Fatmir Terziu: 17 Shkurt 2026
- 2 hours ago
- 2 min read

17 Shkurt 2026
Sot, më 17 Shkurt 2026, Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë. Tetëmbëdhjetë vjet nuk janë shumë në kalendarin e historisë së një shteti, por janë mjaftueshëm për të provuar pjekurinë e një shteti, për të matur durimin e një populli dhe për të testuar besimin në idealet që e lindën atë. Pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm një akt politik. Ajo ishte një akt besimi. Ishte një shpallje dinjiteti. Ishte një thirrje që vinte nga sakrifica, nga qëndresa dhe nga një ëndërr e gjatë historike për liri e vetëvendosje. Sot, 18 vjet më pas, kjo datë nuk është vetëm përkujtim, por edhe reflektim, çfarë kemi ndërtuar, si kemi ecur dhe çfarë përgjegjësish mbajmë përpara brezave që vijnë.
Në çdo përvjetor të Pavarësisë, urimet marrin një kuptim më të thellë kur ato shoqërohen me krijim, me punë, me vepra konkrete që i shtojnë vlerë hapësirës sonë kulturore dhe shpirtërore. Sepse shteti nuk ndërtohet vetëm me institucione; ai forcohet me kulturë, me arsim, me libra, me mendim të lirë. Prandaj, në këtë ditë simbolike, urimi im për Kosovën shtohet edhe me një lajm të veçantë që lidhet me fjalën e shkruar. Në kryeqytetin e Kosovës,

në Prishtina, Shtëpia Botuese URA, e drejtuar nga shkrimtarët dhe studiuesit e mirënjohur Lumnie Thaçi-Halili dhe Xhemë Karadaku, ka botuar romanin tim të tetë, “Blirët e Pejës”, të tretin libër të botuar prej saj. Nuk është rastësi që ky roman del në dritë pikërisht në Prishtinë, në zemrën e shtetit që sot feston 18-vjetorin e lirisë së tij. Libri, si çdo vepër letrare, është një mënyrë tjetër për të mbrojtur kujtesën, për të ruajtur identitetin dhe për të ndërtuar ura mes brezave. Në një kohë kur sfidat janë të shumta, kultura mbetet një nga themelet më të qëndrueshme të shtetësisë.
“Blirët e Pejës” tashmë gjendet në Prishtinë dhe mund të sigurohet lehtësisht nga lexuesit. Për lexuesit në Kosovë ofrohet transport falas, ndërsa librat mbërrijnë në adresë brenda 24 orëve. Por përtej shpërndarjes dhe logjistikës, më e rëndësishmja është lidhja që krijohet mes autorit dhe lexuesit, mes fjalës dhe përjetimit. Në këtë 17 Shkurt, ndërsa flamujt valëviten dhe kujtimet rikthehen, le të kujtojmë se Pavarësia është proces, jo vetëm datë. Ajo është përditshmëri. Ajo kërkon përgjegjësi qytetare, kërkon drejtësi, kërkon kulturë, kërkon libra. Sepse një shtet që lexon, mendon. Një shtet që mendon, forcohet. Dhe një shtet që forcohet mbi dije e kulturë, e bën Pavarësinë e tij të pakthyeshme.
Gëzuar 18-vjetorin, Kosovë!
Qoftë kjo ditë jo vetëm festë, por edhe zotim për më shumë dritë, më shumë fjalë dhe më shumë vepra në shërbim të së ardhmes sonë.








