Fatmir Terziu: A do t’i riemërojmë oqeanet?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 2 min read

A do t’i riemërojmë oqeanet?
Nga Fatmir Terziu
Në fillim ishte filli.
Jo fjala. Filli.
Ariadna ia dha Tezeut që të mos humbiste rrugën, por nuk ia dha për të menduar. Labirinti ishte problem gjeometrik, jo moral. Minotauri, një gabim arkitektonik. Tezeu doli gjallë dhe historia u mbyll me sukses. Kështu mendojmë gjithmonë: kur del gjallë heroi, gjithçka është në rregull.
Më vonë, Ariadna mbeti vetëm me fillin.
Dhe njeriu që mbetet vetëm me mjetin e shpëtimit, zakonisht e kthen atë në mjet mbytjeje. Ajo u mbështoll. U bë nyje. U bë rrjetë. Dhe rrjeta, si çdo ide e mirë, filloi të kapte të tjerët.
Që atëherë, çdo mit është një labirint i vogël. Miti hyn me guxim dhe del me vonesë. Disa harrojnë fillin. Disa e shesin si metodë. Disa bëhen vetë Minotaurë dhe ankohen se askush nuk i kupton.
Sot, labirinti nuk ka mure. Ka faqe.
Nuk ka përbindësha. Ka emra.
Hap një faqe dhe më del Helena.
Hap një tjetër, prapë Helena.
Nuk po e kërkoj. Nuk po e gjykoj. As nuk po e dashuroj. Ajo vjen vetë, si reklamë e padëshiruar e bukurisë së përjetshme. Doja të gjeja një mal me emrin e saj. Një det provincial. Një oqean që s’bën zhurmë. Asgjë. Vetëm fytyra. Vetëm miti. Vetëm riprodhim.
Dje ishte Herkuli.
Nesër do të jetë dikush tjetër.
Algoritmi ka mitologjinë e vet dhe heronjtë i ndërron sipas motit.
Ne jemi brenda rrjetës dhe e quajmë këtë lidhje. Fjala internet tingëllon si liri, por mban aromë internimi. Lëvizim, por nuk ikim. Zgjedhim, por vetëm nga menuja. Kemi mendim, por me shije kolektive.
Jemi peshq të kulturuar.
Dimë emrat e të gjitha oqeaneve, por s’dimë ku notojmë.
Dhe ndërsa rrjeta shtrëngohet butë, pa dhimbje, lind ideja e fundit madhështore. Dhe ndoshta problemi nuk është rrjeta, por emrat. Ndoshta, po t’i riemërojmë oqeanet, do të ndryshojë edhe thellësia.
Oqeani i Paqësorit mund të quhet Oqeani i Përsëritjes.
Atlantiku, Oqeani i Zhurmës.
Indianit t’i heqim hartën fare.
Dhe diku, shumë larg, të lëmë një ujë pa emër. Pa mit. Pa kërkim.
Një vend ku nuk del as Helena, as Herkuli, as ne.
Vetëm loti.









Emi Krosi aleminderit. Poetja dhe kritikja Emi Krosi, me ndjeshmërinë dhe mprehtësinë që e karakterizon, ka dhënë një reagim të shkurtër, por thelbësor ndaj shkrimit tim “A do t’i riemërojmë oqeanet?”. Fjalia e saj: “Sa domethënës ky shkrim. Respekte Fatmir Terziu” nuk është thjesht një shprehje mirësjelljeje, por një vlerësim i përmbledhur që dëshmon se mesazhi i tekstit është lexuar, kuptuar dhe përvetësuar në thellësinë e tij. Kur një mendim i tillë vjen nga një autore që njeh mirë peshën e fjalës, simbolikën dhe përgjegjësinë e diskursit kritik, ai merr vlerë të veçantë. Ky koment i Emi Krosit shërben si një konfirmim se shkrimi ka arritur të komunikojë jo vetëm një ide, por edhe një shqetësim më të gjerë kulturo…
Sa domethënës ky shkrim. Respekte Fatmir Terziu.