e tolerancës administrative dhe fillon një fazë ku provimi i statusit imigrator bëhet po aq i rëndësishëm sa vetë pasaporta. Për shqiptarët që kanë humbur shtetësinë britanike, por jetojnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar, mesazhi është i qartë, ata nuk trajtohen më si britanikë, nuk konsiderohen vizitorë dhe nuk mbrohen nga ETA, por varen plotësisht nga qartësia, saktësia dhe vlefshmëria e statusit të tyre si rezidentë të huaj në një sistem kufitar që nga kjo datë do të funksionojë pa asnjë hapësirë fleksibiliteti.









Comments